TIRANË- Për kryeministrin Edi Rama, programi ekonomik i PD-së është " si tramvaji i Tiranës në 2011", që do të thotë me premtime boshe, të pambajtura. Për të, ka mjaftuar një fjali për të ironizuar këtë program, të prezantuar ditën e sotme nga kryedemokrati Lulzim Basha.
"Programi i PD në 2021 si tramvaji i Tiranës në 2011. Gjumë të ëmbël", tha Rama.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
PD-ja me kryedemokratin Lulzim Basha ka prezantuar ditën e sotme programin ekonomik me të cilin do u drejtohen shqiptarëve në zgjedhjet e 25 prillit. Qëllimi, tha kryedemokrati Lulzim Basha në prezantimin e tij, është rimëkëmbja e ekonomisë. Ky program ka 16 pika, për të cilat Basha tha se nuk janë premtime, por angazhime. Disa nga pikat kryesore është hapja e 110 mijë vendeve të reja të punës, rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 36 mijë lekë, 3 mijë lekë në muaj për bebet për 5 vitet e para të jetës. Kryedemokrati e cilësoi këtë si një program serioz i punuar me ekspertët më të mirë të vendit dhe jashtë saj "që do t'ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve".
Ironisë së kryeministrit Edi Rama për programin ekonomik të PD-së, i ka kthyer përgjigje Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Reagimin e kryeministrin, Bardhi shprehet se e kupton, pasi nuk është mësuar që të përballet kurrë me premtime që mbahen.
"Rama qetësohu. Ky është vetëm fillimi. E dimë se ti nuk je mësuar të përballesh kurrë me angazhime serioze që do të mbahen e nuk do të shkelen. Pas 8 vitesh këtë e dinë shumë mirë të gjithë shqiptarët ndaj do të të largojnë më 25 prill", shkruan Bardhi.