Edi Rama në Theth

Rama në Theth: Destinacion evropian! ‘Paketa e Maleve’ mbështetje e re për vendasit që duan të investojnë në tokën e të parëve

30 Prill, 18:08| Përditesimi: 30 Prill, 22:13

  • Share

Gjatë një vizitë në veri të vendit, konkretisht në Theth, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje emigrantëve apo banorëve të larguar nga këto zona që të rikthehen për të investuar. Mbështetja e qeverisë, Rama tha se nuk do të mungojë.

Një paketë të re mbështetje për investimet në Theth premtoi Kryeministri Rama, i cili ka udhëtuar këtë të martë drejt kësaj perle të turizmit malor në Shqipëri, për një bashkëbisedim me banorë dhe investitorë.

‘Po ngjitemi drejt Thethit ku do diskutojmë atje me ata të cilët kanë hapur dyert edhe e kanë kthyer Thethin në një destinacion evropian turistik, për programin e ri, paketën e re të mbështetjes për investimet në këto male.’- tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “më 30 qershor, shtëpitë e stërgjyshërve, ato që janë ndërtuar më pas dhe janë në procese për t’u legalizuar do të kthehen në certifikata pronësie dhe ndërkohë do të jetë gati dhe “Paketa e Maleve”.

‘Paketa e Maleve’ do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha kryeministri në bisedën me ta.

I bindur se rikthimi në vendlindjet e tyre për investim do t’u sigurojë fitime dhe do t’i japë zhvillim zonës, kreu i qeverisë bëri thirrje banorëve të larguar nga këto zona t’i kthejnë sytë nga turizmi e agroturizmi.

I shoqëruar nga ministrja Spiropali dhe kryebashkiaku i Shkodrës, kreu i qeverisë i paralajmëroi edhe një projekt ambicioz siç e quajti për Shkodrën, por që për momentin preferoi të mbante sekret.

‘Jo vetëm kaq, po kemi edhe një plan shumë ambicioz por do ta mbajmë për një moment sekret dhe surprizë për shkodranët, për Shkodrën loce që tani në krahët e Rilindjes do të fluturohet lart e më lart dhe do kthehet në atë lartësi që e kanë dashur dhe i kanë kënduar poetët e vet të jashtëzakonshëm.’- tha Rama.

Kryeministri Rama u ndal të inspektonte edhe punimet në rrugën e Dukagjinit, një aks i rëndësishëm për kompletimin e rrjetit rrugor në Alpe në funksion të zhvillimit të turizmit.

 

Ora 21:50
‘Paketa e Maleve’, Rama: Mbështetje e re për investitorët vendas që duan të investojnë në tokën e të parëve

Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet, tashmë i përforcuar me një paketë të re të mbështetjes për investimet në këto zona, e cila do t’i hapë rrugë një zhvillimi intensiv, përmes inkurajimit dhe mbështetjes së investitorëve vendas, që kursimet e punës në emigracion, duan t’i investojnë në tokat e të parëve të tyre.

Kryeministri Edi Rama u takua sot në Theth me drejtues bujtinash dhe agroturizmash nga ku njoftoi edhe zhvillimin më të ri. 

“Kur them që Zoti e bëri Shqipërinë për telha ditën e dielë kur ishte pushim, kush nuk e beson duhet të vijë këtu në Theth të shohë se ku e ka vendosur pikën e parë kur e ka filluar pikturën nga maja deri poshtë, magji! Ja ku jam këtu sot me pararojën e Shqipërisë 2030, këtu në Theth. Tani jemi këtu me një duar shtrëngim solemn, që në 30 qershor këtu të gjithë do të kenë në dorë titullin e pronës së shumëpritur që pasi i trashëguan nga stërgjyshërit, akoma nuk e kanë dot për arsye që janë të arsyeshme, por që prapë nuk duan t’i dëgjojnë më.

Më 30 qershor, shtëpitë e stërgjyshërve, ato që janë ndërtuar më pas dhe janë në procese për t’u legalizuar do të kthehen në certifikata pronësie dhe ndërkohë do të jetë gati dhe Paketa e Maleve.

Paketa e Maleve do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme.“ – u shpreh kryeministri në bisedën me ta.

Ndërkohë që më herët, kryeministri shpjegoi lidhur me paketën e re: “Paketa e re e mbështetjes për investimet në këto male, do t’i hapë rrugë të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe që kanë punuar pa pushim dhe që kanë kursyer e kursejnë që kursimet e tyre t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa patur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa patur as nevojë të kalojnë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë të shpërndarë lart e poshtë, me një mbështetje të fuqishme, qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë  e të parëve për të ndërtuar agroturizmat, për të fituar shumë më tepër se ç’fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë dhe njëkohësisht për t’i dhënë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë falë miliona e miliona turistëve që po mësyjnë në Shqipëri edhe më shumë këtë vit se 10 milionët e vitit të shkuar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit e mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë.”

Ora 16:46
Rama në Theth: Gjobat për ndërtim pa leje në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha! Spiropali e Beci provojnë Zipline

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci si dhe nga ministrja Elisa Spiropali, ishin në parkun kombëtar të Thethit, ku eksploruan edhe Zip Line nga ku vëzhgon edhe Luginën e Thethit.

Teksa bashkëbisedoi me banorët e zonës, një prej tyre i shprehu problemin e gjobave për ndërtimet pa leje.

Banori: Problem kemi disa gjoba marramendëse për ndërtimet pa leje.

‘Gjobat për ndërtim pa leje, në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha. Ju keni ndërtuar pa leje sepse nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që u takon, deri nga qershori do ta kemi gati këtë paketë. Me ligjin që kemi bërë duhet të bëhet procedura e firmave të gjithë të bien dakord, të merret ajo certifikata.’- tha Rama.

Kreu i qeverisë u bëri sërish thirrje emigrantëve që të rikthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.

‘Me investu kursimet e atjeshme këtu tek ajo shtëpia dhe me hap derën me prit miq, fundi i muajit dhe vitit del shumë më mirë se me punu për të tjerët atje. Ajo që sot nuk diskutohet është e rruga është hapur. S’ka nevojë të shkoni ju më në Italie  Gjermani se vijën gjermanët e italianët këtu dhe u paguajnë të gjitha shërbimet që u bëni.’- tha Rama.

Ministrja Spiropali dhe kryebashkiku Beci vendosën që të provonin eksperiencën e Zip Line për të parë nga ajri hartën e atraksioneve të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.

Ora 15:36
Shkodër/ Rama inspekton punimet në rrugën e Dukagjinit: Modernizmi i infrastrukturës, në funksion të zhvillimit të turizmit malor

 

Modernizimi i infrastrukturës në zonat turistike malore, është pjesë e rëndësishme e transformimit rrënjësor të tyre, në funksion të zhvillimit të turizmit, duke mundësuar rigjallërimin social dhe ekonomik të gjithë fshatrave përreth, duke i bërë ato më të aksesueshme nga vizitorët e shumtë, por edhe lehtësisht të komunikueshme për komunitetet që jetojnë pranë tyre.

Rruga e Dukagjinit, ku përfshihen disa fshatra, mes tyre Kir, Nicaj-Shosh, Pepaj, Lotaj, Ndërlysaj, etj, është një nga rrugët ku ndërhyrjet në infrastrukturë kanë qenë të domosdoshme për lehtësimin e përditshmërisë së banorëve vendas dhe jo vetëm.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot zonën e Dukagjinit në Shkodër, ku i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, inspektoi punimet në kantierin e hapur të rrugës së Dukagjinit, një aks është shumë i rëndësishëm për kompletimin e rrjetit rrugor të Alpeve. 

“Është një segment i aksit të rrugës së Dukagjinit, loti i dytë për këtë segment që kemi filluar, prej 30 km. Punimet konsistojnë në zgjerimin e trupit të rrugës, ndërtimit të veprave të artit dhe ndërtimit të një shtrese çakulli. Me lotin e pare prej 17 km kemi filluar punimet dhe jemi drejt përfundimit. Këtu jemi në ditët e para të mobilizimit të punimeve të kantierit. Parashikojmë që brenda vitit ky aks të përfundojë!” - shpjegoi inxhinieri i punimeve, i cili tha  se rruga është pjesë e projektit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për Rrugët e Bardha.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë deri më tani, teksa diskutoi me ekspertët mbi detaje të projektit “Rrugët e bardha janë rrugë turistike në të gjithë botën, nuk është domosdoshmëri t’i hedhësh asfalt patjetër, por në proces patjetër që duhet të mirëmbahen dhe pastaj patjetër që edhe asfaltin do t’ia hedhim nuk diskutohet. Austria, Zvicra, Spanja, mos të shkojmë më lart këto që përmenda janë edhe me borë  dhe ngrica kanë zona që i mbajnë vetë kështu, po kuptohet do atë mirëmbajtjen që të jetë gjithmonë në rregull. Megjithatë ne si fillim do ta bëjmë rrugë të bardhë, se nuk na le Beneti pa e bërë, pastaj do kalojmë edhe me asfalt kuptohet.” – u shpreh ai.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • joni: 01/05/2024 10:28

    DUHET TE KUPTONI ORE DERRA QE NUK MUND TE NDERTOHET PA LEJEN E BASHKISE PERKATESE,,SEPSE MUND TE TEKET TE BESH PALLAT ATY,, POR NE ATE ZONE DUHEN NDERTOME TE ULETA 1-2 KATESHE ME DERRASA MUNDESISHT. ....

    Përgjigju
  • Kësulkuqja: 01/05/2024 10:23

    Takim me burrat, se gratë s'dun me jetu aty.

    Përgjigju
  • Dom Sudja: 01/05/2024 09:25

    Hidhi euro këtu thot i pangopuri me shpurrën që i rri pas. Kthehu se kot ike atje, thotë zyrtari i hipotekës. Kursimet tuaja të pastra jashtë shtetit sillni bashkojini me lekët e korrupsionit tonë thotë një ministre. Kthehuni se ngelemi pa rryshfet thotë një tjetër.

    Përgjigju
  • Po mër po: 01/05/2024 04:52

    Toka është e tyre, të parët s'janë më, e shteti yt nuk ju jep certifikata pronësie.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?