Politikë

Rama me të rinjtë: Hapim shkollë të re teknologjie te Piramida, e inaugurojmë me Macron! E ardhmja jonë evropiane është këtu

30 Prill, 12:20| Përditesimi: 30 Prill, 15:29

  • Share

Kryeministri Edi Rama, në një takim me të rinjtë të angazhuar në fushën teknologjike dhe të inovacionit, tha se synojnë që ta çojnë numrin e laboratorëve inteligjentë nëpër shkolla në 1000. Kreu i qeverisë tha se është e nevojshme që të shtohen 'rrugët' për të aksesuar më shumë teknologjinë në vend. 

"Kemi sistemin e laboratorëve inteligjentë në shkolla, sot janë 340 shkolla që kanë laboratorë inteligjentë, ku fëmijët që në klasë të parë fillojnë të marrin nocionet e para të teknologjisë dhe kodimit. Plani është që laboratorët inteligjentë të shkojë 1 mijë, të mbulohen të gjitha shkollat, është i financuar tanimë.", tha Rama, duke shtuar se drejt përfundimit është edhe një tjetër strukturë teknologjike në Vlorë. 

Kryeministri theksoi gjithashtu se së shpejti do të hapë së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron edhe një shkollë teknologjike te Piramida. Sipas tij, kjo shkollë do të shërbejë për grupmosha të ndryshme, teksa shtoi se një '40, 45 apo 45-vjeçar të mos shihet si një dinozaur kur i afrohet sistemit të teknologjisë'. 

Rama përmendi gjithashtu edhe interesin e madh të kompanive të huaja për ta bërë vendin si një 'pikë' për operacionet e tyre në fushën e teknologjisë. Ai vuri theksin edhe te nevoja e madhe për të "bashkëlidhur" universitetin me tregun e punës. 

"Po shohim një prurje të pazakonshme kompanish të huaja që duan të konsiderojnë Shqipërinë si pikë për të vendosur operacionet e tyre në fushën e teknologjisë. Nga ana tjetër, jemi të vetëdishëm kemi një hendek akoma të konsiderueshëm në kërkim-zhvillim dhe t’i japim më shumë së bashku për të forcuar këtë dhe zvogëluar hendekun që ka sot midis universitetit dhe tregut.", tha Rama. 

Teksa përmendi shembullin e një kompanie të suksesshme teknologjike në Shqipëri, Rama tha se raste të tilla na bëjnë që të kuptojmë se "e ardhmja evropiane e jona është këtu. Mjafton ta duam, ta kërkojmë dhe të dimë se si ta kërkojmë dhe mund ta bëjmë të sotme pa diskutim".

Rama shtoi se pagat e larta në këtë sektor, të përafërta me vendet evropiane, janë një tjetër faktor që duhet t'i nxisë të rinjtë të angazhohen në këtë fushë. 

"Për të ardhur te pika kyçe  pagave, të ardhurave që krijohen përmes përfshirjes në sipërmarrje ose punësimit në këtë sektor, të ardhura sot shumë të përafërta me të ardhurat në vendet e tjera të botës e Evropës.", tha Rama. 

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?