Politikë

Rama: Në 2 vite bëmë më shumë se kurrë për Shkodrën, PD-ja ndërtoi ‘noc rrokun’! Më thonë komunist, por në krah kanë bufin Sekretar e Partie! Persekutoi dhe internoi njerëz

25 Prill, 17:33| Përditesimi: 25 Prill, 20:46

  • Share

SHKODËR- Kryesocialsiti Edi Rama nga Shkodra, bastioni i së djathtës, kërkoi votën edhe të demokratëve, duke iu premtuar jo vetëm pasaportën e Bashkimit Europian, por duke u kujtuar edhe punën që kanë bërë për Shkodrën. Në 2 vite, që kur në krye të saj u vendos për herë të parë një socialist, Benet Beci, Rama thanë se kanë bërë për Shkodrën më shumë se kurrë më parë, në ndryshim nga PD-ja që për vite më radhë ndërtoi vetëm ‘noc rrokun’.

“Ne sot kemi mundësi t’u themi të gjithëve që vetëm në 2 vjet ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku. Madje akoma më keq për ata, se në 2 vjet ne kemi ndërtuar sa kemi mundur, po s’kemi bërë asnjë dëm, ndërsa në vitet e mëparshme ata kanë ndërtuar ‘noc rrokun’ dhe kanë bërë vetëm dëme”, tha kryesocialisti Edi Rama.

Kreu i PS, solli në retrospektivë edhe të kaluarën e rivalit të tij, Sali Berisha. Ai kujtoi detyrat si funksionar partie në kohën e komunizmit të kreut të PD-së, duke bërë analogji me akuzat që i hedhin Ramës këto ditë, si komunist.

“Këta më thonë mua komunist dhe mbajnë vetë në krahë bufin sekretar partie, që ka persekutuar dhe internuar njerëz, i ka shërbyer edhe Partisë së Punës! Ku e la Shkodrën, në prapambetje. Tani Shkodra është ndryshe, ajo që bëmë ne për Shkodrën, nuk e di për ata burrat demokratë të PD-së këtu se çfarë mendojnë, teksa gjysmat e burrave këtu i kemi me ne”, tha ai.

Në takimin me gratë dhe vajzat, Rama kujtoi ‘luftën’ që ka bërë për të marrë votën nga Shkodra, duke thënë se këneta për vite me radhë i la të zhytyr në gropë.

“Unë s’jam më në pozitën që të vij këtu si shumë herë, gati-gati t’ju ulem në gjunjë e me ju lut shkodranëve: “Aman ma besoni këtë punë që t’ju tregoj çfarë di të bëj, pastaj gjykoni vetë.” Sa herë ia besuat kënetës, zhyty më thellë dhe votoni më shumë për kënetën”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama kujtoi takimin e parë në Pallatin e Sportit të Shkodrës, kur kishte vetëm pak vajza e gra, por sot panorama për të ishte ndryshe.

“Sot kjo sallë e mbushur për mua është shumë kuptimplotë. Sepse së bashku kemi arritur që të vendosim një ekuilibër që mungonte plotësisht, mes grave dhe vajzave”, tha Rama.

Mesazhin për burrat demokratë nuk mungoi. 

“Unë mendoj se të zgjedhësh kënetën në krahasim me BE-në, je çyruk, je gjysmak, jo në të vërtetë, por politikisht. Ndaj u bëj thirrje që të vijnë këtej e të votojnë PS nëse s’duan të jenë të tillë, ky është test”, theksoi Rama.

Beteja në qarkun e Shkodrës, për zgjedhjet e 11 majit pritet të jetë e fortë, ndërsa sipas sondazhit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, PS e Edi Ramës mund të marrë dy mandate më shumë në këtë qark (3-5 mandate në total), duke kërcënuar kështu pozitat e Sali Berishës, i cili sipas shifrave merr 4 deri në 6 mandate. Edhe Adriatik Lapaj e PSD e Tom Doshit, sipas sondazhit mund të marrin deri në 2 mandate secili. Pritet me interes të shihet se si do ndahen 11 mandatet e qarkut të Shkodrës.

Ora 18:33
VIDEO/ Rama nga Shkodra: Mua më thonë komunist, por vetë mbajnë në krahë bufin Sekretar Partie! Persekutoi dhe internoi njerëz, i shërbeu Partisë së Punës! Dikur ishim delja e zezë e Europës

Kryesocialisti Edi Rama solli në retrospektivë gjatë diskursit të tij elektoral para grave dhe vajzave në Shkodër, të kaluarën e rivalit të tij Sali Berisha. Ai kujtoi detyrat si funksionar partie në kohën e komunizmit të kreut të PD-së, duke bërë analogji me akuzat që i hedhin Ramës këto ditë, si komunist.

Rama renditi edhe projektet dhe investimet për Shkodrën në këto vite nga qeveria, duke e nxjerrë nga rrënimi ku e kishte lënë PD-ja.

“Këta më thonë mua komunist dhe mbajnë vetë në krahë bufin sekretar partie, që ka persekutuar dhe internuar njerëz, i ka shërbyer edhe Partisë së Punës! Ku e la Shkodrën, në prapambetje. Tani Shkodra është ndryshe, ajo që bëmë ne për Shkodrën, nuk e di për ata burrat demokratë të PD-së këtu se çfarë mendojnë, teksa gjysmat e burrave këtu i kemi me ne. Vjet Shkodra buburronte nga turistët që vinin nga të gjitha anët, e vizitonin dhe madje ka realizuar të ardhurat më të mëdha në të gjithë historinë e vetë vitin e shkuar, me transformimin dhe turizmin e saj. Kurse jashtë Shkodrës kemi shumë për të thënë, ku akset ose janë të ndërtuara ose në ndërtim e sipër, e që unë e quaj kryeqendra e veriut të Shqipërisë. Ata e lanë Shkodrën dhe qytetet e qarkut të saj në rrënim, kurse tani ata që i kanë lënë këto zona mund të kthehen te oxhaku i gjyshërve”, tha ai.

Rama apeloi që Shkodra që dikur ka qenë e Europës historikisht, të ishte më 11 maj përsëri një qytet europian duke votuar për integrimin në BE dhe PS-në.

“Shkodra ka qenë dikur Europa e Shqipërisë, këtu ka qenë Europa e Shqipërisë. I takon Shkodrës që më 11 maj të marri një vendim domethënës, të marri vendim historik, asaj i takon, e këtë mundësi historike të derës së hapur të BE-së ta rroki e të mos shohë majtas e djathtas, por ta votojnë. Se ne jemi thjesht forca në vendin e kohën e duhur, për ta integruar vendin në BE, ashtu siç ishte PD më 1992, kur shumë shqiptarë shkuan e votuan masivisht. Sepse ishin zgjedhje jo politike, por ndarja nga e shkuara dhe e ardhmja, ndaj duhet të zgjidhni të ardhmen këtë herë më 11 maj, ndaj Shkodra të zgjedhë të ardhmen.

Në momentin që Shqipëria anëtarësohet në BE, është një Shqipëri e re, me forca të reja, me mundësi financiare të reja, me aleanca të reja, me kuptim krejt tjetër. Mbi të gjitha një Shqipëri që i jep të gjithë qytetarëve të vet, fëmijëve tuaj, pasaportën europiane, që nuk është dokument udhëtimi si kjo që kemi sot, pasaportën shqiptare, por është status dinjiteti e qytetarie europiane, që ky popull s’e ka pasur kurrë. Këto vite ka qenë përpjekje e madhe, mundësi e madhe, kokëfortësi e madhe për t’iu imponuar të tjerëve që ta meritojmë dhe ta marrim këtë mundësi, e që Shqipëria të jetë e respektuar, e besuar dhe vlerësuar, e kjo nuk mjafton”, u shpreh kryesocialisti.

Ndërsa përsëriti lajmin se më 16 maj vijnë në Tiranë të gjithë liderët e botës dhe Europës, kryesocialisti kërkoi votë masive si mesazh për arritjen e anëtarësimit dhe mbylljes së negociatave.

“Sepse më 16 maj të gjithë liderët do zbresin në Tiranë, sepse jemi të besuar e të vlerësuar, por në atë takim shqiptarët ende nuk do jenë qytetarë europianë, kurse me atë pasaportë do kenë status të barabartë dhe s’do kenë më nevojë të përpiqen për çdo gjë, sepse ajo pasaportë të jep barzinë para ligjit dhe qytetarëve europianë. Fëmijët tuaj do jenë studentë europianë me të njëjtat kushte, detyrime e pagesa si studentët e Europës. Shqiptarët do ndalojnë ku të duan, trokasin ku të duan, si të gjithë qytetarët europianë dhe në të gjithë BE-në, sikurse ne udhëtojmë nga Shkodra në Tiranë.

Por ta dini se BE nuk e mban atë derë hapur gjithmonë, hapet dhe mbyllet. Është hera e parë që ata hapin derën për ne, e nuk thonë fjalët e zakonshme se jo do jemi bashkë, jo do jeni këtu, por këtë herë na kanë dhënë 250 mijë faqe dokumente për negociatat e na kanë thënë bujrum, plotësoni këto negociatat e dokumentet dhe bëhuni anëtarë të BE-së. Kujdes se mund t’ju dal edhe në frigorifer këto ditë (bën batutë)”, vijoi ai.

Por ndërsa iu referua kundërshtarëve që e sulmojnë pse kërkon mandat të katërt, ai shpjegoi historikun gjeopolitik dhe vështirësive që Shqipëria pati në raport me BE-në këto vite.

“Të tjerët thonë ç’është kjo histori, ku pas 3 mandatesh Edi Rama na kërkon mandat të katërt? Kjo histori është e Europës dhe jo e imja apo e PS-së. Sepse po t’i kthehesh kësaj, po Mali i Zi që i hapi para nesh, po Serbia që kur i hapi ne ishim delja e zezë e Europës, po Maqedonia e Veriut që tani ka ndryshuar emrin, pse nuk janë këto ende në BE? Sepse ne tani jemi para tyre, sepse ne duhet të jemi gati për të hyrë atje dhe për më tepër ata duhet të jenë gati. Dhe tani ata janë gati, na kanë hapur derën.

Pasi dikur duhet të ishin të gjithë gati për hapjen, njëri të thotë, jo zgjasin në kohë, dhe neve na ndodhi kështu, për 3 vite nuk na i hapën negociatat. Por sot ata kanë rënë dakord, kanë hapur derën. Dera e hapur duhet shfrytëzuar, duhet të jemi gati, të mos vonohemi, të mos pengohemi dhe jo të merremi me parti e re dhe e vjetër, të zihemi me njëri tjetrin, por të nxitojmë për të mbaruar negociatat me BE-në. Sepse të majtën dhe të djathtën, PS dhe PD i keni prap këtu, bashkë me zgjedhjet, por BE-në nuk e keni gjithmonë aty”, tha ai.

Ora 18:19
VIDEO/ Rama në Shkodër: Para se të fitonim bashkinë më vinte t’ju ulesha në gjunjë për t’ju kërkuar besimin! Fitoja kudo, humbja këtu

Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim masiv me gra dhe vajza në Shkodër, ku theksoi mirënjohjen për besimin që votuesit e kryeqytetit të veriut të Shqipërisë i dhanë Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

“Faleminderit jush dhe falë shumicës qytetarëve të Shkodrës unë s’jam më në pozitën që të vij këtu si shumë herë, gati-gati t’ju ulem në gjunjë e me ju lut shkodranëve: “Aman ma besoni këtë punë që t’ju tregoj çfarë di të bëj, pastaj gjykoni vetë.” Sa herë ia besuat kënetës, zhyty më thellë dhe votoni më shumë për kënetën. Deshi Zoti i Madh, falë jush, prapë e them, e di që ka qenë një konspiracion i juaji që iu bëtë burrave: “Hajde të shkojmë të provojmë këtë rrugë tjetër.” Ne sot kemi mundësi t’u themi të gjithëve që vetëm në 2 vjet ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku. Madje akoma më keq për ata, se në 2 vjet ne kemi ndërtuar sa kemi mundur, po s’kemi bërë asnjë dëm, ndërsa në vitet e mëparshme ata kanë ndërtuar hiç gjë dhe kanë bërë vetëm dëme”,-tha Rama.

“Këtu e kam pas edhe kunjin më të madh se fiton në të gjithë Shqipërinë, hajde këtu humb, dhe duke qenë se kam dhe gjyshen shkodrane katolike, më vinte plasja dhe thosha: çfarë kanë këta me mua?”,-tha Rama.

Ora 17:52
'Neomalësorja' hap fjalimet e kandidatëve: Nuk na ndal kush, më 11 maj ta çojmë Shkodrën në dyert e BE-së! Fitoren do e vulosim ne, gratë dhe vajzat

 

Një nga kandidatet që mbajti fjalimin hapës në Shkodër ishte edhe “Neomalësorja”, Marjana Koçeku.

Kryebashkiaku Beci e prezantoi atë të parën, teksa ndezi sallën e pallatit të sportit me ngjitjen e saj në yllin-podium.

Fjala e "Neomalësores" Marjana Koçeku:

“T’i çojmë tan ata flamujt kuqezi e një duartrokitje të mëdhe. Mbramja e mirë tanave e ndihem e nderuar para tanëve, vajzave, grave dhe çikave të nderume. Mes jush që jeni shtylla kurrizore e shoqnisë tonë, jo vetëm shkodranëve, por krejt shqiptarëve. Të edukume, kreative dhe të jashtëzakonshme me atë që bëni në jetën tuaj, punën tuaj dhe familjen tuaj.

Ne jena ato që rrisim familje, që edukojmë breza, ato zhvillojnë dhe arsimojnë, e nuk duhet të ndalena. Tash ku jemi sot, më 11 maj, ta çojmë Shkodrën një hap më tej, për me çue Shkodrën e Shqipërisë në derën e madhe të BE-së. Dhe këtu duhet forca jonë, sidomos grave e vajzave, e në veçanti qytetit tonë të zemrës, Shkodrës.

Në këto zgjedhje kena me qenë ne, për me vulos fitoren jo vetëm të PS-së, por edhe të Shkodrës tonë që është në zhvillim.

E kena me ec në hapat e paraardhësve tanë që kanë dhënë shumë për këtë qytet.

Sot, unë po ju pys:

A ka kush me na ndalue? Askush!”

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?