Rama për Arben Ahmetajn: Na u vu para një dosje voluminoze, s’mund të ndalonim SPAK për arrestimin e tij

14 Korrik 2023, 18:44| Përditesimi: 14 Korrik 2023, 19:06

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për votimin e Kuvendit për ti hapur rrugë SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj. Kryeministri Edi Rama tha se iu vu para një dosje voluminoze dhe nuk mund të ndalonin SPAK që të kryente arrestimin e ish-ministrit.

'Ndryshe nga të tëra historitë e tjera të suksesit të politikës dhe qeverisjes, kjo histori është e vështirë të tregohet si sukses, me statistika e me krenarinë legjitime për rezultatet e arritura, sepse bëhet fjalë për njerëz të ndaluar, hetuar, gjykuar a dënuar, të cilëve ndodh t’u kesh njohur familjarët, përqafuar fëmijët apo prindërit, ngushëlluar vdekje apo uruar ditëlindje.

Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve.

Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm, por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm ishte një rast kur kërkesa e prokurorisë duhej miratuar pa asnjë ndryshim. Sepse ndryshe nga atëherë, kur Prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin.

Këtu mbyllet çdo koment i imi mbi rastin konkret. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie apo pafajësie, por nuk mbyllet këtu ky mesazh, sepse më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi “i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve. Kjo që kam zgjedhur, që ne, shumica politike e këtij vendi kemi zgjedhur, është një rrugë e përbashkët, ku të përbashkëta janë arsyet e mirëkuptuara, qëllimet e shpalluara, përpjekjet e bashkërenduara, po të përveçme, personale, janë përjetimet e fuqisë që i është dhënë një individi, çdo individi përkohësisht për të marrë vendime, të ndryshme janë virtytet e dobësitë njerëzore të secilit, raportet me veten, karrigen, paranë.'- tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kuvendi i hapi rrugë arrestimit, Rama për Ahmetajn: Na u vu para një dosje voluminoze, gjykata të thotë fjalën e fundit! PS s'mban mbi shpinë askënd që fryn xhepat nga pushteti


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?