Selia blu i ka mohuar akuzat e ardhura nga vetë deputeti tyre, Oerd Bylykbashi se Lulzim Basha po bën pazar me Ramën, po shet votën për zgjatjen e vettingut, në këmbim të shtimit të disa bashkive! Në një reagim nga burime zyrtare nga selia blu, thonë se zgjatja e afatit të organeve të vettingut nuk është në prioritete e PD-së, për pasojë nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët.
“Reforma territoriale është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë për të marrë shërbimet që i mungojnë prej 6 vitesh, që kur Edi Rama njëanshmërisht miratoi reformën që në thelb kishte vetëm avantazhin e PS në zgjedhje. Po ashtu, reforma zgjedhore duhet të nisë me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike dhe që, fatkeqësisht, iu prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtarë. Këto dy reforma janë i vetmi prioritet i Partisë Demokratike. Kjo është shpallur publikisht dhe është miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë”, thuhet në reagim.
Lajmi kryesor:
Bylykbashi akuza të forta Bashës: Po bën pazar me Ramën, po shet votën për zgjatjen e vettingut, në këmbim të shtimit të disa bashkive! PD e mohon
B.K./ReportTv.al