Kryeministri Edi Rama paralajmëroi edhe zyrtarët dhe punonjësit e shtetit që abuzojnë me ndërtimet pa leje. Kreu i qeverisë përmendi edhe disa situata absurde, që sipas tij, ndodhin në lagje urbane, ku individë përdorin hapësirat e përbashkëta si prona private për qëllime bujqësore.
“Çdo zyrtar apo punonjës i shtetit që gjendet në kushtet që shfrytëzon një ndërtim pa leje, familja e tij për qëllim fitimi, do penalizohet. S’mund të paguhesh nga taksat dhe të kesh ndërtim pa leje dhe medemek familja. Shko te kioska atje por mos puno në shtet. Zaptimi i hapësirës publike lidhet edhe me një keqkuptim shumë të madh të një numri të madh njerëzish edhe në administratë dhe për këtë kemi pasur diskutime të forta edhe gjatë kësaj vere. Hapësira publike nuk është domosdoshmërisht një hapësirë që është pronë në shtet, është edhe pronë private përsa kohë është pronë private e pa zhvilluar në cdo kushtetutë të botës, ajo është një pronë e cila mirëmbahet nga shteti si hapësirë publike.
Nuk mund dot të thuash se unë kam një shesh mes pallateve në Tiranë, është toka ime dhe do t’u marr njerëzve para se fusin makinën apo më keq akoma, unë jetoj në kat të parë, e rrethoj tokën e pallatit dhe rrisë pula, dele e lopë. Këto janë realitet, s’po flasim në mënyrë hipotetike. Mjelin lopë në kat të parë. Jo nuk është e jotja pavarësisht se mund të kesh një certifikatë prone, nuk mban dot lopën aty dhe nuk rrethon dot aty se është hapësirë publike e përbashkët deri në ditën kur bashkia thotë do të bëjmë një fermë dhe këtij zotërisë do t’i japim mundësinë të rrisim lopë. Po nuk e disponove lejen nuk bën dot asgjë. Flasim për ata që kanë marrë prona në mënyrën më të paimagjinueshme, në territore ku jetojnë mijëra njerëz dhe i bëjnë karshillëk komunitetit sikur jetojnë mbi kopsht zoologjik.
Për pallatet e reja as nuk bëhet fjalë fare, kur ke bërë një marrëveshje të shfrytëzimit të pronës dh eke thënë si pronar bashkohem me ndërtuesin, marr kaq e kaq nga kjo pronë. Çfarë të takon ty është çfarë merr nga ndërtimi, cdo gjë tjetër është e të gjithëve. Të gjithë ata që hyjnë në atë pallat e kanë të përbashkët hapësirën. Është logjika më elementare e qytetit. Nuk mund të pranojmë logjikën se është prona ime. Kam ndërtuar një biznes.”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Ndërtuesit që shkelin lejen 5 vite në ‘listë të zezë’! Rama: Nëse shesin apartament dy herë, konfiskim direkt! Aksioni gjithë mandatin
Xh.D/ReportTv.al