TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar ditën e sotme pamjet se si ka ndryshuar depoja farmaceutike e QSUT gjatë qeverisjes së tij.
Ndryshimi është si nata me ditën, shprehet Rama, ku thekson se është i vetëdijshëm për problemet që ka sistemi shëndetësor, por i bindur që do të zgjidhen. Ai ka edhe një përgjigje për opozitën, duke thënë se të mohosh këto transformime, duhet një kurajo e madhe.
“Po mirë me çfarë kurajoje mund të mohohet sot transformimi si nata me ditën në vetëm 7 vjet i sistemit tonë spitalor
Shikojeni se si ishte depoja farmaceutike e QSUT 7 vjet më parë, një magazinë e ububushme ku mbaheshin jashtë çdo standardi ilaçet e spitalit qendror të Shqipërisë dhe ja si është sot, një depo farmaceutike spitalore e standarteve europiane
Kush nuk e di nga është nisur, nuk e ka idenë ku është dhe as nuk ka shans të arrijë ku do, përkundrazi rrezikon të kthehet mbrapsht pa e kuptuar as vetë se si! Prandaj të jemi të pakënaqur me tëra problemet e mprehta që akoma ka shërbimi shëndetësor, por të jemi gjithashtu të bindur, se siç janë përmbysur realitete dramatike si kjo depo farmaceutike e plot të tjera, do të zgjidhen me radhë e me vullnet, punë, durim edhe problemet më të mprehta”, shkruan Rama.
Me disa foto të vjetra të degradimit të qytetit të Korçës dikur dhe me ndryshimi që ka pësuar qyteti juglindor në sajë të shumë investimeve, kreu i qeverisë ka nënvizuar se me zhvillimin e zonës Korcës iu shtuan edhe të ardhurat në ekonominë vendore.
S'ka më të verbër se sa ai që nuk do të shikojë, por Korça nga dje sot nuk ka ndryshuar si nata me ditën veç në dukje, po edhe në të ardhurat e ekonomisë vendore, që dje lëngonte nën pluhurin e harresës, ndërsa sot hap dita-ditës dyer të reja bujtinash, baresh, restorantesh, aktivitetesh lloj-lloj, të cilat tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë në qytetin që sot e kupton pse të moçmit e quanin, "Parisi i Vogël" i Shqipërisë
Ai ka treguar edhe se çfarë pritet të ndodhë gjatë mandatit të tretë qeverisës të socialistëve.
Me qendrën e re të kodimit e të Start Up-eve për të rinjtë, Korça e Mandatit të Tretë do të kthehet edhe në një destinacion dijeje për punësim në tregun global të shërbimeve digjitale