Kryeministri Edi Rama tha se reforma e re për menaxhimin e territorit do të shmangë “gjelat” nëpër Prokurori dhe gjykata, duke iu referuar prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, të cilën e kritikuan pak ditë më parë për mosfillimin e hetimeve për një ndërtim pa leje në zonën turistike të Thethit.
“Reforma e re e territorit, duhet të bëjmë disa përcaktime përfundimtare për të shmangur edhe gjelat në prokurori e gjykata. Zonja Gjeli që bëjnë lojëra nga më të çuditshmet, lojërat fillojnë që nga IMT, IKMT, dhe policia bashkiake që e ka këtë shtesën pa leje por është vetë me leje. Kush? Nuk mund të jetë që taksat e shqiptarëve të paguajnë pastrimin e mijëra metrave kub beton nga prishjet. Nuk mund të jetë që ke një ndërtim dhe bën shtesë pa leje dhe po të kapën nuk të ndodh një gjë dhe ndërkohë shembjen e pastrimin ta bëjë shteti.”, u shpreh Rama.
Paralajmëroi gjithashtu ndërtuesit, teksa tha se nuk duhet t'i marrin në qafë administratorët. “Goditje maksimale për ata më të mëdhenjtë dhe kufizim për më të vegjlit, tha kryeministri.
“Kush bën pa leje shtesë mbi shtesë duhet të paguajë shumë shtrenjtë dhe atyre që merren me ndërtime, iu them mos merrni në qafë administratorët e kantierëve. Do të shkojnë të tërë në burg për moszbatim të lejeve dhe për ndërtim pa leje brenda lejes.”, tha Rama.
Më tutje, kërkoi edhe bashkëpunim me universitetet për burimet njerëzore nëpër institucione. Sipas kreut të qeverisë, edhe studentët bëjnë praktikë pune edhe bashkia fiton punonjës.
“Kjo çështja e burimeve njerëzore duhet adresuar edhe me universitetit. Nuk është aspak e pamundur që t’u drejtohemi universiteteve për të bërë matjet, punën në terren. Kemi disa universitete nëpër territore, kanë fakultete, bëhen një kontratë me fakultetin për pedagogët dhe studentët dhe ata bëjnë një rrugë dy punë, edhe praktikë pune dhe punë në shërbim të bashkisë.”, shtoi Rama.
Lajmi kryesor:
Rama ‘ultimatum’: Brenda së hënës kryetarët e njësive administrative të shkarkuar! Qendër monitorimi për ndërtimet pa leje, Operator kombëtar për ujin e mbetjet
Xh.D/ReportTv.al