Politikë

Rama: Me diasporën shkojmë deri në 1 milion vota për PS! Këneta kërkon të zhbëjë reformën në drejtësi, s’mund të humbasim dritaren e hapur të BE (VIDEO)

17 Mars, 08:58| Përditesimi: 17 Mars, 12:03

  • Share

TIRANË- Me qëllimin për t’u përgatitur për fushatë, e për ta bërë të qartë mesazhin me të cilin do të kërkojnë votën shqiptarëve për mandatin e katërt, Edi Rama mblodhi në selinë rozë 49 kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës.

Skuadrën që e cilësoi si përfaqësuesen më të mirë të të gjitha shtresave, grupmoshave dhe interesave, kryesocialisti Rama e ftoi në një betejë jo thjesht elektorale, por në ato që i quajti si zgjedhjet që ndajnë dy epoka.

"Treni i historisë ndalon shumë pak në një stacion, nuk rri aty pafundësisht sepse e tillë është mënyra se si zhvillohet historia dhe të tilla janë këto momente kur në varësi nga lidershipi, në varësi nga kapaciteti i klasës politike, i forcës udhëheqëse të një vendi, vendi e kap trenin ose e humbet. Ne nuk mund ta humbim këtë tren", tha Kryeministri. 

Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se me votën e diasporës, PS do të arrijë të kalojë kufirin e afro 800 mijë votave të mbledhura në 2021 dhe me vullnetin e diapsorës të arrijë në afro 1 milion.

"Ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve dhe shqiptarëve që me votën e diasporës mund të shkojmë afro 1 milionëshit. E pamundur të mos mendojmë dhe të mos përpiqemi që këtë forcë t’ua vëmë në dispozicion të gjithëve", tha Rama. 

Kjo duhet të jetë edhe retorika e kandidatëve për deputetë në terren, kur të kërkojnë vota për vete e për Partinë Socialiste.

"11 maji duhet të jetë vula e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për t’i thënë kësaj skuadre vazhdoni punën sepse asgjë nuk lëviz, drejtimi nuk lëviz. Çdo shqiptar duhet ta ndiejë dhe ta kuptojë që është pjesë e këtij procesi. Është vetvetiu pjesë e këtij procesi thjeshtë me votën e vet", tha Rama. 

Qytetarëve, Rama kërkoi jo thjesht t’i kërkohet vota, por t’u shpjegohet rëndësia e procesit të integrimit dhe përfitimet financiare që do të ketë Shqipëria.

"Të gjithëve u duhet thënë ama, në çdo takim, që BE-ja është një vlerë e shtuar financiare për Shqipërinë që ne në 10 vjet kemi marrë nga Bashkimi Europian si mbështetje pak më shumë se 1 miliardë euro, duke hyrë në BE çdo vit do të marrim më shumë se 1 miliardë euro", vijoi Kryeministri. 

Pa përmendur nuk la as 5 opozitarët e bashkuar rishtazi me PS-në, ndërsa përballë kishte Endrit Braimllarin, ish-sekretarin e përgjithshëm të Partisë së Lirisë, ulur krah kandidatëve të tjerë për Tiranën

"Ne kemi në të gjithë ekipin tonë edhe një përbërje domethënëse të atyre që kanë kapërcyer nga njëra anë tek tjetra…sepse unë besoj se PS është shumë më e gjerë sesa vetvetja", tha Rama. 

Batutat nuk i kurseu as me një tjetër ish-opozitar, sot kandidat për deputet në listën e PS.

"Kemi një ballist këtu, Halit Valterin që qëkur na njohu nuk na u nda më. Me këtë hudhër në fund për të mos marrë më sysh po e mbyll se hudhër më të mirë në një shtëpi politike sesa të kesh një ballist në fasadë, nuk ka", tha Rama. 

Takimet dhe prezantimet me kandidatët për deputetë, pas Tiranës kryeministri Rama do t’i vijojë edhe në 11 qarqet e tjera të vendit

Ora 09:48
'PS iu ka dhënë mundësinë të gjithëve', Rama-Valterit: Kemi një ballist që kur na njohu nuk na u nda më! Hudhër më të mirë nuk ka

Kryeministri Edi Rama, në mbyllje të fjalës së tij para kandidatëve për deputetë të qarkut të Tiranës, tha se PS iu ka dhënë mundësinë të gjithëve që t’i bashkohen. Ai përmendi Halit Valterin, për të cilin tha se nuk vinte pranë PS për inat, por kur e njohu, nuk iu nda më. 

“Nuk ka asnjëherë dot një skuadër perfekte. Besoj se është e qartë për të gjithë që PS, iu ka dhënë mundësinë, deri edhe ballistëve, që të shohin nga ne nëse nuk duan të vdesin në kënetë. Kemi një ballist këtu, Halit Valteri, që kur na njohu nuk na u nda më. Vinte afër nesh nga inati i atyre por pak nga pak kuptoi se nuk është çështje inati, por më tepër se kaq. Shansi i tyre i fundit për të dalë nga këneta sepse kur të hyjmë në BE, fjala Ball Kombëtar do të jetë thjesht një episod historik. Shko edhe thuaju të tuve hajdeni këtu se mbetët në kënetë. Hudhër më të mirë në një shtëpi politike sesa të kesh një ballist në fasadë nuk ka. “
 

Ora 09:39
“Me hyrjen në BE, Shqipëria bëhet sa Evropa”, Rama: Na duhet vetëm një vit e gjysmë për të vënë gjërat në vijë

 

Kryeministri Edi Rama theksoi se me hyrjen në BE Shqipëria do të bëhet sa Evropa dhe Evropa sa Shqipëria.

“Kudo ku një shqiptar me pasaportën e BE do të gjendet dhe do të ketë nevojë për ndihmë dhe nuk do të ketë pranë ambasadë të Shqipërisë, ambasada më e afërt e BE do të jetë në dispozicion. Me hyrjen tonë në BE, Shqipëria bëhet sa Evropa dhe Evropa sa Shqipëria. Siç shkojmë nga Shkodra në Korçë me të njëjtën lehtësi, do të shkojmë nga Portugalia në Poloni, nga Shqipëria në Suedi. Pra, ndryshon komplet perspektiva. Këto janë zgjedhjet e 11 Majit në thelb. Për këtë arsye duhet të bëjmë çmos që në këto zgjedhje të marrim rezultatin më të mirë të të gjithë kësaj historie fitoresh, duhet të marrim fitoren me notën 10 duke filluar nga Tirana, ku qielli duhet të jetë kufiri. Llogaritë aritmetike nuk vlen në këto zgjedhje, por vlen llogaria e shqiptarëve në të shkuarën me të ardhmen. Na duhen 1 vit e gjysmë, jo më shumë, për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë dhe për të përmbyllur gjithçka. Dhe më pas vetëm parlamentet e vendeve të tjera që do të jenë ngjarje historik më vete, ku çdo parlament do të votojë që të jetë anëtare e BE dhe do të çohet në këmbë të duartrokasë Shqipërinë.”, tha Rama.
 

Ora 09:38
‘Edhe këneta BE thotë gjithë ditën’, Rama: Vetëm PS integron Shqipërinë, negociatat janë një punë për të 'qëruar oriz'

 

Kryeministri Edi Rama u kërkon votën shqiptarëve më 11 maj, duke bërë të qartë që vetëm PS mund ta integrojë vendin në BE. Ironizon edhe opozitën, kur thotë se edhe këneta gjithë ditën thotë “BE, BE”, por PS është e vetmja që garanton vijueshmërinë e punës për integrimin.

“Edhe këneta, BE-BE-BE thotë gjithë ditën, gjithë bretkosat BE kanë në gojë. Pse duhet të shkojë vota tek PS? Ky është një moment në histori, një dritare e hapur, një tren që është para nesh në stacion dhe ka ndalur me një kohë të caktuar, është 2027. Na është pranuar dhe kemi dakordësuar që deri në fund të 2027 do mbyllim negociata. Nuk janë as komente në Facebook, as postime në TikTok, as analiza nëpër klubet e natës, as fjalime. Negociatat janë një punë për të qëruar oriz në çdo ligj, nen, çdo sektor dhe një punë për të provuar se çdo gjë që shkruhet bëhet. Asnjë lëkundje, asnjë ndalim i kësaj pune, asnjë çoroditje nuk duhet lejuar të ndodhë. 11 maji duhet të jetë vula e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ti thënë kësaj skuadre vazhdoni punën, sepse asgjë nuk lëviz. Drejtimi nuk lëviz, koha shfrytëzohet minutë për minutë dhe gjërat siç janë parashikuar bëhen afat për afat. Ky është një moment që çdo shqiptar duhet ta ndjejë dhe ta kuptojë se është pjesë e këtij procesi thjesht me votën e vet. Nuk i kërkohet të shkojë te dyqani të punojë për negociata, por me votën e vet të garantojë gjithë punën e negociatave”, tha Rama.

Ora 09:32
Rama ironizon opozitën: Kemi përballë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që kemi arritur 

Kryeministri Edi Rama, në takimin me kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës, ironizoi opozitën duke thënë se ka përballë forca të cilët kërkon votën për të përmbysur gjithçka që është arritur. 

“Përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani. Barazia para ligjit dhe ndërtimi i institucioneve që bëjnë dallimin midis vendeve nuk janë diçka që janë e garantuar nëse ne nuk jemi pjesë e BE. Prandaj kjo është themelore. Nga ana tjetër, po kaq konkrete është mundësia që çdo shqiptar të pajiset me pasaportën evropiane të Shqipërisë. Dëgjoja disa që thoshin nëpër komente që shi tani e la Evropën dhe tani do të na japë pasaportën. Pasaportën e BE buron nga hyrja në BE dhe ne duhet të bëhemi anëtarë që të bëhemi anëtarë. Marrja e pasaportës për çdo shqiptar është moment transformimi i jetës së tij. Pasaporta i jep më në fund atë që s’e ka pasur kurrë, dinjitetin e barabartë me këdo tjetër në diellin e përbashkët të Evropës. I jep statusin e barabartë dhe mundësinë që kurrë më të mos shihet qytetar/e e dorës së dytë. I jep të gjithë fëmijëve të studiojnë në vendet e BE si shtetas të BE dhe jo si studentë të huaj.”, tha Rama. 
 

Ora 09:27
5 opozitarë iu bashkuan PS, Rama: E kuptuan se është e kotë të kërkosh vota për ata që janë përballë nesh

 

Në takimin me kandidatët e PS për deputetë për qarkun e Tiranës, Rama foli edhe për 5 opozitarët që iu bashkuan PS.

“Me e rëndësishme është skuadra, ne kemi një skuadër që sot u jep të gjithëve me mundësinë të zgjedhin. Kemi një skuadër ku të gjitha moshat, të dyja gjinitë, por në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat kanë mundësi të gjejnë veten dhe të votojnë për veten, ashtu sikundër si asnjëherë më parë PS ka një skuadër ku edhe më të rinjtë janë të mirë përfaqësuar, por ndryshe nga herët e tjera ka edhe një karakteristikë të re, të shumë pritur për mua personalisht, që

Në skuadrën e 11 majit ne kemi në ekipin tonë edhe një përbërje domethënë nëse të atyre që kanë kapërcyer nga një anë në tjetrën. Janë me ne pasi kanë parë se sa palidhje, e kotë është të besosh se mund të vijë diçka e mirë për vendin duke dalë e kërkuar vota për ata që janë përballë nesh. Është i mirëpritur nga ne, pasi PS është shumë e me gjerë se perimetri i anëtarësisë së vetë. Ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve. Që me votën e diasporës mund të shkojë gati në 1 milion vota. Pavarësisht dallimeve që mund të kemi për pikëpamjet tona lidhur me një çështje apo një tjetër, në fund ne duhet të jemi të gatshëm që PS t’ia vëmë në dispozicion të gjithë atyre që duan të bashkohen.

Ora 09:26
Rama: Dera e BE s’do qëndrojë gjithmonë e hapur! S’mund ta humbim këtë tren

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria nuk mund ta humbë trenin për të hyrë në BE. 

"Asnjëherë si sot kjo nuk ka qenë diçka konkrete dhe aktuale, është hapur një dritare që nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë por që rrethanat e brendshme të Evropës e kanë hapur, dhe ato janë përputhur me rrethanat tona të brendshme, ku si rezultat i arritjeve dhe përpjekjeve, ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë moment. Ky është një nga ato momente ku treni i historisë kalon për para nesh dhe duhet të jemi të vetëdijshëm që treni i historisë ndalon shumë pak në një stacion. Nuk rri pafundësisht sepse e tillë është mënyra se si zhvillohet historia dhe në varësi nga lidershipi dhe kapaciteti i klasës politike, vendi e kap trenin ose e humbet. Ne nuk duhet ta humbim këtë tren.”, tha Rama. 
 
 

Ora 09:16
Spiropali ‘shigjeton’ PD: S’mund ta lëmë vendin në dorë të një partie që mbron vetëm një familje

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha gjatë fjalës së saj në takimin me kandidatët e PS për qarkun e Tiranës vlerësoi punën e deputetëve aktualë.

Duke u ndalur tek të rinjtë që janë bashkuar, Spiropali  se ndihet shpresëplotë, pasi e kanë kuptuar se PS është një mjet për transformimin e vendit. 

“Përbërja e kësaj skuadre, kombinim shumë i mirë i eksperiencës të të gjithë deputetëve të kësaj legjislature, ju e dini se cilët janë deputetët tanë që në këtë legjislaturë kanë bërë një punë fantastike, dhe kanë qenë aty gjithmonë për PS dhe qytetarët shqiptarë për t’iu përgjigjur jo vetëm thirrjes që kanë marrë me votë. Ju jeni në listën e PS as në të hapur dhe as në të mbyllur, sepse aty do të jetë eksperienca dhe kontributi që do të vlerësohet nga qytetarët.  Për të rinjtë jam shpresë plotë, që i janë bashkuar PS, dhe për ata që kanë kuptuar se PS është mjet për të transformuar Shqipërinë me Edi Ramën dhe PS.", tha ajo. 

Më tej ajo ironizoi PD, duke thënë se Shqipëria nuk mund të lihet në dorë të një partie që “siguron mbrojtje vetëm për një familje të vetme”. 

“Nuk ka nevojë për fjalë të tjera sepse ajo që ne kemi përballë është sfida jonë historike për t’i dhënë mandatin e 4 PS, dhe për ta çuar Shqipërinë aty ku e meriton. S’mund ta lëmë në dorë të atyre që edhe kur partinë e tyre e patën në dorë nuk e trajtuan as me dinjitetin që i takon një partie politike që ka kontribute, por iu sulën edhe njëri tjetrin me qysqi dhe armë të ftohta që duhet të ishte përfaqësimi i atyre që mendojnë ndryshe por është kthyer në një bunker të atyre që janë gjithmonë të njëjtët. E njëjta listë e 2013, PD do të sjellë të njëjtën listë që nuk mund t’i sjellë asnjë gjë Shqipërisë por vetëm siguron mbrojtjne për një familje të vetme në Shqipëri. “, tha ajo. 

Ora 09:04
Manastirliu në takimin me kandidatët e Tiranës: Me kombinimin e eksperiencës dhe të rinjve do arrijmë objektivat tona ambiciozë

 

Drejtuesja politike e qarkut të Tiranës për PS, Ogerta Manastirliu, në takimin me kandidatët për deputetë të këtij qarku, tha se kombinimi i eksperiencës së deputetëve dhe të të rinjve që i janë bashkuar skuadrës së PS, partia do të arrijë objektivat e saj ambiciozë. 

“Kemi diskutuar me profesionistë, akademikë dhe pedagogë të universiteteve tona për të marrë opinionet për kandidatët tanë dhe për të vjelë nga ata sugjerimet të vlefshme për përfaqësinë që do të drejtonte garën në qarkun e Tiranës. Qarku i Tiranës është zemra e Shqipërisë, e gjithë energjia e madhe e njerëzve të mrekullueshëm që meritojnë përfaqësuesit më dinjitozë, ku kombinimi i eksperiencë dhe të rinjve do të bëjë të arrijmë objektivat ambiciozë që i kemi vendosur vetes", tha Manastirliu. 

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, mendoni se Parlamenti i ri do të jetë më cilësor?