Kryeministri Edi Rama, në konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, vuri theksin tek mungesa e punonjësve të kualifikuar. Rama tha se kjo ka filluar të ndihet edhe mnga sipërmarrja, të cilët e kanë të vështirë të gjejnë kapital njerëzor të kualifikuar. Kjo sipas tij, i ka detyruar që të rrisin ndjeshëm edhe pagat.
Kreu i qeverisë vuri sidomos theksin në industrinë e turizmit, duke thënë se po përballet me mungesë punonjësish të kualifikuar.
“Nevoja për krah të kualifikuar pune e ka bërë 2024 dhe ka shënjuar këtë dekadë si dekadën e një lufte, e cila ka nisur dhe intensiteti i të cilës po rritet në të gjithë Europën. Është një luftë për të përballuar pasojat e rënies dramatike demografike të Europës, e cila na vë ne dhe vende si ne këtu në Europë përballë një sfide të dyfishtë, rritjes së aftësive profesionale të të rinjve tanë për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu pune gjithmonë e më kërkues për krah të kualifikuar dhe nga ana tjetër përballimi i presionit gjithmonë e më të fortë të vendeve të pasura dhe mëdha të Europës për ta thithur këtë krah të kualifikuar pune. Sot kushtet për të pasur një debat të hapur për arsimin profesional dhe për të krijuar një sens të përbashkët vlerësimi të domosdoshmërisë së mbështetjes së kualifikimit profesional të të rinjve janë shumë të favorshme për faktin që sipërmarrja ka filluar të ndjejë lagështirën dhe të shoh me sytë e vet në përditshmëri kundërshtinë mes ambicies, nevojës dhe mundësive për t’u rritur dhe nga ana tjetër mungesës alarmante të kapaciteteve njerëzore.
Kjo ka filluar të reflektohet në mënyrë të ndjeshme në rritjen e pagave që është A, pa të cilën i gjithë alfabeti është i mangët dhe në formësimin se kapitali njerëzor nuk është i fundit siç është trajtuar për vite të tëra, por është i pari. Një ndarje më e drejtë e fitimit me vetë punonjësit nuk është çështje zemërgjerësie, pro domosdoshmërie. Në këto kushte është mundësia për të krijuar një dialog me sipërmarrjen, për nevojën e kontributit të kompanive në rritjen e kapacitet të shtetit për të formuar të rinjtë me zanatet dhe aftësitë. Sot jemi para një fakti kokëfortë në turizëm, që është një industri e re në Shqipëri, në kuptimin e krijimit të një ekosistemi i cili po rrit me shpejtësi ambicien, mundësitë e investimeve. Problemin e kanë te kapitali njerëzor, kjo shkon në kundërshti me faktin që s’kemi mungesë njerëzish, por kemi mungesë kualifikimi të njerëzve, s’kemi mungesë të rinjsh që mund të përfshihen dhe të kenë një rrugë të sigurt, por kemi mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke i zotëruar aftësitë për të cilat ai vend ka nevojë”, tha Rama.
Rama thotë se duhet të nisë një proces dialogu mes institucioneve shtetërore dhe sipërmarrjeve dhe të bashkërendojnë forcat. Rama thotë se duhet të ketë punësime me paga dinjitoze.
"Këtu nis nevoja për një strukturë të re të marrëdhënies mes industrisë dhe aktorëve në sektorin publik, qeveria, në nivelin qendror, bashkitë, shkollat profesionale shtetërore ose private. Është koha të ftojmë sipërmarrjen në një arsyetim ne nevojën e bashkërendimit të forcave, e investimit të përbashkët me kushte të qarta, me përfitim reciprok, për ne që të punësojmë me paga dinjitoze sa më shumë forca pune dhe për sipërmarrjen të këtë forca pune që i paguan në mënyrë dinjitoze dhe merr mbrapsht performancën dinjitoze.
Ka një liste renditje të të ardhurave dhe pagave mesatare në rajon, Mali i Zi prej vitesh është në vend të parë, me diferencë të ndjeshme se vendet e tjera, por nuk është barazuar. Mali i Zi nuk prodhon raketa, municione, ka qenë vendi pioner i transformimit të turizmit dhe ka krijuar një industri të turizmit me reputacion të mirënjohur dhe ka ngritur të ardhurat për frymë dhe sistemin e pagave", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Bizneset, me hir apo pa hir, do financojnë arsimin profesional! Na duhen punonjës të kualifikuar me paga dinjitoze
SI.E.//ReportTv.al