Politikë

Rama në Kurbin: Shkollat po rilindin pas shkatërrimit nga tërmeti falë financimit të BE! Soreca: Europa është këtu

1 Qershor 2021, 12:12| Përditesimi: 1 Qershor 2021, 16:37

  • Share

Kryeministri Edi Rama së bashku me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca dhe ministrin për Rindërtim Arben Ahmetaj, kanë ndjekur punimet në shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” në Kurbin. Nga atje Rama tha se falë mbështetjes së BE shkollat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit po rilindin. Rama theksoi se ka përfunduar faza e parë e rindërtimit të shkollave me fondet e qeverisë, dhe po vijon faza e dytë e rindërtimit me fondet e BE-së.

“Projekti është pjesë e fazës së dytë pasi jemi drejt finalizimit të fazës së parë me fondet e qeverisë. Tani jemi në fazën e dytë me fondet e BE-së për të ndërtuar shkolla me cilësi të lartë. Dua të them se shkollat e reja garantojnë kursim energjie dhe një mikroklimë shumë më të këndshëm qoftë në verë dhe në dimër.Në këtë rast dua të falënderoj të gjithë partnerët tanë dhe në veçanti ambasadorin e Bashkimit Europian. Shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” po rilindin për bukuri pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit, falë financimit nga Bashkimi Europian”, shprehet Rama.

Soreca nënvizoi mbështetjen e BE ndaj vendit tonë, që të ecë përpara.

“Dy shkollat po rindërtohen në sajë të Programit të financuar nga BE-ja. 75 milionë euro për më shumë se 60 shkolla dhe janë të gjitha këto fonde që janë dhuruar nga Komisioni Europian. Sot kemi ardhur tek shkolla e dytë, e cila po ndërtohet nga fillimi dhe po vlerësonim pikërisht cilësinë e ndërtimit dhe ky është solidariteti i BE-së për Shqipërinë në formë konkrete, me anën e këtyre fondeve që janë dhuruar për më shumë se 25 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Europa është këtu!” - u shpreh ambasadori Soreca.

Në Kurbin janë 4 shkolla dhe 2 kopshte që do të ndërtohen me fondet e Bashkimit Europian. Një ndër to është edhe shkolla “Demokracia”, me 16 klasa, që do t’i shërbejë rreth 150 nxënësve. Shkolla “Demokracia” është me lotin e parë të grantit të dhënë nga Komisioni.

 

Ora 16:34
Rama në Lezhë: Vijon rindërtimi për 7 pallate të reja, do të akomodohen 600 banorë

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj si dhe nga kryetari i Bashkisë në Lezhë, Pjerin Ndreu, kanë inspektuar ditën e sotme në Lezhë punimet për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në këtë qytet janë 7 pallate të reja për akomodimin e mbi 600 banorëve që humbën strehën në 177 apartemante.

 

Ora 11:49
Rama inspekton punimet në DRSHTRR në Laç: Konçesioni rraskapitës e korruptiv që torturoi drejtuesit e mjeteve merr fund

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku dhe Drejtorin e Përgjithshëm të DRSHTRR, Blendi Gonxhe, kanë inspektuar nga afër punimet e një pike të re kontrolli që po bëhet në Laç. Në këtë pikë do të kryhen mbi 110 mijë shërbime në vit për 54,209 drejtues automjetesh. Sipas kryeministrit, qytetarët do përballen me një ndryshim rrënjësor të këtij shërbimi.

“Duke ndjekur nga afër transformimin rrënjësor të DRSHTRR, ku kryhen mbi 110 mijë shërbime në vit për 54,209 drejtues automjetesh. Ndërkohë prej ditës së djeshme ka nisur shërbimi publik i kontrollit të mjeteve, pas dhënies fundit të konçesionit rraskapitës e korruptiv, që torturoi me vite drejtuesit e automjeteve. Sipas një kalendari të mirëorganizuar përmes shërbimeve online dhe fizikisht të automjeteve, drejtuesit e automjeteve do të prekin një ndryshim rrënjësor në cilësinë e shërbimit ”, shkruan Rama.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, tha se ky autoritet do të jetë më i ashpër me qytetarët e thjeshtë.

“E mira nuk ka fund po nëse ruajmë tarifat dhe rrisim standartet, do jemi të sigurtë edhe me flotën në rrugë, por do të jemi me dorë më të fortë, pra do kemi një sjellje tjetër. E kemi thënë, do ta fillojmë nga vetja, nga shteti sepse flotat publike janë ato që sot kanë problemet më të mëdha, flotat komunale të bashkive shpesh na paraqisin problemet më të mëdha. Ta nisim nga vetja të japim shembullin që ne dimë të korrigjojmë flotat tona një herë pastaj pastaj te jemi më të ashpër dhe me ata”, tha Gonxhja.

Pas pezullimit që nga janari i këtij viti, dje rifillojnë shërbimet e kontrollt teknik të mjeteve.  Puna ka filluar me mjetet shtetërore si ambulancat apo makinat e policisë, të cilave u është dhënë përparësi për shkak të sigurisë që duhet të ofrojnë si dhe mjetet e tonazhit të rëndë ose kamionët, të cilëve u nevojitet certifikata për udhëtimet jashtë vendit.

//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?