Kryeministri Edi Rama nesër në orën 09:30 do të mbledhë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të shpallur qeverinë e re. Rama pritet të listojë prioritetet e mandatit të 4 dhe ekipin me të cilin do të drejtojë vendin në mandatin e 4.
Lidhur me këtë, juristi Romeo Kara, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Ermal Qori, tha se në krye të ministrive duhet që të jenë njerëz që kanë dhënë kontribut në parti.
Sipas tij, partitë duhet që të bëjnë edhe një analizë të brendshme.
‘Nuk ka ndonjë kuriozitet për emrat e rinj. Këta shohin që ti bien në sy kryeministrit dhe më pas të jetë edhe për deputet edhe për ministër. Partitë që kanë vrarë meritokracinë nuk prodhojnë demokraci. Po këta do shkojë atje dhe do ja dinë për nderë kryeministrit. A ka një analizë nga partia për 3 qeverisjet e mëparshme. Këtu duhet që të bëhet një analizë edhe nga krahu tjetër. Po të bëhej analizë në PD s’duhet që të ishte Berisha atje. Këta s’kanë analizë. Edhe programi i tyre ka qenë për ambiciet e tyre personale,. Duke marr njerëz pa asnjë kontribut në parti, eksperienca është kryesore. Mënyra si janë zgjedhur, nga një person, nuk e di asnjë brenda PS do jetë ose jo ministër’, tha ai.
Për gazetarin Ardit Rada, kabineti i ri qeveritar do të ketë ata emra, të cilët janë marrë me procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Ai theksoi se në kabinetin e ri qeveritar mund të jenë edhe figura me peshë politike në PS.
‘Unë kam qenë i pari që kam hedhur tezën e ministrave teknik. Kabineti i ri do të ketë ata njerëz që janë marr deri më sot me negociatat e vendit për në BE. Rama ka treguar se i ndryshon strukturat e ministrive. Po unë nesër mendoj se do të ketë disa persona me peshë në PS. Këta janë ministra që mund të emërohen dhe më pas nga nëntori mund të lëvizin sërish dhe të zvendësohen me emra të tjera. Njoftimi i kabinetit të ri si traditë duhej që të të bëhej në fund të gushtit dhe fakti që Rama e shtyu do të thotë se ajo që ai ka menduar do të ofrojë një farë serioziteti’, tha ai.
Rada bëri edhe një parashikim se cilët ministra nga mandati i 3 mund të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar për mandatin e 4.
‘Rama ka pasur një kujdes për hartimin e listave për deputetët dhe mendoj se këtë kujdes do ta ketë edhe për ministrat e ardhshëm. Ministri Igli Hasani nuk është akuzuar kurrë nga opozita e shoh figurë pozitive. Pirro Vengun e shoh si pjesë e kabinetit. Ervin Hoxha ka arritur kulmin e karrierës së tij dhe e shoh si një personalitet që mund të lëviz nga kabineti dhe mund t’i besohet ndonjë detyrë tjetër. Ulsi Manja e ka bërë detyrën e tij është gjetur përballë shumë sulmeve, unë nuk e shoh më tek Ministria e Drejtësisë. Dhe besoj se do të ketë një lëvizje në këtë ministri. Ogerta Manastirliu figurë pozitive, iu besua ministria e Shëndetësisë dhe pas edhe ajo e Arsimit dhe mendoj se do ti besohet një ministri me një peshë më të lehtë’, tha ai.
Komente
