Programi i bursave/ Rama-studentëve: Paga minimale shkon 40 mijë lekë brenda disa javësh, do e marrin edhe ekselentët e kush zgjedh degët prioritare

9 Shkurt 2023, 16:18| Përditesimi: 9 Shkurt 2023, 17:49

  • Share

Qeveria ka përshpejtuar planin për rritjen e pagës minimale. Ndonëse ishte parashikuar që paga minimale të shkonte në 40 mijë lekë në vitin 2024, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se kjo shifër do të realizohet brenda pak javësh me synimin që brenda 2 viteve të arrijë në 45 mijë lekë. Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve. 

Në takimin me 160 studentët përfitues të programit të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, kreu i qeverisë tha se kjo rritje do të aplikohet brenda pak javësh. 

Përveç punonjësve të sektorit publik e privat, kjo mbështetje do të reflektohet edhe tek pagesa mujore që do të marrin studentët përfitues që kanë arritur rezultate maksimale në shkollë apo në olimpiada ndërkombëtare dhe ata që kanë zgjedhur një nga programet e shpallura prioritet kombëtar (që lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesi, shkenca natyrore, matematikë, statistikë, inxhinieri, bujqësi, veterinari, shërbime, etj.)

Ashtu siç ka njoftuar edhe më parë kryeministri Edi Rama, këta studentë, në momentin që futen në sistemin e financimit do u ndalohet marrja e diplomës për tre vite pasi janë të detyruar të shërbejnë në Shqipëri.

Dua t’ju them një sekret se jemi këtu midis nesh dhe mbase është gjëja e duhur për të ndarë me ju përpara fjalëve të tjera të rastit që paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë. Kur them shumë shpejt domethënë çështje disa javësh dhe do të aplikohet për të gjithë brenda shumë pak muajsh. Nuk duam të kemi pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë edhe atë privat.

Nëse bëmë një përpjekje për të mbështetur 1 milionë shqiptarë nga pensionistët deri te grupet në nevojë, mbeti pa u adresuar pjesa e atyre që kontribuojnë në sektorin privat dhe besojmë që kjo rritje është e duhura dhe jo vetëm kaq por besojmë po ashtu që duke kontribuar edhe ne, qeveria me një mekanizëm që jemi duke përfunduar, paga minimale do të rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, tha Rama.

Rama artikuloi edhe krjimin e një piramide pagash të konkurrueshme për ekspertët e teknologjisë që do të punojnë në shtet. Kreu i qeverisë u shpreh se do të ofrojnë punësimin e të rinjve në sektorin publik si inxhiner të teknologjisë së lartë ndërsa synimi do të jetë që pagat e tyre të jenë pranë shifrës që ofrohet në sektorin privat. 

Fenomeni i braktisjes së vendit nga të rinjtë, ishte një tjetër moment i diskutimit kur një studente ekselente tregoi rikthimin në Shqipëri, pasi 3 vite më parë ishte larguar drejt Greqisë. Blerta Mema nga Përrenjasi u shpreh se kishte zgjedhur të kthehej në Shqipëri pasi emigrimi "të vidhte ëndrrat" dhe dha mesazh për të gjithë të rinjtë që të punojnë fort e të kontribuojnë në vendin e tyre, jo të marrin rrugët e Evropës për një jetë më të mirë që mbase nuk do arrijnë ta gjejnë dot.

Kujtojmë se pagën minimale, studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin degët prioritare do ta përfitojnë për tre vitet e bachelorit dhe 2 vitet e masterit. Por për të marrë paratë çdo muaj, ata duhet që të ruajnë rezultatet dhe të punojnë në administratë 3 vite pas përfundimit të universitetit. Në të kundërt, do detyrohen që të gjitha paratë e përfituara t’i kthejnë mbrapsht.

Ora 17:18
Rama në takimin me studentët: Do i ofrojmë të rinjve të hyjnë në sektorin publik si inxhinier të teknologjisë së lartë! Pagat po aq të mira sa në sektorin privat

 

Në takimin me studentët ekselentë, kreu i qeverisë Edi Rama tha se po punojnë që të rinjtë që bëhen pjesë e sektorit publik si inxhinierë të marrin paga po aq të mira sa në sektorin privat.

“Po punojmë me një studim të rëndësishme, që po e përfundojmë për të krijuar një piramidë alternative të pagave, për sa i përket aftësive profesionale dhe teknike, të posaçme. Duke filluar që nga teknologjia. Nuk mundemi që të jemi një vend që mund ti realizoje ato ambicie që kemi për Shqipërinë e 2030. Mund të gjendet në një sulm kibernetik dhe shteti mos të jetë konkurrenti më i fortë në treg për burimet njerëzore.

Ne do ja ofrojmë të rinjve tanë, mundësinë që të hyjnë edhe në sektorin publik dhe të shërbejnë si inxhinier të teknologjisë së lartë, me paga po aq të mira sa edhe në sektorin privat. Procesi në BE, është teknikisht të ulesh të shkruash letra të cilat bëjnë dy herë rrugën tokë hënë e hënë tokë, realisht. Duhet të përputhim mbi 4 mijë ligje me gjithë strukturën e BE. Këto kanë nevojë për njerëz të ditur dhe që zotërojnë aftësi. Shqipëria po hyn në një fazë tjetër në aspektin e pagave, po hyn edhe në sektorin privat. Ka një lëvizje të rëndësishme që do të vazhdojë. Për të mbajtur burimet njerëzore këtu duhet të jetë konkurrues në aspektin e pagave”, tha Rama.

Ora 17:07
Studentja nga Përrenjasi flet para Ramës: Më thatë 'puno fort se do t'ia dalësh'! Zgjodha rrugën e emigrimit, u ktheva se atje 'vidhen ëndrrat'

“Mos u bëni emigrant”, ishte thirrja e një studenteje nga Përrenjasi që foli gjatë takimit për programin e ri të bursave të studimit. Blerta Mema rrëfeu historinë e saj dhe zgjedhjes për të emigruar. Studentja u shpreh se zgjodhi të kthehej pasi atje “rrëmbehen ëndrrat.”

“Unë jam Blerta Mema, vij nga një fshat në bashkinë e Përrenjasit. Në vitin 2019 isha studente në vitin e parë në gazetari në një takim që ju zhvilluat (i drejtohet Ramës) më thatë "Puno fort se do t'ia dalësh". Unë atëherë nuk ia dola. E gjendur mes shumë vështirësive zgjodha rrugën e emigrimit, emigrova në Greqi, në vitin 2020. Por emigrimi të merrte ëndrrat, të merrte pasionin. Kur isha fëmijë e dija se të jesh emigrant është një profesion, e dija se babi shkon në një vend të bukur ku merr para. Kur unë u bëra emigrante vendosa të kthehem. Qeshorin e 2020 u ktheva. Zgjodha një nga programet prioritare të studimit në Vlorë. Sot jam këtu dhe dua t’ju jap një mesazh të gjithë atyre të rinjve që e kanë gati një çantë për të ikur, mos u bëni emigrant. Këtë doja t’ju thoja, qëndroni këtu”, tha Blerta Mema.

Ora 16:40
Rama: Diplomat që jep ‘Bujqësori’ do jenë më të vlefshme në tregun ndërkombëtar! Agronomët, aq të nevojshëm sa mjekët

Në takimin me studentët, kryeministri Edi Rama përsëriti se ekselentët dhe ata që zgjedhin degët prioritare do të duhet të qëndrojnë për 3 vite në vendin tonë pasi Shqipëria nuk mund të financojë shërbimin shëndetësor të shteteve të pasura.

Duke iu referuar atyre që studiojnë në Universitetin Bujqësor, Rama u shpreh se agronomët në të ardhmen do të jenë aq të vlefshëm sa mjekët pasi po shfaqen çdo ditë e më shumë problematika me ushqimin dhe burimet ujore.

“Nuk i gjykoj ata të cilët pasi bëjnë një shkollë i kanë te dera kompanitë e mëdha ndërkombëtare që i kërkojnë të bëhen pjesë e tyre, s’mund të vijojmë të përsërisim një gjë e të presim rezultat tjetër. Fatkeqësisht edhe pse kemi financuar studentët, kemi financuar ekonomitë e mëdha, shtetet e pasura. Shqipëria s’mund të financojë shërbimin shëndetësor gjerman, s’ka kuptim. Për këtë arsye, ministrja pasi ngriti një skuadër për këtë program, shtroi idenë që të ndryshojë drejtim. Jo më për ekselentët që shkojnë jashtë por për ata që studiojnë këtu.

Ndërkohë që të gjitha diplomat që jep Universiteti Bujqësor sot do të jenë gjithmonë e më të vlefshme në tregun ndërkombëtar se agronomët do të jenë po kaq të vlefshëm sa janë sot mjekët. Ju e shihni çfarë problematikash të mëdha po has sot e gjithë bota me temën e ushqimit, mjedisit, burimet ujore e kështu me radhë. Kështu ne kemi hyrë në këtë program të cilin do ta fuqizojmë vit pas viti duke nisur të reduktojmë mbështetjen e përgjithshme për të gjithë njësoj dhe duke prioritizuar për ekselentët dhe për ata që shkojnë në degët prioritare.

Nuk ka zgjedhje bardh e zi. Ka gjëra të cilat nuk i ofron dot Shqipëria dhe mund t’i gjesh patjetër në Gjermani. Ka edhe gjëra që nuk i gjen dot në Gjermani por i gjen në Shqipëri duke nisur nga shtëpia e prindërve dhe kostot e ulëta. Rritja e pagave sot që flasim, në sektorin privat do të vijojë të thellohet. Do të rrisim pagat edhe për sektorin publik”, tha Rama.

Ora 16:32
Largimi i mjekëve drejt Gjermanisë, Rama: 3 vite pas studimeve e kanë obligim të qëndrojnë në Shqipëri

 

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me studentët ekselentë, duke u ndalur tek fenomeni i largimit të mjekëve përsëriti sërish faktin se ato që mbarojnë fakultetin e Mjekësisë në Shqipëri, e kanë të paktën detyrim që të qëndrojnë 3 vite pas studimeve në vendin tonë dhe të kontribuojnë për vendin.

‘Vendi ynë ka nevojë për shërbime dhe shërbimet kanë nevojë për njerëz të kualifikuar. Gjithnjë e më shumë bluza atë bardha po spostohen drejt Gjermanisë. Ne nuk mund të pajtohemi me idenë se mund të mbetemi pa mjekë pa infermierë. Deri sot balanca është e qëndrueshme edhe pse nuk është një balancë e sigurtë për të nesërmen. Nuk është fakt para të cilit ne mund të dorëzohemi. Është një fakt para të cilit ne duhet të reagojmë, pasi shqiptarët nuk mund të paguajmë 15 nga 16 pjesë të studimeve të një studenti mjekësie. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtën që të kërkojnë që përkundër parave që shpenzon shteti për të formuar këto mjekë, të kenë mjekë. Të paktën 3 vjet duhet të qëndrojnë në Shqipëri, kështu duhet të jetë. Më pas do të marrin një shërbim arsimor të lartë me kontribut masiv nga shteti shqiptar. Kjo është një politikë e re, që vjen si rezultat i një politike tjetër, i ashtuquajtur fondi ekselencës për të mbështetur studentë shqiptarë. Ky instrument që u ofrohej studentëve të ciklit të parë ose të dytë që studionin në një numër të kufizuar universitetesh nuk e solli pas investimin. Përkundrazi kjo së bashku edhe me qasjen tjetër ndaj studentëve të doktoraturës, solli të kundërtën. Paguan taksapaguesit dhe këta studentë nuk u kthyen më në Shqipëri.' - u shpreh Rama.

Ora 16:14
Studentët ekselentë me ‘pagë minimale’, Kushi: Kanë përfituar 160 studentë nga universitete të ndryshme publike

 

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka bërë me dije se 160 studentë kanë përfituar nga programi i qeverisë për bursa studimi sa një pagë minimale e përmuajshme.

“Për herë të parë këtë vit kemi ofruar mbëhstetje studentore për të gjithë ata studentë, jo vetëm më të shkëlqyerit por edhe ata që kanë zgjedhur të studiojnë në programe prioritare për zhvillimin e vendit. Ne kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa sa pagat minimale me kushtin që sapo të diplomohen, të paktën për 3 vite të punojnë e të japin kontribut për vendin tonë.

Sot kemi përfituesit e parë të kësaj politike, 160 studentë nga i gjithë vendi nga universitete të ndryshme publike. Shumica studiojnë në programe prioritare, 89 studentë dhe 71 studentë ekselentë që janë diplomuar në shkollën e mesme dhe provimet e maturës të gjitha 10”, tha Kushi.

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?