Kryesocialisti Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mitingun përmbyllës, kujtoi edhe humbjen me 10 vota të bashkisë. Rama e cilësoi si sprovën më të fundit përpara ngjitjes së pandalshme të PS.
“Tirana u bë kështjella jonë ku projektonim, ndërtonim dhe transformonim pa pushim qytetin duke hasur në çdo hap vrazhdësinë e injorancës armiqësore të kundërshtarëve tonë politike. Çfarë nuk bënë dhe nuk na bënë derisa morën edhe Tiranën. Me pahirin e një grabitjeje të pabesueshme pasi u bënë të tërë bashkë me kuç, maç e minj. Ajo përmbysje e fitores tonë epike me 10 vota që na dhanë gëzim sa të jashtëzakonshëm, aq edhe të përkohshëm, ishte në fakt testi më i vështirë i karakterit që ne faktuam hap pas hapi. Ai rrëzim poshtërues ishte sprova e fundit përpara ngjitjes së pandalshme lart të PS të Shqipërisë. Dy vjet pas atij poshtërimi, bashkësia dhe familja jonë e madhe e rimori qendrën e skenës politike shqiptare, ku jemi kthyer në fuqinë e pandalshme të rilindjes së Shqipërisë dhe ku do të qëndrojmë më të fortë se kurrë më parë pas fitores historike të dielën më 11 maj të PS së Shqipërisë. “, tha Rama.
Më tej, Rama ironizoi opozitën teksa tha se nuk do të fitojë kurrë nëse nuk kupton se pse i mund kaq thellë. Ai tha se tani për tani PS është më e mira ndërsa ironizoi duke thënë se të tjerët do të duhet të presin te materniteti pasi aktualisht nuk kanë asnjë figurë të duhur politike.
“Asgjë, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për mua dhe për ju dhe ajo që kundërshtarët tanë s’kanë për ta kuptuar kurrë, është se kurrë nuk do të na mundin dot po nuk e kuptuan se pse ne i mundim çdo herë e më thellë. Ata thonë se ne nuk mundemi dot me vota, dhe jam dakord me ta sepse të marrësh më shumë vota sesa ne duhet të jesh më i mirë se ne. Por dihet ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne, kështu si po shkojnë këto punë kam frikë se duhet të presin të dalin nga materniteti sepse nëpër sheshet dhe rrugët e Shqipërisë hë për hë...aha harroje. Edhe ata që medemek janë prurje të reja, i keni parë nuk ngjajnë me ne por me kundërshtarët tanë të kahershëm. Dava humbësash që janë larg, shumë më larg. Ndërkohë që ne edhe aritmetikisht do të ngjitemi më lart, më e pakta 78 mandate. Ky është bllof, truk e propagandë thanë disa duke komentuar memorandumin e Kuçit dhe pyetja ime është se pse nuk qenka e vërtetë ose të paktën, në mos e vërtetë, pse nuk qenka e mundshme.”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Rama mbyll fushatën: Më 11 maj firmosim marrëveshjen për Shqipërinë evropiane! Marrim të paktën 78 mandate! Bufi i rrjedhur, ‘Latifi’ do ikë edhe më i pasur
Xh.D/ReportTv.al