DROPULL- Duken si foto kartoline të ndonjë ferme dikur jashtë shtetit, por jo! Këto pamje të mrekullueshme vijnë nga Dropulli.
Ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar një video, magjepsëse, siç ai e quan, në fermën e kultivimit të drithërave.
Rama nuk i ka kursyer as ironitë. "Mirëmëngjes nga fushat magjepsëse të Dropullit, në fermën mbresëlënëse të kultivimit të drithërave, të cilën në këtë vend ku punët e mira nuk bëjnë lajm me siguri nuk e keni parë ndonjëherë", shkruan Rama.
Në fushën e Dropullit, në qarkun Gjirokastër, ka nisur korrja e grurit. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi një nga fermat të mëdha në vend, që kultivon në atë fushë rreth 500 Ha me drith, prodhim që shitet i gjithë në tregun vendas. Ministri premtoi mbështetje për fermerët e kësaj zone përmes programit IPARD dhe investimeve në infrastrukturën e sistemit të ujitje-kullimit.
“Bashkë me kryetarin e Bashkisë Dropull i lashë porosi që të bëjmë një projekt për kanalin kullues dhe vaditës, në mënyrë që këta fermerë të mos vuajnë për asnjë sekondë për ujë. Për të gjithë pjesën e nevojave për makineri bujqësore, programi IPARD është një mundësi shumë e mirë. Ju mirëpresim që të aplikoni për të rinovuar flotën e makinerive bujqësore që nevojiten për këtë procesim gjigant që ka nevojë kjo fermë”, tha Çuçi.