TIRANE - Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e 61 të Sigurisë, (MSC) që mbahet në Mynih në datat 14 – 16 shkurt, me pjesëmarrjen e liderëve botërore për të diskutuar mbi sfidat e politikës globale të sigurisë, nën drejtimin e Kryetarit të Konferencës së Sigurisë Christoph Heusgen.
Programi do të fillojë të premten, me fokus në sfidat globale të sigurisë, përfshirë qeverisjen globale, qëndrueshmërinë demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.
Në ditën e dytë, debati do të përqendrohet në gjendjen e rendit ndërkombëtar, krizave dhe konflikteve rajonale. E ardhmja e partneritetit transatlantik do të jetë gjithashtu një diskutim i rëndësishëm i ditës së dytë të konferencës. Në ditën e tretë të saj, konferenca do të përmbyllet me diskutime mbi rolin e Evropës në botë.
Report Tv mëson se Kryeministri Rama do të jetë një nga panelistët në panelin e diskutimit me temë “Përtej konfliktit: Vlerësimi i rrugëve dhe pengesave për paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, – që do të moderohet nga Drejtori i Akademisë së Çështjeve Ndërkombëtare Mayssoun Zein Al Din.
Me Kryeministrin Rama në panel do të jenë, Kancelari Federal i Austrisë, Alexander Schallenberg; Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal Bin Farhan Al Saud, si dhe Zv/Presidentja e “Brookings Institution”, Suzane Maloney.
Kryeministri Rama do të jetë gjithashtu panelist në Panelin me temë “ Zgjerimi i BE” , së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski; Presidenten e Parlamentit europian Roberta Metsola; Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin Marta Kos.
Gjatë vizitës, Kryeministri Rama do të zhvillojë takime edhe me kryetarë shtetesh e qeverish, përfaqësues te institucioneve te rëndësishme ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile dhe kompani të rëndësishme që veprojnë në fushën e sigurisë kibernetike, digjitalizimit
Takimi i parë ishte sot me Markus Söder, kryetar i CSU dhe Kryeministër i Bavarisë.
‘Një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin na lidh një miqësi e hershme tanimë” shkruan Rama në një postim në facebook.
Konferenca vjetore treditore filloi në Mynih, pret mbi 50 krerë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 150 ministra nga e gjithë bota.
