Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas situatës së krijuar në Krujë, ku qindra qytetarë u helmuan nga uji i pijshëm. Në një prononcim për mediet, teksa u pyet nëse inagurimi i Ujësjellësit të ri në Krujë ishte vetëm për fushatë elektorale, kreu i qeverisë tha se tjetër gjë janë ndërtimet e ujësjellësve dhe tjetër gjë sigurimi që uji është në parametrat e duhura. Për këtë shtoi kreu i qeverisë ka përgjegjësinë Ujësjellësi dhe se në dijeninë e tij ka nisur një hetim administrativ për çështjen.
'Sipas jush nuk duhej ndërtuar ujësjellësi i ri apo ndërtimi i ujësjellësit të ri ka sjellë këto probleme!? Janë dy gjëra të ndryshme, të ndërtosh një sistem të ri ujësjellësi dhe të çosh ujin nëpër shtëpia është një gjë dhe pastaj të sigurosh që uji është në të gjithë parametrat në mënyrë të vazhdueshme është një gjë tjetër. Qeveria ka bërë investimin për sistemin e ri të ujësjellësit, ujësjellësi vetë ka detyrime të tjera. Kjo është një gjë në hetim adminsitrativ për të kuptuar se çfarë ka ndodhur por që ti lidhësh këto të dyja më duket pak si e pakuptimtë. Është njësoj sikur të thuash pas ndërtimit të një rruge të re janë rritur aksidentet nga rritja e shpejtësisë. Tani e ka fajin rruga e re apo është një tjetër aspekt që duhet trajtuar me shumë seriozitet por që nuk mund të jetë një arsye që të themi më mirë mos të ishte ndërtuar rruga e re.'- tha Rama.
Uji i pijshëm në Krujë, që helmoi mbi 500 qytetarë, rezultoi me ngarkesë bakteriale të esheria koli dhe streptokokut fekal. Report Tv siguroi rezultatin e analizave mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, ku bëhet me dije se uji është ndotur në depon e qytetit të Krujës dhe më pas i është shpërndarë qytetarëve nëpër çezma.
Lajmi kryesor:
Vettingu i politikanëve? Rama: Dialogu s'bëhet në TV, por Basha të vijë në tryezë! Rikthimi i Berishës në krye të PD? Humor i zi... Gati të dëshmoj në komisionin hetimor për 25 prillin
M.Q./ReportTv.al