Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit që po mban në Burrel, tha se po ‘rikonceptojnë’ programin e bonusit të bebes. Sipas tij, duke filluar nga viti 2026, do të veprojnë me një skemë tjetër, që në vend të ndihmës financiare me çek, të veprojnë me pagesa mujore për një periudhë dy, tre dhe pesë vjeçare, në bazë të numrit të fëmijëve.
“Do t’i thellojmë duke synuar e para hapjen e më shumë rrugëve për nxitjen e punësimit dhe nxjerrjen nga ndihma ekonomike të atyre që janë të aftë për punë. Dyfishojmë mbështetjen për fëmijët me aftësi speciale, dhe nënat e tyre. Do ta rikonceptojmë programin e bonusit të bebes duke filluar nga 2026, dhe në vend të ndihmës financiare me çek, ecim me skemë tjetër më të avancuar sipas numrit të fëmijëve, me pagesa mujore dy vjeçare 3 dhe 5 vjeçare. Sipas numrit të fëmijëve, kush bën më shumë do t’i rrimë më afër më shumë. Kemi bërë projektin dhe kemi 20 ndërmarrje sociale për punësimit e grave që është shumë i rëndësishëm.”, u shpreh Rama.
Rama u ndal edhe te pensionet, duke pranuar se mbetet një betejë kryesore. Ai tha se janë realist dhe jo si të tjerët që premtojnë përralla.
"Betejë kryesore janë pensionet. S’kemi dashur të tregojmë përralla, për këtë ka të tjerë që janë më të zot. E sigurt që s’ka gjë në dorë dhe s’do të ketë gjë në dorë. Nga ana tjetër, është e qartë për ne që viktimat e politikës absurde dhe kriminale me pensionet dhe pensionistët deri kur bëmë reformën që sot nuk përfitojnë pension dinjitoz, ndërkohë që ata kanë dalë dhe dalin në pension pas reformës, kanë pensione të tjera. Kjo gjë nuk përmendet. Nuk u bë politikë pensionesh por një çmenduri dhe u nxorën njerëzit në pension 40 vjeç, u vu një tavan pensioni më i lartë 200 mijë dhe s’kishte më rëndësi nëse kishe paguar sigurime, s’e kaloje 200 mijë lekëshin”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Rama në Burrel: Rikonceptojmë programin për bonusin e bebes! Më 11 Maj përcaktojmë fatin e Shqipërisë për 30 vitet e ardhshme! Këneta e ka partinë për sherr
Xh.D/A.A/ReportTv.al
