Nga takimi me kryebashkiakët në Durrës, Kryeministri Edi Rama u ndal sërish tek rasti i Thethit dhe prokurorja Elsa Gjeli, për të cilën thotë se nuk nisi hetim për ‘fshatin turistik me 10 kabina. Përgjigja e Ramës vjen teksa prokurorja Gjeli i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku shpreh shqetësimin për situatën e krijuar dhe kërkon një reagim institucional.
Rama tha se Prokurorja jo vetëm që nuk nisi hetim, edhe pse iu referuan materialet nga Policia e Shtetit, por hartoi edhe një ese filozofike për pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërkohë, s ai takon rastit të Thethit, kreu i qeverisë tha se në periudhën para dhe gjatë zgjedhjeve pati një bum ndërtimesh pa leje.
"Është bërë një pikë qendrore e diskutimeve për shkak se ka marrë vëmendjen e ditës ajo që ka ndodhur në Theth, ku gjatë periudhës së zgjedhjeve, ose në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve, ka pasur një boom ndërtimesh pa leje si rezultat edhe i përgatitjes së sezonit të ri turistik. Jo një, por rreth 40 denoncime janë vërë nga Policia e Shtetit për këto ndërtime, në një aspekt policia e Shtetit ka funksionuar, ka denoncuar ndërtimet pa leje në prokurori, dhe siç është bërë e ditur në një rast të një flagrance spektakolare ku nuk është ndërtuar një ngrehinë, por një fshat i tërë turistik, në mes të Thethit, një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë, dhe ka bërë një ese filozofike me pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërtimi pa leje është vepër penale. Në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër penale edhe më e rëndë. IKMT ka nisur të veprojë, duhet thënë qoftë në Theth, qoftë në Vlorë, apo territore të tjera, dobësia e madhe e IKMT, Tirana psh është një qytet ku ka një volum të madh të problematikave të zaptimit përtej kufijve normale të bërjes biznes dhe qoftë policitë bashkiake janë struktura problematike", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama ‘ultimatum’: Brenda së hënës kryetarët e njësive administrative të shkarkuar! Qendër monitorimi për ndërtimet pa leje, Operator kombëtar për ujin e mbetjet
SI.E./ReportTv.al
