Politikë

Mbledhja e dy qeverive, Rama nënshkruan marrëveshjet me Markoviç

3 Korrik 2018, 12:09| Përditesimi: 3 Korrik 2018, 13:23

  • Share

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë firmosur disa marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi. Qeveritë e dy vendeve zhvilluan një mbledhje të përbashkët të zhvilluar sot në Shkodër. Një prej marrëveshjeve të rëndësishme është ajo për Policimin Ajror dhe Emergjencat Civile, e nënshkruar nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe homologu i saj malazez, Predrag Boskoviç. 

Hapja e dy pikave të reja kalimtare mes dy vendeve si dhe vënia në funksionim e një tjetër pike, ishin gjithashtu një tjetër marrëveshje e firmosur nga kryeministrat Edi Rama dhe Dushko Markoviç. 

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u shpreh se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet më kontributore për sigurinë rajonale. 

Si anëtarë të NATO-s kontribuojmë në mënyrën më të mirë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Shqipëria dhe Mali i Zi kontribuues faktik në rritjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe NATO. Marrëveshjet, hap i rëndësishëm në rrugëtimin tonë rajonal dhe atë euro-atlanik. Shqipëria dhe Mali i Zi, bashkëpunim të shkëlqyer në emergjencat civile dhe patrullimin ajror. Vullnet të përbashkët për të bashkërenduar përpjekjet për rritjen e sigurisë së qytetarëve tanë.

Ndajmë të njëjtat rreziqe dhe përballemi me të njëjtat sfida me Malin e Zi. Pranë njeri-tjetrit për t’i ofruar ndihmë për të përballuar me sukses këto kërcënime të përbashkëta. Vendet tona kanë detyrime ndaj Aleancës. Këto marrëveshje materializojnë pikërisht përmbushjen e këtyre detyrimeve. I hapim rrugën bashkëpunimit për rritjen e sigurisë në rajon dhe zonën Euro-Atlantike. 

Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes

Pikë e re kufitare mes Shqipërisë e Malit të Zi në Zogaj, Shkodër
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Shkodër, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe homologu i Malit të Zi, Mevludin Nuhodzic, firmosën marrëveshjen për hapjen e një pike të re kufitare në Zogaj, Shkodër. 

Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj (Shqipëri) - Skje (Mali i Zi) do të jetë funksionale për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve. 

Pika kufitare është dakordësuar mbi mundësitë për fuqizimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit fitimprurës të dyanshëm dhe afatgjatë, duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e këtij bashkëpunimi përmes lehtësimit të qarkullimit në kufirin e përbashkët shtetëror.

Pika e Përbashkët e Kalimit Kufitar do të ndërtohet në territorin e Malit të Zi, në vendin e emërtuar Skje, në rrugën Ostros–Shirokë-Shkodër. Kalimi i përbashkët do të jetë me një ndalesë, duke thjeshtuar procedurat kufitare.

Marrëveshje për Manaxhimin e Burimeve Ujore Ndërkufitare
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një marrëveshje edhe për Manaxhimin e Burimeve Ujore Ndërkufitare. Zv/kryeministrja Senida Mesi tha se marrëveshja adreson sfidat e përbashkëta në manaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare. 

Përforcojmë & zhvillojmë më tej bashkëpunimin e drejtëpërdrejtë mes Shqipërisë & Malit të Zi. Rrisim rolin tonë konstruktiv në zhvillimin e rajonit & marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Me homolgun malazez Milutin Simović nënshkruajmë sot në emër të dy qeverive Marrëveshjen për Marrëdhëniet e Ndërsjellta në Manaxhimin e Burimeve Ujore Ndërkufitare

Marrëveshja adreson sfidat e përbashkëta në manaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare. Bazohet në një qasje të integruar & qendron besnik instrumentave ndërkombëtarë & direktivës kuadër të ujit të BE. 

Senida Mesi, zv/kryeministre

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, a mund të integrohet Shqipëria në BE brenda 2030-ës?