Zgjerohet flota e autoambulancave, Rama: Nga grumbull ‘karrocash’ teneqeje dhe telefonash që nuk përgjigjeshin, Urgjenca Kombëtare kthehet në repart ekselence

1 Shkurt 2023, 14:42| Përditesimi: 1 Shkurt 2023, 15:16

  • Share

Kryeministri Edi Rama  e ka cilësuar Urgjencën Kombëtare si “repart ekspelencë të shërbimit shëndetësor shqiptar” pasi flotës së shërbimit i janë shtuar 8 autoambulanca të reja. Rama nuk e ka kursyer ironinë për opozitën duke thënë se Ugjenca Kombëtare kishte “grumbull karrocash të degraduara teneqeje dhe telefonash të vjetër që nuk përgjigjeshin kurrë”

“Nga një grumbull “karrocash” të degraduara teneqeje dhe telefonash të vjetër që nuk përgjigjeshin kurrë, SOT URGJENCA KOMBËTARE është kthyer në një repart ekselence i shërbimit shëndetësor shqiptar, ku vazhdojnë investimet dhe përmirësimet duke synuar papushim optimalen, shërbimin për qytetarët në nevojë për kujdes të menjëhershëm shëndetësor”, shkroi kreu i qeverisë në Facebook.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, thanë se ky investim i qeverisë shqiptare bëhet me qëllim fuqizimin më tej të flotës së Urgjencës Kombëtare Mjekësore, për të përmirësuar shërbimin për qytetarët, sipas standardeve më të mira evropiane.

“Ne kemi shtuar flotën e autoambulancave në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore me tetë njësi të reja, për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe gjithashtu reduktojmë kohën e pritjes. Ne kemi përgjysmuar që prej angazhimit që ne kemi marrë. Prej 2018-ës deri më sot janë 110 autoambulanca të reja që i janë shtuar flotës së Urgjencës. Edhe këtë vit, me buxhetin e vitit 2023 sërish do të zgjerojmë flotën tonë”, -tha Manastirliu. 

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se trajnimi i burimeve njerëzore është një tjetër komponent i rëndësishëm që po zhvillohet, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë.

“Veç shërbimit primar të koordinimit të urgjencave, në kuadër të paktit për universitetin, e kemi kthyer këtë qendër në një qendër tjetër të formimit për studentët, duke i dhënë një tjetër mbështetje studentëve dhe Universitetit të Mjeksisë”, tha Manastirliu.

Në katër vitet e fundit 110 autoambulanca të reja i janë shtuar flotës së autoambulancave, për një përgjigje më të mirë dhe më të shpejtë në territor. Investimet në flotën e mjeteve motorrike të urgjencës para-spitalore do të vijojnë edhe në vitin 2023. Për vitin 2022 janë pritur më shumë se 500 mijë thirrje dhe janë kryer mbi 119 mijë misione, gjysma prej të cilave janë shërbime që janë ofruar në banesë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?