Deputeti socialist, Erion Braçe ka shprehur pakënaqësi pas ndarjes së punëve brenda PS një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës më 9 Nëntor, ku kandidate është Ogerta Manastirliu.
Në njësinë 5, zonë në të cilën u caktua të punonte gjatë zgjedhjeve të 11 Majit, Braçe u vendos bashkë me Niko Peleshin dhe Taulant Ballën, të cilit Rama i besoi drejtimin politik, duke anashkaluar deputetin Braçe.
Vendimin e quan “të padrejtë në raport me gjithë çkam bërë si drejtues e deputet në njësinë 5, reflekton mjaftueshëm dyshimin ndaj meje e sjelljes time në zgjedhje - e neveritshme kjo por e denjë fiks për atë që kam bërë dhe perversitetin në raportet njerëzore - po e lë me kaq dhe po e kursej të vërtetën deri në fund e që është fyese pa fund", thotë mes të tjerash deputeti, duke shtuar se “unë e refuzoj këtë akt! Natyrisht, unë s’ka gjasë të bëj atë që këta bënë kundër meje. E thjeshtë, unë nuk jam këta, unë jam socialist”.
Braçe thotë se falë punës dhe besimit të qytetarëve u zgjodh si deputet, dhe për të shlyer këtë borxh ka qëndruar në terren për hallet e banorëve të kësaj njësie.
Braçe përmend se është përballur edhe me kërcënime për shkak të denoncimeve që ka bërë për "sjelljet klienteliste dhe të korruptuara të inspektorëve të IMT-së".
Erion Braçe kishte qenë për dy mandate deputet në zonën e Divjakës, por në momentet e fundit “më larguan nga Divjaka-jo populli, por udhëheqësit në Tiranë”, kujton ai duke theksuar se “unë jam i mbijetuar. Më sollën këtu për të humbur e ju vetë e patë se sa e padrejtë dhe e pandershme u bë e gjitha me të gjithë kundër; unë jam sot deputet falë socialistëve”.
E pikërisht për këtë arsye, pavarësisht përplasjeve që qartazi e kanë përfshirë me drejtuesit e lartë të Partisë, ai vë në dukje se do të bëjë fushatë “cep e më cep të njësisë 5, rrugë më rrugë e sy më sy me socialistët e njerëzit”, shkruan Braçe duke shtuar se "për mua nuk kanë rëndësi emrat, mjafton që në garë është Partia Socialiste, pavarësisht se kush flet në emër të saj, dhe sa kohë ajo do vlejë për njerëzit".
Mesazhi i plotë:
Dua që të jeni mirë të gjithë!
E kisha të rëndësishme që të komunikoja me ju e disa fjalë t’ua thoja unë, duke mos i lënë hapësirë keqkuptimeve që fillojnë tani e bëjnë dëm.
Sot pasdite u bë një mbledhje me natyrë organizative, në prag të zgjedhjeve të parakohshme për një mandat plotësues për kryetar të Bashkisë së Tiranës!
Sipas kësaj mbledhjeje, unë — që drejtova fushatën për zgjedhjet politike në Njësinë 5 — nuk do ta drejtoj më fushatën në këtë njësi; gjithashtu Delina, që ishte prej dy vitesh në këtë njësi dhe bashkë me mua në këto zgjedhje, nuk do të jetë më këtu, duke krijuar një boshllëk të madh përfaqësimi, SI PËRHERË NDAJ NJËSISË 5.
Tani dua t’ju them disa fjalë: Kur më larguan nga Divjaka — jo populli, por udhëheqësit në Tiranë — në pamundësi për të justifikuar çfarë po bënin pa asnjë arsye parimore, por thjesht e vetëm si vullnet personal, më thanë: “Kemi nevojë në Tiranë e veçanërisht në Njësinë 5.” I bindur që edhe kjo ishte një rrugëdalje kot, thashë: “Nuk dua të jem deputet, do bëj fushatë në Njësinë 5 pa qenë në listë, ua kam detyrim socialistëve në atë njësi.” Më thanë: “Jo, se pa qenë në listë s’të mblidhet njeri.” Thashë: “E provojmë, mblidhen socialistët apo jo.” Më thanë: “Shko atje, merr mandatin e pastaj bëj ç’të duash!”
Kur erdha mes jush, njoha jo vetëm gjendjen, por edhe çfarë i kishin bërë socialistëve në Njësinë 5 — gënjyer e mashtruar, abuzuar e harruar, dhunuar e përçmuar, ndarë e mbajtur qëllimisht kështu. Bashkë me Delinën u munduam të kurojmë një nga plagët e hapura në trupin e Partisë Socialiste, ballë për ballë e sy më sy, madje duke vënë veton për të përzënë autoren e autorët e gjithë kësaj gjendjeje; jo vetëm mes socialistëve, por edhe tek njerëzit pashë çlirim.
Punuam bashkë, ca më shumë e ca më pak, por bashkë dhe me një qëllim — FITOREN E PARTISË SOCIALISTE. Koha nuk ishte e mjaftueshme për gjithçka, por bëmë ç’mundëm dhe ja dolëm të thellonim diferencën me PD-në, partinë më të afërt rivale, e t’i hiqnim deputetin e dytë partisë BASHKË, të majtës me bazë në Njësinë 5 — me zemër e pa shpenzuar një qindarkë për të blerë e poshtëruar njerëzit me çmimin e ndyrë të një vote!
Nga kjo përfitova edhe unë — u rizgjodha deputet si më i votuari në Bashkinë Tiranë, më i votuari në Shqipëri (pa Vorën), më i votuari në Diasporë. JU JAM SHUMË MIRËNJOHËS PËR KËTË, ÇDO SOCIALISTI E SOCIALISTEJE NË NJËSINË 5 DHE KUDO NË TIRANË. Unë jam i mbijetuar — më sollën këtu për të humbur, e ju vetë e patë se sa e padrejtë dhe e pandershme u bë e gjitha me të gjithë kundër. Unë jam sot deputet falë socialistëve. Ndaj tyre jam në borxh!
Pikërisht për të shlyer këtë borxh, kam që në shkurt — kur nisëm punën para zgjedhjeve — e deri sot, pas zgjedhjeve, të rri zonës mbi kokë; të jem si në fushatë, rrugë më rrugë, lagje më lagje, shesh më shesh, duke u marrë me ato që janë hallet e njerëzve: ujë, drita, rrugë, trotuare, plehra, hapësira publike, parkim, çerdhe, kopshte e shkolla, dhe duke i hapur telefonin gjithkujt ndër ju po e po, por edhe çdokujt tjetër që kemi banor në njësi apo edhe më gjerë në Tiranë.
Jam shumë krenar për këtë, mbi të gjitha që gjithë çfarë thamë e ndamë me njerëzit në fushatë për HAPËSIRAT PUBLIKE, u rrëmbye menjëherë, po zbatohet deri diku në territor dhe është në qendër të një përpjekjeje për ta kthyer në reformë. Po ua them sot — mbase është dita — kam mbajtur mbi kurriz kërcënime serioze çdo ditë për çdo akt timin në korrigjim të sjelljes klienteliste, të pabarabartë e të korruptuar të inspektorëve të IMT-së në territor. Po pa problem, unë për këtë jam, të mbaj mbi kurriz edhe këto pa u ankuar kund.
Ndërkohë, për gjithçka tjetër — përfshi edhe gjëra banale si ato koshat në Selitë e deri tek gjëra të rëndësishme si legalizimet po në Selitë e kudo — kam gjetur përballë një mur të ngritur, dyer që mbyllen dhe përgjegjës gojëmbullur qëllimisht, e lidhur jo vetëm me kaosin në Bashkinë Tiranë, shpërfilljen e fortë ndaj detyrës e Njësisë 5 kudo, por e lidhur edhe me mua. Në fushatë i kuptova — ishin urdhëruar “mos e ndihmoni atë” — por kjo pas zgjedhjeve është një sjellje e turpshme dhe në traditën e qëndrueshme të shpërfilljes ndaj Njësisë 5, përfaqësuesve të saj!
Nejse, Kuvendi sa ka nisur dhe secili do kuptojë ç’do të thotë nder, respekt, punë në raport me votën e njerëzve; kush pengoi deri më sot e kush pengon në vijim do të jetë shembull! Në anën tjetër, akti i sotëm është i padrejtë në raport me gjithë ç’kam bërë si drejtues e deputet në Njësinë 5, reflekton mjaftueshëm dyshimin ndaj meje e sjelljes sime në zgjedhje — e neveritshme kjo, por e denjë fiks për atë që e ka bërë dhe përversitetin në raportet njerëzore. Po e lë me kaq dhe po e kursej të vërtetën deri në fund, e cila është fyese pafund!
Dua t’ju them që unë e refuzoj këtë akt! Natyrisht, unë s’ka gjasë të bëj atë që këta bënë kundër meje; E THJESHTË — UNË NUK JAM KËTA, UNË JAM SOCIALIST!
Do të thotë, DO BËJ FUSHATË CEP E MË CEP TË NJËSISË 5, ASHTU SIÇ DI, RRUGË MË RRUGË E SY MË SY ME SOCIALISTËT E NJERËZIT, DUKE SHTËNGUAR DUART E DUKE LUFTUAR PËR PUNËT!
Sepse për mua nuk kanë rëndësi emrat, MJAFTON QË NË GARË ËSHTË PARTIA SOCIALISTE — pavarësisht kush flet në emër të saj — DHE SA KOHË AJO DO VLEJË PËR NJERËZIT!
NATËN E MIRË TË GJITHËVE DHE SHIHEMI NË RRUGË!!
Komente

Sepse nuk te duan te hoqi Balluku nga zona jote elettorale ky 2 metroshi te zduku sepse nuk je si "keta" te ndershmit!??????
PërgjigjuDhe kjo është arsyeja që njerëzit ju votojnë ju lumtë.
Përgjigju