Ali Ahmeti 'Qytetar Nderi' i Tiranës: Na keni mbështetur! Edhe Rama në ceremoninë e bashkisë: Vetëm ai më kthente këtu! Veliaj: Politikani model

2 Maj, 12:09| Përditesimi: 2 Maj, 21:42

  • Share

TIRANE- Nga sot Ali Ahetmi, kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut dhe një nga figurat që ka dhënë një kontribut të qenësishëm në realizimin e të drejtave të shqiptarëve atje është "Qytetar Nderi' i kryeqytetit të Shqipërisë.

Emocionuese ishin fjalët e përzgjedhura nga themeluesi i UÇK-së, i cili titullin ia dedikoi shqiptarëve që u vranë për flamur, ndërsa  Tirana ka qenë edhe shtëpia e bashkëluftëtarëve të tij që dhanë jetën për kombim

"Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj. Me qindra janë dëshmorë e heronj të kombit që nana këtu në prehrin e vet i ka mbajtur. Unë do të doja tju falenderoja por një fjalë e një plaku të urtë na tha. Mos e falenderoni njëri tjetrin se të gjithë keni punuar në arën tuaj, thoni vetëm punë e marë. Vërtet Shqipëria ka ndarë bukë e kripë e zemër për ne me të gjithë ata që nuk janë sot, por është Kosova Shtet, janë shqiptarët në Maqedoni shtet formues. E kam thënë botërisht që kur kemi nisur veprimtarinë e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare, e nuk kam asnjë rezervë, sepse ka dhe asisoj që thonë e kemi nisur për demokraci .  

Edhe ju Skëndërbeun e keni në qendër të Tiranës por dhe unë e kam në Shkupin e vjetër. Ju keni flamurin shqiptar, por edhe unë dënohem nëse nuk e kam flamurin kombëtar në kancelari, zyra e komuna.  5 mije euro është gjoba. I kemi marrë kazermat e Mlladiçit në Shkup dhe e kemi bërë universitet të Nënë Terezës. Kemi marrë kazermën e Mlladiçit edhe në Tetovë është universiteti I Tetovës." 

"Do përpiqem të jem qytetar i disiplinuar' tha me batutë Ahmeti në fjalën e tij të rastit në ceremoninë që u organizua sot (2maj) në Bashkinë e Tiranës dhe ku morën pjesë shumë personalitete shqiptare.

Mes tyre ishte dhe Kryeministri Edi Rama i cili iu rikthye pas 13 vitesh në Bashkinë e Tiranës që e ka drejtuar prej vitesh, për të nderuar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

"Vetëm Ali Ahmeti më kthente këtu sot"  e nisi Rama fjalimin e tij.

Në praninë e zyrtarëve e ish-shtetarëve të lartë, Rama ngriti në piedestal figurën e Ahmetit, pa të cilin, siç u shpreh ai, shqiptarët nuk do të ishin në pozitat e sotme.

 "Një shqiptar ndër më të mirët" tha Rama.

Përçarja mes vetes tha kryeministri, ua ka bërë shumë më të lehtë të huajve që të pengonin afrimin e shqiptarëve kudo në botë, por diplomacia, arma më e fortë e Ali Ahmetit bëri historinë.

Ndërsa kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se  "është modeli i një politikani dhe aktivisti të vërtetë"

Nderimi me titullin “Qytetar Nderi” u propozua nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe u mbështet nga anëtarët socialistë të këshillit bashkiak i Tiranës më 30 prill 2024.

Ora 21:39
FOTO/ Rama poston foto krah familjes së Ali Ahmetit: Kujtim nga një ditë e shënuar

1714678971_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” të Tiranën për kreun e Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

“Kujtim nga një ditë e shënuar, me familjen e Qytetarit të Nderit të Tiranës, Ali Ahmeti”, shkroi Rama në rrjetet sociale teksa ndau një foto me familjen e Ali Ahmetit.

Ora 19:03
Pas nderimit të Ali Ahmetit, Rama në zyrën e Veliajt/ Artan Grubi publikon foton: Mikpritje vëllazërore

Pas ceremonisë për nderimin e Ali Ahmetit si “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Tiranës, kryeministri Edi Rama ka bërë një ndalesë edhe në zyrën e kryebashkiakut Erion Veliaj, së bashku me Zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Ishte ky i fundit që ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku shfaqet krah Ramës dhe Veliajt në zyrën e kryebashkiakut.

“Një selfie ikonike në një ditë speciale. Mikpritje vëllazërore Edi Rama dhe Erion Veliaj, dhe ngjarje që do të mbahet mend në nderim të Ali Ahmetit dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar ai krahas fotos.

Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, ishin të pranishëm kryeministri Rama, ish Presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme shqiptare.

 

Ora 12:59
Tirana nderon Ali Ahmetin me titullin 'Qytetar Nderi', Veliaj: Ali Ahmeti, frymëzues dhe misionar! Do mbetet në historinë e gjatë të kombit dhe qytetit tonë

 

Bashkia e Tiranës nderoi sot në një ceremoni të posaçme kreun e Partisë së BDI në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, të cilit i dha titullin "Qytetar Nderi".

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se është nder i veçantë që, një mik, frymëzues dhe misionar si Ali Ahmeti ndodhet sot në kryeqytetin shqiptar dhe i bashkohet Tiranës si qytetari më i ri.

“Është një nder i veçantë që sot, miku, vëllai, frymëzuesi, misionari, kryetari Ali Ahmeti dhe familja e tij e bukur na është bashkuar, teksa do jetë qytetari më i ri i Tiranës sonë të madhe. Tirana, siç e përmendim ne në zhargonin tonë, i ka me pikatore qytetarët e nderit. Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Kristo Frashëri, Adem Demaçi, për të përmendur disa dhe sot do i bashkohet këtij gjerdani të njerëzve që e nderojnë qytetin tonë, me qytetarinë e nderit, kryetari ynë, lider, misionar, frymëzues, Ali Ahmeti”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit shqiptar, por posaçërisht të kryeqytetit shqiptar.

“Disa njerëz i hyjnë politikës duke pasur ndërmend një ekskursion shkurt në rrugët e saj, por pastaj dalin siç hyjnë, pa lënë asnjë shenjë, pa ngulitur asnjë gjurmë, pa lënë asnjë vepër në kujtesën e njerëzve. Disa i hyjnë politikës duke e përfytyruar si një aksesor, me të cilën thjesht do të shtojnë edhe një medalje në xhaketën e tyre apo një rresht në CV e tyre. Edhe këta të padukshëm dhe kollaj të harrueshëm në rrugëtimin e tyre. Disa të tjerë i hyjnë politikës të shtyrë nga një vokacion i brendshëm dhe bëjnë vepra, madje kryevepra. Këta janë ata që mbeten në histori dhe sot jemi dëshmitarë që Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë dhe sot posaçërisht të qytetit tonë. Ky është modeli i një politikani dhe i një aktivisti të vërtetë. Ky është modeli i Ali Ahmetit, politikanit për të cilin liria është një substancë e shpirtit dhe qenies së vet, sipas parimit të Hegelit, të atyre që e kuptojnë domethënien e lirisë. E dëshmon rruga e tij, jo thjesht e gjatë dhe intensive, por sidomos gjurmëlënëse”, tha Veliaj.

Mandej, ai shtoi se Ali Ahmetin nuk e ka ndalur askush, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet.

“Ky është miku i jashtëzakonshëm që është me ne sot, herë petrit, që fluturon lartësive të qiejve në kërkim të lirisë dhe herë burim jetëdhënës i shqiptarisë dhe atyre që e duan kombin tonë. Siç duket, edhe pseudonimet e tij Petrit dhe Burim në kohën e Luftës, nuk kanë qenë edhe aq të rastësishme. Në qëllimet që i ka vënë vetes Ali Ahmeti asgjë s’e ka ndalur asnjëherë, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet mes nesh, edhe kur armikun s’e kemi jashtë. Fati që e ka udhëhequr rrugëtimin e tij, duke mos e lënë kurrë në baltë, ka qenë gjithnjë madhështia rëndësia dhe domosdoshmëria e qëllimit që duhej arritur. Sepse qëllimet e Ali Ahmetit janë qëllime nga ato që i bëjnë luftëtarët, udhëheqësit dhe politikanët të meritojnë fjalën e thjeshtë, por shumë të vyer, patriotë dhe atdhetarë”, tha Veliaj.

Në fund, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se ky titull nuk nderon vetëm mikun e madh të shqiptarëve, Ali Ahmeti, por nderon po aq edhe Tiranën tonë.

“Në këtë nderim të ndërsjelltë nuk është vetëm Tirana që nderon Ali Ahmetin me titullin qytetar nderi, por është nder në historinë e Tiranës që ju na jepni ne, duke qenë pjesë e familjes sonë, e skuadrës sonë dhe e misionit tonë. Nuk është vetëm Tirana që e nderon burrin që e ka shqiptarinë bosht të ekzistencës së vet, por njëherësh Tirana vetë nderohet, duke vlerësuar një figurë të jashtëzakonshme si miku ynë, vëllai ynë, Ali Ahmeti”, përfundoi Veliaj.

Ora 12:50
Ali Ahmeti 'Qytetar Nderi': Tirana e 2024 nuk njihet me atë të vitit ’91, më gëzon mua dhe çdo shqiptar! Tani dhe qyteti im (FJALA E PLOTE)

1714646182_aliahmeti.jpg

Kryetari i BDI-së së Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti mori sot titullin “Qytetar Nderi” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në fjalën e tij, ai nuk la pa përmendur transformimin që ka pësuar kryeqyteti i shqiptarëve. Ali Ahmeti tha se ky transformim dhe zhvillim i Tiranës gëzon jo vetëm atë, por edhe çdo shqiptar. Ahmeti e tha se Tirana ka qenë edhe shtëpia e bashkëluftëtarëve që dhanë jetën për kombin. 

Fjala e plote

'Do të doja t’ju falenderoj nga zemra.

Kjo është Tirana edhe e Adem Jasharit. Kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, por kjo është Tirana edhe e Fehmi Ladrovcit e Xhevë Krasniqit.  Kjo është Tirana që akoma buzëqeshja kur kam parë kompaninë e parë që po futet në Kosovë e Luan Haradinajt. Si djalin e vetë e ka mbajt, nëna Dritë.

Kjo nanë, Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj, me qindra janë dëshmor, heronj të kombit që nëna këtu në prehrin e vet i ka mbajtur.

Do të doja t’ju falënderoj por një fjalë e një plaku të urtë na tha: Mos e falenderoni njëri-tjetrin se keni punuar në arën tuaj, vetëm punë e mbarë të thuhet, kur gjithë punët bëhen.

Por vërtet Shqipëria ka ndarë bukë e kryp me zemër me ne. Me të gjithë ata që nuk janë sot, por është Kosova shtet, janë shqiptarët shtet formues. 

E kam thënë që kur kemi nisur veprimtarinë e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare, dhe nuk kam asnjë rezervë. Sepse ka dhe asisoj që thonë jo e kemi nisur për demokraci. Ne e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare. Rrethanat ndryshuan dhe ne ndryshuam strategjinë duke parë gjeopolitikat, gjeostrategjitë dhe u përkushtuam në çlirimin e Kosovës, por pa garancinë e kryeministrit të asaj kohe, zotin Dano,  që nuk do ketë kryengritje në Maqedoni. Shqiptarët që morën pjesë në luftën e Kosovës, u vranë në burgjet e Idrizovës. Dhe kjo ishte situatë e pakontrollueshme, sepse shqiptarët në Maqedoni ishin të marxhinalizuar, diskriminuar, pa gjuhë, pa universitete. 

I dashur Edi! Sot edhe ju e keni në qendrën e Tiranës Skëndërbeun, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër në qendër. Edhe ju me krenari është flamuri kombëtar por edhe dënohen nëse nuk e kam flamurin kombëtar, në kancelari, në zyra, në komuna, 5000 euro është gjoba. 3 universitet, i dashur Edi ia kemi marrë kazermat Mlladiçit.  Në Kumavovë i dashur Erion, përsëri kazerma e Mlladiçit është universiteti i Tetovës. Kemi dhe shumë punë për të bërë.

Dua të falenderoj nga zemra për mbështetjen, përkrahje që na ka dhënë shteti shqiptar.

Tirana, e njoh Tiranën e 91 dhe sot nuk e njoh Tiranën e 2024. Humb, nuk e di ku jam. Tirana  është Tiranë tjetër krejtësisht, dhe kjo më gëzon mua, gëzon çdo shqiptar që vjen dhe viziton.

Ne, e dashura kryetarja e kuvendit, - se ishe përzi me shoqen time të dyja me flokë të bardha - dua t’ju falenderoj shumë për këtë nder.

Do përpiqem Erion të jem qytetar i disiplinuar, çfarë do aktiviteti të keni do jem pjesëmarrës sepse është dhe qyteti im.

Këtë nder e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët e mi patriotë, të burgosurit politik. E ndaj me 3000 mbetje mortore në vendlindjen time në nënën shqiptare, për atë flamur janë vrarë, për atë gjuhë.  Më keni nderuar mua, ju falemnderit shumë, suksese paçi në gjitha veprimtaritë e jetës. 

 

Ora 12:36
Rama vlerëson Ali Ahmetin: Iu ngjit maleve të rezistencës për liri, falë tij shqiptarët në Maqedoni po përjetojnë ditët më të mira

 

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e nderimit të Ali Ahmetit në Këshillit Bashkiak të Tiranës me titullin Qytetar Nderi. Në fjalën e tij Rama vlerësoi rolin e Ali Ahmetit duke thënë se pa të shqiptarët nuk do të ishin në ditët më të mira në Maqedoninë e Veriut. Kreu i qeverisë tha se Ahmeti ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Duke pasur parasysh se për kë duhet të flas sot, kisha shumë frikë se mund tu mbaj me orë të tëra për figurën personalitetin dhe karakterin e Ali Ahmetit. Shumë i nderuar dhe i dashur kryetar, Ali Ahmeti, të nderuar miq dhe të ftuar sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët e historisë sonë kombëtare. E shkruar me stërmundime të jashtëzakonshme, jo vetëm shkak për fuqitë e mëdha, as vetëm për shkak fqinjësh më të fuqishëm, por edhe për shkak shqiptarësh të këqinj të cilët armët e luftës dhe demokracisë i përdorin kundër njëri tjetrit, pa pasur gajlen më të vogël se mes njëri tjetrit dhe të huajit të zgjidhnin të huajt. Nuk besoj se ndonjë komb tjetër në Ballkan, e ka vuajtur më shumë përçarjen mes vetes më shumë se shqiptarët.

Ali Ahmeti është një shqiptar ndër më të mirët, i cili vite më parë iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe të drejta të barabartë të vëllezërve dhe motrave tona në Maqedoni, me armët luftarake dhe asaj rezistence nuk kërkoi as gjakderdhje, as hedhjen në erë të shtetit të pavarësuar nga shpërbërja e Jugosllavisë. Armët në krahun e asaj rezistence malesh nuk synon ndarjen e Maqedonisë por bashkimin e saj nën të njëjtin flamur vlerash dhe parimesh mes vlerave demokratike të dy popujve, rruga e rezistencës së maleve që Ali Ahmeti e hapën me armët në krah, ishte rruga e një vizioni patriotik paqeje. Ato armë në krah nuk ishin as një blof politikanësh të verbuar nga etja për pushtet dhe as një shaka aventurierësh. Është ende herët për tu shkruar historia e kësisoj shqiptari ndër më të mirët, por nuk është herët të thuhet se ndër shqiptaret e kësaj kohe, ndër të cilat shkëlqe edhe ndryshimi rrënjësor i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti është mjeshtri unë më i madh i përdorimit të armës së demokracisë për të afirmuar subjektivitetin tonë kombëtar. Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë nuk di ishin sot në ditën më të mirë”, tha Rama.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?