Politikë

Rama në Shkodër, prezantohet projekti i shkollës ‘Ismail Qemali’: E krijuar pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë, gur themeli i historisë së arsimit! Pagat e mësuesve do i bëjmë 1250 euro

25 Prill, 16:30| Përditesimi: 25 Prill, 17:05

  • Share

Shkodër- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po vijon turin e tij elektoral në Shkodër, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ai mori pjesë sot (25 prill) në prezantimin e projektit të rilindjes se plotë të shkollës “Ismail Qemali”.

Kreu i mazhorancës u shpreh në llogarinë e tij personale në Facebook se “ky institucion arsimor  do bëhet një institucion arsimor i hapur për komunitetin dhe krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim në kushte bashkëkohore dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve”.

Gjatë takimit u bë edhe prezantimi i projektit për ngritjen e këtij institucioni arsimor. Rama ishte i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku Benet Beci dhe përfaqësues të tjerë vendorë dhe qendrorë.

"Kjo shkollë është krijuar pak muaj pas shpalljes së pavarësisë. Pra kjo shkollë ka lindur nga njerëz patriotë, njerëz që i kanë dhënë Shkodrës para shumë qyteteve të tjera të Shqipërisë, një dritë dije, dashurie për kulturën, që për fat të keq ka ardhur duke u zbehur dhe tretur posaçërisht dekadat e fundit. Këtu është vendosur një gur themeltar i historisë së qytetit, dijes, kulturës, vendit, Shkodrës dhe qytetarisë", u shpreh Rama në fjalën e tij hyrëse.

Ai u shpreh se kjo shkollë do të ketë edhe laboratorin inteligjent të saj, sikurse shumë shkolla të tjera. Nga 300 shkolla me laboratorë inteligjentë do të bëhen 900 në vijim.

“Shkodra dhe kjo shkollë e meritonte këtë projekt të veçantë, që do i shërbejë arsimimit. Ne kemi edhe 450 shkolla të tjera të ndërtuara, me cilësi dhe ndër më të mirat në Europë, por kjo do jetë më e bukura. Do ketë pajisje të shkollave me laboratorë inteligjentë dhe që nga 300 që janë aktualisht të shkojnë në 900 dhe do shohim laborator inteligjent së shpejti edhe në këtë shkollë. Por edhe në shkolla të tjera po punohet për transformim tërësor, me ambiente sportive dhe më gjerë. Janë edhe investime të qeverisë shqiptare”, tha kryeministri.

Por kryesocialisti vuri theksin edhe tek trajtimi i mësuesve, duke premtuar edhe rritjen e pagave.

“Përtej mureve që ndërtojmë, pajisjeve dhe ambienteve, shkolla fillon nga mësuesit. Mirëqenia e tyre është domosdoshmëri për të pasur shkollë të suksesshme. Kemi garantuar aspektin e sigurisë së vendit të punës së tyre, hyrja e mësuesve të jetë me meritokraci dhe me transparencë, kemi rritur ndjeshëm pagat e mësuesve, aktualisht është 950 euro dhe jam i vetëdijshëm se duhet më shumë dhe duhet të jetë më shumë, shpresojmë dhe besojmë se do shkojë së shpejti në 1250 euro dhe këtë mund ta arrijmë me rritjen ekonomike të qëndrueshme që ka vendi”, përfundoi ai fjalën e tij.

I shoqëruar edhe nga kryebashkiaku beci dhe drejtuesit e projektit, kryeministri inspektoi ambientet e jashtme dhe të brendshme, duke u njohur me punimet që do bëhen dhe hapësirat që krijohen, deri te palestra.

Ora 17:00
Shkodër/ Ezani i ndërpret fjalën kryesocialistit te shkolla 'Ismail Qemali', Rama: Ta respektojmë...! (VIDEO)

 

Teksa mbante fjalën e tij në takimin e zhvilluar me rastin e prezantimit të projektit të ri për rilindjen e shkollës “Ismail Qemali” në Shkodër, kryesocialisti Edi Rama është ndërprerë përsëri nga ezani që këndohej nga hoxha (imami) i xhamisë së qytetit.

Në moment, kreu i mazhorancës ndërpreu fjalën e tij dhe u shpreh:

“Ta respektojmë këngën e imamëve...!”

Të pranishmit gjithashtu respektuan ezanin në heshtje deri në mbarimin e tij pas tre minutash.

Ky nuk ëshë rasti i parë që ezani në xhami ndërpret fjalimin e kryeministrit gjatë turit elektoral për zgjedhjet e 11 majit, pasi vetëm dy ditë më parë episodi ndodhi edhe në Berat, gjatë takimit me gratë dhe vajzat e qarkut.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?