Diskutimet me Blinken, Rama 3 këshilla Kosovës: Asnjë hap pa u konsultuar me aleatët, kërkesat për dialogun me Serbinë s'janë shtrënguese

15 Shkurt, 17:52| Përditesimi: 15 Shkurt, 20:30

  • Share

Pas diskutimeve me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken kryeministri Rama i ka bërë apel Kosovës që të mos bëjë asnjë hap sa i përket dialogut me Serbinë pa u konsultuar me aleatët. Ndalur te situata mes Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se kërkesat ndaj Prishtinës nuk janë shtrënguese. Duke i drejtuar disa këshilla Kosovës tha se është në interesin e saj që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha kërkesave që janë në tryezën e dialogut. Më tej në apelin e tij kryeministri theksoi se nuk fitohet e ardhmja duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme për shkak të këtyre veprimeve.

"E pa diskutim që ne ndihemi të keqardhur sa herë që shohim hapa mbrapa dhe pa diskutim që ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e këtij dialogu. Pa diskutim, ne jemi të vetëdijshëm për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që sot jetojnë në Kosovë, padyshim jemi të  vetëdijshëm edhe për faktin që në momente të caktuara, siç ishte rasti i sulmit terrorist në Banjskë, Serbia nuk është se e ndihmon gjithmonë siç duhet procesin por ama, në radhë të parë shqiptarët e Kosovës dhe pastaj të gjithë ne së bashku, duhet të jemi të vetëdijshëm se është në interesin tonë, është në interesin e Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha atyre kërkesave që janë në tryezën e dialogut, të cilat nuk janë kërkesa shtrënguese, nuk janë as kërkesa që Kosova të lëshojë 1 milimetër nga dinjiteti, sovraniteti dhe ardhmëria e vet, por janë kërkesa që bëjnë të mundur përmes realizimit të tyre krijimin e një konteksti që e ngre lart Republikën e Kosovës, si një republikë që meriton të gjithë mbështetjen, të gjithë respektin, të gjithë besimin e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë, pa të cilët e  ardhmja bëhet shumë më e largët dhe e tashmja bëhet shumë më e ndërlikuar.

Prandaj, edhe sot, pasi kemi diskutuar, unë dua ta përsëris apelin tim, apelin tonë për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar dhe të pa koordinuar me aleatët tanë strategjikë sepse është në radhë të parë, në interesin e tyre dhe patjetër pastaj është në interesin e aleancës sonë. Nga veprimet e pa konsultuara dhe të pa koordinuara mbase mund të fitohen disa vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja".


Lajmi kryesor:

Blinken në Tiranë, takim 110 minuta me Ramën: Anëtarët e krimit të organizuar të përfundojnë në gjyq! Kryeministri: Rrëzuam mitin e pandëshkueshmërisë


B.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?