Kryeministri Rama ishte mëngjesin e sotëm në Gjirokastër, ku foli për projektet dhe investimet që priten të realizohen në këtë qytet. Sipas tij, Gjirokastra është një organizëm që është zgjuar pas një agonie.
Synimi i kreut të qeverisë është t’i japë Gjirokastrës një jetë universitare përmes investimeve.
“Gjirokastra nga një organizëm në agoni, është kthyer në një organizëm të gjallë. Këtu ne ishim në një shembull tipik të një gërmadhe, pasi nuk kishte as dyer e as dritare dhe është transformuar tashmë. Janë 106 biznese të reja që kanë aktivitet fitimprurës. Këtu kemi një sërë investimesh që do sjellin jetë në Gjirokastër. Është një organizëm që është zgjuar pas një agonie, i duhet kohë për të vapruar. E ardhmja do jetë e shkëlqyer për Gjirokastrën. Sfida është për t’i dhënë jetë universitare. Këtu Universiteti është sfidë pasi ka një krizë studentësh”
Rama u shpreh se tashmë Gjirokastra është njësoj si një kantier ndërtimi. Ai e krahason me Thumanën pas tërmetit, duke u shprehur se e gjetën qytetin e gurtë si një rrënojë.
“Në çdo drejtim, njerëzit mos të mendojnë se jam i kënaqur. Gjirokastra është njësoj si një kantier ndërtimi. E gjetëm si Thumana pas tërmetit. Ky është modeli se si një rrënojë është shndërruar në një burim energjie.
Rama deklaroi se në Gjirokastër janë një sërë projektesh që presin të marrin jetë duke filluar nga bajpasi i këtij qyteti e më pas në rikonstruktimin e disa shtëpive dhe disa zonave.
“Janë një sërë projektesh. Do bëjmë një parkim të madh për autobusë turistike dhe makinash. Duhet tu japim qytetarëve të Gjirokastrës një ofertë përmes një bypassi të ri. Sistemimi i shtëpive që janë ndërtuar me shtesa abuzive dhe do uniformizohen me arkitekturë. Me qeverinë turke kemi bërë një marrëveshje për rimobilizimin e një zone.
Ndërkohë ka nisur puna për ndërtimin e bajpasit në Gjirokastër në zonën historike. Ditën e djeshme, kryeministri Rama ka inspektuar punimet në këtë bajpas e cila sipas qeverisë, do ta çlirojë krejt qendrën e qytetit nga makinat, duke e kthyer në zonë këmbësore pa penguar qarkullimin e banorëve.