Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me komandantin e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Afrikë, Admiralin Stuart B. Munsch.
Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i qeverisë shprehet se theksoi se takimi u zhvillua në kuadër të hapave që qeveria shqiptare po ndërmerr për rilindjen e industrisë ushtarake, si dhe për ecurinë e projekteve strategjike si Korridori VIII dhe Porti i Ri i Durrësit.
“Në takimin me Komandantin e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Afrikë, Admiralin Stuart B. Munsch, në kuadër të hapave që Shqipëria po ndërmerr për rilindjen e industrisë ushtarake, si edhe për ecurinë e projekteve të Korridorit VIII dhe Portit të Ri të Durrësit”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Gjatë këtij takimi përveç Ramës ishte i pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Foto: Stuart Munch dhe Edi Rama
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka bërë një postim në rrjetet sociale lidhur me takimin e kryeministrit Rama me Admiralin e Forcave Detare të SHBA për Europën dhe Afrikën, Stuart Munch.
Ambasada shprehet se gjatë bisedimeve, u theksua partneriteti i ngushtë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë, si dhe angazhimi i përbashkët në kuadër të NATO-s.
Admirali Munsch shprehu mirënjohjen për rolin aktiv të Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve logjistike të Aleancës, duke vlerësuar investimet strategjike në porte dhe infrastrukturë, veçanërisht në Porto Romano. Në takim ishte dhe e Dërguara me Punë e Shteteve të Bashkuara, Nancy van Horn.
Postimi i Ambasadës së SHBA:
Sot, Admirali Stuart Munsch, Komandanti i Forcave Detare të SHBA për Europën dhe Afrikën si dhe i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli u takua me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar partneritetin e fortë në fushën e sigurisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si dhe angazhimin e përbashkët ndaj Aleancës së NATO-s. Admirali Munsch e falënderoi Shqipërinë për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e aftësive logjistike të Aleancës së NATO-s përmes investimeve kombëtare në porte dhe infrastrukturë portuale, siç është Porto Romano.
Komente
