Jo vetëm eksportuese e municioneve, por me rilindjen e industrisë ushtarake Shqipëria do të eksportojë edhe makina ushtarake të gjeneratës së fundit. Kryeministri Edi Rama tha se për këtë po punohet në bashkëpunim me një nga kompanitë më të mëdha të botës.
“Jemi duke punuar me Arjelën për të ndërtuar një partneritet strategjik me një nga kompanitë më të mëdha të botës në fushën e industrisë ushtarake dhe besoj që dje kemi arritur ta kurorëzojmë në linjat e përgjithshme këtë partneritet, që besoj do të bëhet publik së shpejti dhe që faktikisht, do të sjellë në Shqipëri, jo vetëm qindra milion investime në industrinë ushtarake, por prodhimet do të jenë “Made in Albania” dhe Shqipëria do të eksportojë në tregje të tjera makina ushtarake të gjeneratës së fundit', tha ai.
Me ringritjen e industrisë ushtarake tha Rama, jo vetëm do të forcohet partneriteti në këtë sektor, por edhe do të rriten të ardhurat e punësimi.
‘Zgjedhja jonë strategjike është që të blejmë jashtë vetëm ato gjëra shumë të veçanta që nuk kemi mundësi t’i prodhojmë këtu, ndërkohë që një pjesë të madhe të nevojave ta mbulojmë me prodhimin e këtushëm, duke krijuar një front të ri pune, një front të ri punësimi për vajza dhe djem të mire edukuar, në profesionet e nevojshme që të kenë paga shumë të larta sepse në këtë industri pagat janë domethënëse’, tha ai.
Në takimet me biznesin, kreu i qeverisë iu rikthye zotimit të kësaj fushate për paqen fiskale, përmes së cilës shumë kompani tha Rama do të dalin në dritë plotësisht dhe nuk do të kenë barra ekonomike që akumulojnë borxhe ndaj shtetit.
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ditën e sotme, në një takim me sipërmarrës, disa nga arritjet në tregun e punës. Sipas Ramës, paga mesatare ka arritur në 830 euro nga 322 euro që ka qenë më parë.
Nga ana tjetër, Rama theksoi edhe rritjen e prodhimit nga 10 miliardë në 25 miliardë euro.
"Sot në Shqipëri kemi një pagë mesatare 830 euro dhe jemi nisur nga një pagë mesatare 322 euro. Është një kapërcim i madh dhe kjo shihet tek prodhimi i përgjithshëm. Sepse është gjë tjetër kur e sheh Shqipërinë nga televizori ose e ndjek nga portalet. Nuk sheh fare nga këto gjëra, se në Shqipëri mund të ketë realitete si këto. Apo se në Shqipëri mund të ketë më shumë kompani sesa në Greqi. Nëse shohim rritjen e prodhimit të përgjithshëm, nga 10 miliardë euro, sot e kemi 25 miliardë euro. Është rritur nga puna dhe jo nga ndonjë arsye tjetër. Sot kemi nivelin më të ulët të papunësisë."-tha Rama.
Komente
