Gjatë prezantimit të programit për shërbimet për qytetarët dhe biznesin kryeministri Edi Rama ka thumbuar LSI dhe kreun e PD Lulizim Basha.
“Më tutje, le t’i marrim me radhë ndryshimet që kanë ndodhur falë revolucionit dixhital.
U nis me certifikatën e famshme, personale dhe familjare, vazhdoi me certifikatat e akteve të cilat printohen nga shtëpia. Pa kosto. Ju kujtohet sa duhet të paguanit për një certifikatë mbasi mbanit radhë? Ndërkohë jemi angazhuar me dixhitalizimin e të gjitha ekipeve të gjendjes civile. Nuk është një fjalë goje, është një punë super voluminoze, regjistër për regjistër, emër për emër, familje për familje, vit për vit, në mënyrë që lëshimi i certifikatave të bëhet online, edhe për periudhën 1974 – 2010, që është periudha e fundit që ka mbetur pa u dixhitalizuar, ndërkohë që gjithçka tjetër vjen mbrapa, dixhitalizohet automatikisht.
Po për dëshminë e penalitetit? A e mbani mend apo jo se sa herë ju është dashur pa pasur fare lidhje me asgjë në të shkuarën nga pikëpamja e marrëdhënies me ligjin, por për arsye të ligjit që kërkon dëshmi penaliteti për një aktivitet apo një tjetër, për një dosje vërtetimesh, për kërkimin e një dokumenti tjetër, që kur keni shkuar për të marrë dëshminë e penalitetit, duhet të paraqiteshit në postë, duhet të paguanit 4200 lekë, duhet të prisnit 14 ditë, teorikisht 14 ditë se pritja mund të zgjaste edhe 14 muaj ose nëse do donit ta afronit tek 14 ditëshi, duhet të shkonit prapë, duhet të tundnit xhixhat, apo jo, duke rrezikuar të humbisni mundësinë për të aplikuar për atë punë të dëshiruar apo për atë licencë të kërkuar apo për çfarëdo qoftë tjetër që kërkon dëshminë e penalitetit.
Sot, dëshmia e penalitetit merret pa lëvizur fare nga shtëpia, pa lëvizur nga vendi edhe nëse je jashtë shtetit me pushime, pa asnjë kosto dhe brenda 5 ditësh vjen automatikisht me vulën elektronike. A ju kujtohet apo jo? Nuk ishte para 70 vjetësh, ishte deri para 7 vjetësh, deri para 6 vjetësh, deri para 5 vjetësh, ishte faktikisht deri përpara sesa me ndihmën tuaj ne të hiqnim nga prehri atë gjënë, se gjë është, atë gjënë që sot është në fytin e Lulit që quhet LSI.
Të rinjtë shqiptarë aplikojnë online për fondin e ekselencës, regjistrohen në shkollat profesionale, marrin vërtetimin dhe njehsimin e diplomave, por ata që e kanë kaluar këtë aventurë në të shkuarën, a ju kujtohet? Për të marrë vërtetimin dhe njehsimin e diplomës, sa mund të zgjaste? Po provimet e shtetit ku sot rezultatet e provimit i merr direkt në smartphone, ti i merr direkt në kompjuter, ti mund ti printosh, me vërtetimin me vulë elektronike. Dëftesat do të printohen me vulë elektronike, sapo të mbarojë dixhitalizimi i gjithë sistemit para universitar dhe do të fillojnë të përdoren qysh në vitin e ardhshëm shkollor”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
'Shqipëria lider në rajon në qeverisjen digjitale', Rama: Bëmë revolucion pasi hoqëm nga prehri LSI, 95% e shërbimeve online! Kemi tkurrur korrupsionin
//ReportTv.al