Kryesocialisti Edi Rama bëri ndryshime drastike në kupolën drejtuese të PS-së, duke shkarkuar të gjithë sekretariatin, ndërsa emërimet e reja priten të bëhen në shtator. Analistja Brizida Gjikondi tha në emisionin 'Repolitx' në Report Tv, se këto lëvizje tregojnë pakënaqësinë e Ramës me organizimin politik të PS-së.
'Rama më shumë i ka fituar zgjedhjet me qeverisjen e tij se sa me PS-së si organizim politik. Shkarkimi tregon pakënaqësinë që ka Rama se Partia nuk ka mbajtur atë peshë të madhe të besimit që mund ti jepnin shqiptarëve. Nuk besoj se këto persona tek e tek kanë sjellë ndonjë frymë apo risi. Askush nuk ka bërë asnjë analizë se pse ata kanë dështuar. Jo vetëm PS, por klasa politike në Shqipëri është shkëputur nga interesat politike të shqiptarëve. Kemi pasur një bojkotim të zgjedhjeve, numrin më të madh të fletëve të pavlefshme të votimit dhe mendoj se 10 vite pushtet e PS e kanë vënë në një gjumë letargjik pasi krahu përball është inekzistente. Partia pasuron qeverinë me figura me moral. Rama e ka sfidën me vete, jo me ato personazhe dhe ata emërime që janë sot mund të jenë njerëz të bindur të Ramës, por jo një risi e re në PS.’- tha Gjikondi.
Nga ana tjetër, analisti Arben Meçe tha se do të ketë edhe ndryshime ne qeverisje. Kjo për faktin se sipas tij PS do të strukturohet dhe të jetë e ‘pastruar’ për procesin elektoral për zgjedhjet e vitit 2023.
‘Ishte një fitore e dhuruar nga jo vetëm përçarja e opozitës por nga fakti se kemi një opozitë të inkriminuar dhe inkriminim politik i kësaj opozite vijon që nga dy liderët. Ky proces do të vijojë dhe në ekzekutiv. Të dy faktorët kanë probleme. Rama ka arritur të lexojë edhe brenda PS-së probleme serioze. Jemi në periudhë pushimi nuk pritet asnjëlloj aktiviteti. Rama e dha sinjalin që këta duhet të ndryshojnë. Do ketë lëvizje dhe në qeverisje. Rama ka dy objektiva e para të përgatisë PS-së në një goditje që do të vijë me atë goditjen e korrupsionit dhe të strukturojë PS-së që të jetë e pastruar që ai të futet në një proces elektoral për zgjedhjet 2023. Është pastrim.’- tha Meçe.
I gjithë Sekretariati i PS është shkarkuar sot në Asamblenë socialiste dhe në shtator një Kongres i jashtëzakonshëm do të zgjedhë emrat e rinj. Damian Gjiknuri është shkarkuar dhe përkohësisht në vend të tij si numri 2 i PS është komanduar Blendi Klosi. Kreu i ri i grupit parlamentar do të jetë Bledi Çuçi. Në fjalën e tij Rama ka pasur edhe një mesazh për të zgjedhurit socialistë duke i thënë se puna e ndershme i shpëton nga SPAK.