Është nënshkruar sot marrëveshja për ndërtimin e Pikës së parë të daljes së gazit në Fier, nga tubacioni i gazsjellësit TAP. Ky investim që do të kryhet nga TAP do të çojë përpara gazifikimin e vendit.
“Do të jetë një stacion i cili do të mundësojë të gjithë gazifikimin e Shqipërisë jugore duke filluar me tubacionin Fier-Vlorë, që do të shërbej jo vetëm për të furnizuar të gjithë pjesën jugore por do të jetë një nyje për të shkëmbyer gaz në të gjithë rajonin shqiptar”, u shpreh administratori i Albgaz Arbër Avrami.
Ky investim miliona eurosh do të ndihmojë për të vënë në punë edhe TEC-in e Vlorës.
“Këtë tubacion duam ta lidhim edhe me Exxon Mobile dhe Exelerate Energy, për të mundësuar jo vetëm marrjen e gazit nga TAP por edhe për të ofruar edhe mundësinë e injektimit të gazit në TAP nga Shqipëria që do të jetë nga gjiri i Vlorës”, tha Avrami.
“Sasitë e gazit të lëngshëm që do të vijnë nga Exxon Mobile, ato që janë në tepricë të injektohen në tubacionin e TAP duke ulur çmimin e energjisë për megavat në TEC-in e Vlorës”, u shpreh Balluku.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes kryeministri Rama ka deklaruar se ky është një investim i ri strategjik që do ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“TAP-i nuk është thjesht një rrugë kalimi e gazit për në anën tjetër të Adriatikut, por është një burim i sigurt i një zhvillimi ekonomik e social transformues për vendin në dekadën ku sapo kemi hyrë”, u shpreh Rama.
Ndërsa për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ky është një hap kilometrik për sektorin energjetik në vend, që do të mundësojë përmbushjen e objektivit të qeverisë për të arritur gazifikimin e vendit në mandatin e tretë.
“Gazsjellësi TAP do të jetë një gur kilometrik dhe një faqe historike për sektorin energjetik shqiptar. Është e pamundur për një vend evropian si Shqipëria që të gjitha burimet industriale, të gjitha fuqitë të jenë të bazuar në energjia elektrike, kështu që gazifikimi i vendit është objektiv i qeverisë edhe në mandatin e tretë”, tha ministrja Balluku.