SHKODËR-Kryeministri Edi Rama, ka shpërndarë në rrjetin e tij social Facebook mesazhin e 33-vjeçarit që vendosi të linte Anglinë për t’u kthyer në Shkodër. Met Hasaj është një prej shkodranëve që është rikthyer nga emigracioni në vendlindjen e tij, për të investuar në hapjen e një Akademie Futbolli për moshat e reja. Pasi vendosi të kthehet në vendlindje, 33-vjeçari kreu shkollën për trajner sporti në universitetin e Tetovës, ku edhe ka marrë licencën nga UEFA si trajner.
“I certifikuar nga UEFA si trajner, ai frymëzon të rinjtë shqiptarë të besojnë në ëndrrat e tyre dhe në potencialin që ka Shqipëria”- shprehet Rama.
33-vjeçari në videon e shpërndarë nga Kryeministri ka ndarë detaje nga historia e tij e emigrimit nga Londra në Milano të Italisë, ku ka punuar dhe jetuar për disa vite.
“Sot i bindur në vendimin që ka marrë iu bën apel që të gjithë atyre që kanë emigruar të kthehen, duke investuar dijet dhe mundin e tyre në Shqipëri”, pohon Kryeministri.
Nga ana tjetër në video i riu tregon për gjithë rrugëtimin e tij në Londër dhe për arsyet që e bën të kthehet në Shqipëri.
“Ka pesë vite që jam kthyer nga Anglia, më përpara kam jetuar për një kohë të shkurtër në Milano, Itali për pesë vite e gjysmë gati gjashtë. Në Londër, sikurse çdo shqiptar tjetër, tradita jonë na e kërkon që të jetojmë me nënën e babën, njerëzit afër, se ndryshe jeta nuk ka kuptim. Plus, vështirësitë që të jep emigracioni, ndoshta për çdo të ri që kryen studimet është e vështirë që të futet në jetën atje. Kushtet na e kanë bërë të mundur që të largohemi. Ndihem shumë mirë, sepse rezultatet që po marrim këtu janë shumë më mirë se sa e kisha menduar vetë. Në momentin kur jam kthyer nga Anglia, ka qenë një situatë e vështirë, Covid 19 dhe dukej e pamundur që do ja dilja të jetoja këtu. Me pak sakrificë, pak mund ja kemi arritur më së miri”-vijon Hasaj.
Komente
