Kryeministri Edi Rama, në takimin me kryebashkiakët e vendit, tha se në reformën e re territoriale, do të shtojnë edhe një element tjetër, për zonat e mbrojtura. Ai tha se nuk mund të lejojnë që të gjitha kodrat e bregdetit shqiptar dhe ata të Tiranës të mbushen me resorte dhe vila.
“Kjo çështja e kërkesave për titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore, duhet të shihet ka ardhur të ndahet përfundimisht midis çfarë është kërkesë për pronësi për tokën bujqësore dhe kërkesë për pronë për ndërtim. Se historia nëpër shkëmbinj apo vende kur s’ka pasur kurrë bujqësi është një histori kap tokë që të bësh ndërtim. Nga ana tjetër, kemi filluar një punë me Agjencinë e Planifikimit dhe të Zhvillimit Urban dhe pjesë e reformës së territorit do të jetë edhe përfshirja e një elementi tjetër, që është arkitekti i peisazhit, mbrojtja e peisazheve, se nuk mundet dot që të gjitha kodrat e bregdetit shqiptar të mbushen me resorte, vila apo kodrat e Tiranës me pallate. Siç bëmë me Porto Palermon që e kthyen të tërë gjirin në një zonë të mbrojtur, do të ndërtojmë një skedë të re për të mbrojtur pjesë të peisazhit përgjatë bregdeti dhe rreth gjithë qyteteve. Të ndërtosh kulla në qytet është gjëja e duhur. Për të shfrytëzuar tokën me një intensitet të lartë në lartësi dhe për të mos u hapur si varresat e Tiranës që mund të përfundojnë deri në Durrës. Të ndërtosh me intensitet të lartë është më e mirë sesa të hapësh në të gjithë territorit.”, tha Rama.
Më tutje, Rama shtoi se qëllimi është që të ruhet turizmi duhet të jetë i harmonizuar mes natyrës dhe pjesëve të zhvilluara.
“Ka ardhur koha të vëmë një kufi, kush do të bëjë bujqësi do të bëjë bujqësi, kush do të bëjë sikur bën bujqësi dhe përfiton për të marrë pjesë që s’kanë qenë as të shkelura nga këmba e njerut dhe t’i mbushë me beton, nuk mund të funksionojë. Ajo që duhet të ofrojë Shqipëria është cilësia e lartë e turizmit dhe i harmonizuar mes natyrës dhe pjesëve të zhvilluara. Ndryshe çfarë kuptimi ka të bëhemi si Golemi të gjithë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama ‘ultimatum’: Brenda së hënës kryetarët e njësive administrative të shkarkuar! Qendër monitorimi për ndërtimet pa leje, Operator kombëtar për ujin e mbetjet
Xh.D/r.k./ReportTv.al