Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjete sociale të fëmijëve përmetarë duke realizuar punimet e tyre për ‘Shtëpinë e Evropës’, dhe e cila do të mikpresë Samitin e Komunitetit Politik Evropian më 16 Maj.
Në video dëgjohet Rama teksa u thotë fëmijëve se punimet e tyre do të futen në një album të madh dhe do të “veshin” shtëpinë që do të ndërtohet në sheshin Skënderbej për të pritur liderët evropianë.
“E para njëherë keni bërë një punë fantastike. E dyta, që ta dini se për çfarë duhen këto. Zyshat do t’i marrin këto dhe do t’i bëjmë fotografi. Do t’i fusim në albumin e madh që do të bëjmë dhe me gjithë këto imazhe që po bëhen nga fëmijët në të gjithë Shqipërinë do bëjmë të gjithë veshjen e Shtëpisë së Evropës që po ndërtojmë te Skënderbeu në Tiranë ku do të vijnë gjithë udhëheqësit e Europës në datë 16 maj dhe do të shikojnë se çfarë kanë bërë fëmijët e Shqipërisë dhe si e shikojnë ata Europën.”, shprehet kryeministri.
Krahas videos së publikuar, Rama shkruan:
“Mirëmëngjes dhe me kontributet e fëmijëve përmetarë për Shtëpinë e Europës, e cila po ngrihet tek kopshti i Skënderbeut në Tiranë, ku më 16 maj do të mblidhen udhëheqësit e krejt kontinentit tonë demokratik, për Samitin e Komunitetit Politik Europian, ju uroj një ditë të mbarë”.
Komente
