Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi edhe një takim elektoral në Memaliaj, e njohur bashkë me Tepelenën si dy nga bastionet e socialistëve në të gjitha zgjedhjet.
I shoqëruar edhe nga drejtuesja politike e qarkut, ministrja Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku që kandidon për deputet, Tërmet Peçi e kandidatët e tjerë, takimi u hap me një iso polifonike nga grupi tepelenas me titullin “Shqipëria Europiane”.
"Votoni 5-ën, me komunitetin socialist të Memaliajt, për Shqipërinë Europiane", shprehet Rama në reagimin e tij, pak para se të mbante fjalën.
Fjalën hapëse e mbajti ministrja Kumbaro, që vuri në dukje investimet e realizuara në qark dhe rëndësinë që kanë Memaliaj dhe Tepelena për qarkun e Gjirokastrës, edhe në kuadrin politik dhe elektoral, duke i cilësuar edhe si ‘portat hyrëse”.
Kumbaro bëri apel që të votohet masivisht për të votuar PS-në dhe Shqipërinë 2030 në BE.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, theksoi se më 11 maj është takim me historinë, një shans që vendi të shkojë drejt BE-së, apo të mbetet me "bufin e kënetës në gropë".
Ai u tha të pranishmëve se "këneta" ka vetëm hallin personal të Sali Berishës dhe familjes së tij dhe shqiptarët nuk duhet të ndiqnin hallin e një indicidi të vetëm, por interesin e një populli të tërë.
Fjala e Ramës në Memaliaj:
"Është një ogur shumë i mirë për atë që do realizojmë më 11 maj, ku më shumë se asnjëherë tjetër shqiptarë dhe shqiptare do bashkohen në rrugën tonë të përbashkët për Shqipërinë në familjen e Bashkimit Europian. Zgjedhja më 11 maj është shumë e qartë, interesit të hallit të një njeriu të vetëm dhe popullit, një zgjedhje për të gjithë shqiptarët anembanë, majtas e djathtas dhe interesit të një shtëpie të vetme, një zgjedhje për Shqipërinë në BE apo me bufin prapë në gropë.
Unë e di shumë mirë se në këtë zonë nuk ka nevojë për shumë fjalime, se gdhiheni e ngryseni me politikë, ashtu sikurse nuk ka nevojë për atë që vjen të kërkojë mbështetje, sepse sa ai hap gojën ia lexoni mendimet, sepse ju e njihni shumë mirë politikën dhe situatën, por dua të them se ktheni pak kokën pas e shikoni se ku ishte Tepelena, Memaliaj, qarku Gjirokastër para se ne të merrnim detyrën.
Jo, jo, jo, mos e përdorni këtë, është kopjo kjo, jo këtë është e atyre të tjerëve kjo. Lëreni këtë, janë mitingjet e kënetave ato, janë përdorur me kohë. Keni poetë këtu sa të doni, mos përdorni kopjo. Fajin e ka tërmeti që ju lejon
Ne respektojmë të drejtën e autorit, nuk e duam atë autor ne mes nesh. Tërmet urdhër, lëreni, mos e përdorni më, ça është kjo tani...!
Unë nuk jam heroi juaj, jam kali që tërheq karrocën, për të bërë historinë, me historinë e keni raportin, më 11 maj fati na ka ardhur neve, shqiptarëve të kësaj kohe, që të bëjmë histori së bashku dhe të përmbyllim një kalvar të gjatë.
Që nga koha e Skënderbeut që e parashtroi i pari për Europën dhe rilindasit për diellin që lind nga perëndon dhe fatin që na ka ardhur sot me historinë, me BE. Nuk është puna se kush bën më mirë rrugë dhe ujësjellësa, kush rrit pagat e kush bën sikur i rrit, sepse kjo dihet se kush i bën, i bëjmë vetëm ne, edhe ekonominë, edhe drejtësinë në këtë vend e sollëm si frymë e do e vulosim si ligj e zakon vetëm ne, kjo dihet. Kjo është përtej tyre, që e bën vendimin e 11 majit historik dhe popullor, është se më 11 maj me mbështetjen e shqiptarëve nga zgjedhjet del fuqi që është përtej partive, për të mbyllur negociatat më 2027 dhe për të bërë të mundur që Shqipëria të hyjë në BE dhe të marrë pasaportën europiane. Nuk është dokument udhëtimi por një status historie për një popull që është trajtuar deri më sot si i dorës së dytë.
Ajo pasaportë jep status të barabartë, jo më me pyetje ku do shkosh e sa do rrish, ajo na bën qytetarë të barabartë me europianët, jo për zakon se jemi këtu për zakon. Por ne ia ngritëm kokën Shqipërisë, ia kthyem respektin, e zhvilluam vendin, i përparuam këto zona këtu, kujt i shkonte mëndja se pas braktisjes do çeleshin investimet, ku Vjosa do kthehej park kombëtar.
Ne jemi në ngjitje dhe duhet të vazhdojmë në ngjitje".
Komente
