Nga Fieri, ku mori pjesë në një takim për arritjet dhe planet në energji, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është më pranë se kurrë për të arritur pavarësinë energjitike. Sipas tij, krahasuar me periudhën e komunizmit, rritja e prodhimit të energjisë elektrike në vend është dyfishuar.
"Kur mendon që ne nisëm këtë përpjekje me bazën prodhuese të kohës së komunizmit minus hidrocentralet që çuditshëm u hoqën nga stoku i aseteve të shtetit dhe iu dhanë një privati me një argumentim që në vetvete është vepër penale e pastër. Sot ne kemi thuajse dyfishim të prodhimit në raport me nga u nisëm", tha Rama.
Teksa u ndal te diversifikimi i energjisë, Rama tha se brenda kësaj dekade 'Shqipëria do të jetë energjitikisht dhe totalisht e pavarur'. Ai tha se edhe kthimi në një vend eksportues është shumë afër.
"Kështu që diversifikimi me 10% të prodhimit që sot vjen nga dielli, me fillimin edhe të disa projekteve të erës, me inovacionin e jashtëzakonshëm që do të kemi fatin të kemi në Shqipëri për sistemin e pompimit të ujit, kemi arsye të mendojmë se pavarësia e plotë energjitike e Shqipërisë është afër dhe transformimi nga një vend me hall të madh energjinë, në një vend eksportues neto të energjisë elektrike është afër. Dy zhvillime historike që nëse gjërat shkojnë sipas planeve tona, bazuar në kërkesat që kemi aktualisht në administrim nga investitorët, dhe bazuar në atë që kemi planifikuar, brenda kësaj dekade Shqipëria do të jetë energjitikisht dhe totalisht e pavarur nga çdo zhvillim i jashtëm. ", shtoi Rama.
Nga pikëpamja e humbjeve, Rama tha se jemi në parametrat normalë të një vendi evropian.
"Ndërkohë që ishim një fenomen jashtë Evropës. Ishim fenomen ekstra evropian. Për të gjetur të ngjashmit tanë, duhet të shkonim në vende shumë larg nga Evropa ku energjia ndahej sipas kapacitetit individual për ta vjedhur pse marrë në mënyrë të paligjshme. Ose për ta marrë ligjërisht dhe për të mos e paguar fare. Edhe për mineralet ishin në situatë xhungle, turma fëmijësh të lëshuar mbi kodrat e mineraleve me trasta për të fituar bukën e gojës, pro jemi të vetëdijshëm të rrisim kapacitete përpunuese", tha Rama.
Sipas Ramës, është e nevojshme qe të rriten më tej kapacitetet tona përpunuese.
"Është e qartë që nuk mund të mjaftohemi me sistemimin, normalizimin e sektorit dhe kalimi nga xhungla në qytetërim, por të shkojmë përtej. Të përpunojmë dhe eksportojmë produkte të përpunuara dhe krijuar më shuëm vlerë të shtuar. Kjo vlen për mineralet, për hidrokarburet, naftën."
Rama tha se nxjerrja e naftës në Shpirag mbetet sfiduese, por shtoi se kompania Shell nuk është larguar dhe se po përpiqet të bëjë 'pazar'. Kjo tregon, sipas tij, se aty ka vlerë të madhe.
"Patëm një moment optimizmi kur ishim në kushtet e pritshmërisë nga Shpiragu, cilësia është shumë e lartë, por vështirësia e nxjerrjes është shumë sfiduese, ende Shell s’po e dorëzon, po përpiqet në traditën më të mirë holandeze që të bëjë pazar për atë pjesë, kjo flet qartë që ka një vlerë të madhe, por do të duhet t’i referohemi një teknologjie më të sofistikuar. Mbase do të jetë fati i atyre që të vijnë më vonë në moshën e shfrytëzimi të pasurive të Shqipërisë mbase do të vijnë më shpejt, këtu kemi aktorë të tjerë në fazë eksplorimi më të avancuar.", shtoi kryeministri.
Komente
