Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi sot (2 maj) takimet elektorale, duke u zhvendosur në qarkun e Dibrës, në fushatë përmbyllëse për zgjedhjet e 11 majit.
Drejtuesi i mazhorancës ishte në qytetin e Burrelit, ku bëri edhe prezantimin e investimeve 10-vjeçare në qarkun Dibër. Ai ishte i shoqëruar nga drejtuesi politik Blendi Klosi dhe kandidatët për deputetë.
Rama ironizoi edhe kryetarin e PD-së për kontratën e lobimit në SHBA me vlerë 6 milionë dollarë, duke iu referuar indirekt edhe Lulzim Bashës. Ai shtoi se "kjo dardhë ka bisht të gjatë mbrapa".
"S'kishim parë gjë akoma me 7 herë 7 bëjnë 42 të Lulit, tani kemi 7 herë 7 bëjnë 6 milionë dollarë të bufit. Na qenkan ngritur ca patriotë dhe po paguajnë për të shpëtuar PD-në. Por duket se kjo dardhë ka bisht të gjatë mbrapa", u shpreh Rama mes të tjerash.
Para takimit ai kishte bërë edhe një postim të shkurtër në Facebook:
“Drejt finishit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shprehet kryeministri në postimin e tij në rrjetin social.
Gjithashtu foli edhe për partitë e reja që duan të pengojnë integrimin dhe që janë "pjella apo farë e LSI-së", që i shërbejnë të njëjtit qëllim si "këneta". Ai sulmoi edhe Berishën se "foli keq për Shqipërinë në Kongresin e PPE", pasi nuk e do integrimin e vendit në BE.
“Ca formacione që të re kanë vetëm moshën e kryetarit. Janë nga e njëjta farë që ndjesë pastë e polli LS-ja dhe thonë se do bëjnë zgjedhje të parakohshme pas 11 majit poe patën në dorë! Ndërkohë që ne kemi fatin që të mbyllim proceset deri më 2027, nga ana tjetër kemi kënetën, bufin e lodhur që ka humbur e lidhjen, nuk lë gjë pa thënë për vendin e vetë atje te PPE-të, që ngatërron edhe kallëzuesin", nënvizoi kryeministri.
Kryesocialisti Edi Rama tha ndër të tjera në fjalën e tij se 9 ditë i ndajnë nga takimi me historinë, teksa theksoi investimet e kryera deri tani dhe ato në vijim, ku pas Rrugës së Arbrit pritet edhe ajo e Lurës dhe Ulëzës.
“Jemi vetëm 9 ditë larg të një takimi me historinë në kuptimin e plotë të fjalës. Unë jam i lehtësuar që nuk po bëjmë tjetër fushatë duke vazhduar të themi se do bëjmë Rrugën e Arbrit, por po bëjmë fushatëm duke ardhur nga Rruga e Arbrit. Unë them se ka qenë dibran ai që ka thënë se “oreksi vjen duke ngrënë”. Kjo rrugë sjell jo vetëm lehtësim të lidhjes së njerëzve me Tiranën, por hap edhe horizont krejt të ri për investimet në turizëm. Në dekadën e ardhshëm Dibra do jetë pjesa më e lakmuar e metropolit të Shqipërisë dhe akseset në pikat më të bukura janë të domosdoshme. Jemi në proces dhe me ndihmën e Zotit shpresoj që deri në fund të vitit të arrijmë edhe rrugën e Lurës. E di që ka konkurrencë të brendshme mes Dibranëve dhe Matjanëve, pasi sa herë i them ndonjë gjë për dibranët nuk ka duartrokitje të nxehta, por mos u mërzisni se do bëhet edhe rruga e Lurës, edhe ajo e Burrelit me Ulëzën. Zonë shumë e bukur dhe tani që vihet më lehtë, e do transformohet, ku do lehtësojë edhe mundësinë e investimeve të tjera”, tha kreu i mazhorancës.
Në një moment të fjalës, kur po këndohej ezani nga xhamia e qytetit, Rama u shpreh “ta respektojmë”.
Në rikthim të fjalës së tij, ai vijoi me batutë edhe për ish-kryebashkiakun Agron Malaj, që kandidon për deputet më 11 maj:
“Na ndërpreu në momentin kur po flisnim për investimet, se pimë dhe një gotë ujë më parë dhe po i thosha Agronit (Malajt)... Se ka bërë shumë shpenzime Agroni, nuk na dha as një kafe...! (bën batutë)”'
Rama tha se po i thonë se disa burra janë mërzitur për fjalën “çyryk”, duke shtuar se nuk do e përmendtte atë fjalë.
Ndërsa iu përgjigj disa mediave dhe analistëve që shohin vetëm “zi” dhe flasin sipas tij në 'mejhane e berberhane televizive e poralesh'.
“Nuk po them fjalë këtu (fjalën çyryk) se më thanë se janë mërzitur burrat për atë fjalë. Nuk kanë pse mërziten... Kur thuhej në sondazhe se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe shifrat dukeshin të pabesueshme, e këta thoshin si ka mundësi.
Njëri thoshte “populli është i sëmurë”, tjetri “është i çmendur”, njëri ia kthente “populli i blerë, i ka blerë Rama”, ose “populli ka frikë e flasin kështu”, e asnjëri nuk e thoshtë që shiko se populli mund ta ketë të drejtë, por flasin si në mejhane. Këtu ka 24 orë ujë, por ata atje përsërisin pa pushim të njëjtat fjalë, s’ka ujë, siguri, njerëzit po vriten e bla-bla-bla. E vërteta është se është e vështirë të marrësh vesh çfarë ndodh në Shqipëri se nuk të tregon kush, programet nuk t’i japin, portalet harrohen, ndaj ndajmë të dhënat së bashku këtu (shpjegon tabelat)”, vijoi kryeministri, ndërsa me një hologramë nisi të shpjegonte arritjet në fushat kryesore në Shqipëri.
Teksa shpjegonte shifrat ekonomike në 12 qeverisje të PS-së, duke iu referuar statistikave ndërkombëtare dhe jo atyre qeveritare, Rama kujtoi edhe kreditë e këqija të ish-qeverisë së Berishës deri në 2013 dhe borxhet që la me tendera të dhënë dhe investime të pakryera, duke shtuar se “merrnin pagesa 100 mijë euro”, duke krijuar gropa ekonomike.
“Mbetën edhe shkollat pa shkumsa se nuk jepnin lekët për kreditorët. Shikoni kreditë e këqija. Dhanë tendera e rrugë, duke ua thënë se ua kemi borxh, do ua japim, nisni ju punimet se ua japim ne më vonë paratë dhe arritëm këtu. Bënin miliona euro, merrnin 100 mijë euro dhe thoshin të tjerat më pas dhe lanë këtë gropë. E lanë këtë humnerë, me borxhe dhe vota e 2013 nga ju e shpëtoi këtë vend", tha ai.
Rama shpjegoi rritjen e pensioneve, rrogave, përmirësimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor, reformën e taksave dhe tatimeve, bashkë me investimet e mëdha në infrastrukturë dhe energji.
Rama në narrativën e tij kujtoi edhe kohën kur Shqipëria në arenën ndërkombëtare shihej si një “milet i dorës së dytë”, teksa apeloi që më 11 maj të derdheshin të gjithë te kutitë e votimit për ditën historike dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Madje ai bëri edhe batutë duke thënë se gratë e kuptojnë shumë më mirë këtë situatë, pasi nuk luajnë as domino, ndaj dhe shtoi se “fati i vendit nuk mund të lihet në dorën e lojës së dominosë”.
“Na kanë trajtuar si milet i dorës së dytë, edhe pse jemi ndër popujt më të vjetër të Europës, e tani jemi te dera e BE-së. Më 11 maj të derdhemi te kutitë e votimit, i bëj thirrje të gjithëve, e në veçanti gratë e vajzat dhe kam besim, se gratë e kapin më mirë këtë punë, po gratë! A keni parë ju ndonjë grua që luan domino? Hë, keni parë, unë jo! Se kam lozur edhe unë domino këtu, diku aty, kanë qenë ca tavolina. Nuk kam gjë me dominotë unë! Por a mund ta lësh fatin e Shqipërisë në lojën e dominove?”, u shpreh ai.
Dhe në fund për një apel ndaj dibranëve që të kapin “Paketën e maleve” e të investojnë, pasi pas 5 vitesh kjo zonë do bëhej “Zvicra e Shqipërisë”.
“Dikur talleshin me mua kur thosha se Dibra do bëhet divani jeshil i Tiranës dhe ja erdhi dita, e do vijë dita që do shkojë kafja nuk e di sa euro, 5 vjet janë për dibranët këtu që të bëjnë planet, e që do jetojnë në një vend që do jetë njësoj si Zvicra e Shqipërisë”, përfundoi kryeministri.
Ish-kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, mbajti fjalën hapëse për këtë takim elektoral, ku renditi edhe investimet e realizuara në rreth gjatë një dekade.
“Sot, rrethi i Matit është me 24 orë ujë. Kur e premtonim, njerëzit nuk e besonin, por investimet u realizuan, e kemi pasur mbështetje të fortë në arsim, shëndetësi, kulturë dhe të gjitha fushat e tjera. Më 11 maj i gjithë qarku i Dibrës dhe rrethit të Matit do mbështesi PS-në dhe Shqipërinë Europiane, ku theksoj atë që u bë për Rrugën e Arbrit, faleminderit dhe mirënjohje, sepse na afruat me Tiranën”, tha Malaj.
Kryeministri Edi Rama nuk i la jashtë vëmendjes së diskursit të tij elektoral në Burrel partitë e reja dhe qëllimin e tyre politik.
Ndërsa shpjegonte për qytetarët se ndërsa qeveria punon për të kapur vitin 2027 për mbylljen e negociatave me BE-në dhe anëtarësimin, “bufi i kënetës” dhe “ca formacione të reja politike” punojnë për ta kthyer mbrapsht, për ta penguar.
Ai tha se partitë e reja deklarojnë zgjedhje të parakohëshme pas 11 majit nëse do e kenë në dorë fatin e vendit, kurse Berisha sipas tij “nxin Shqipërinë në PPE”.
“Ça t’u themi atyre në BE ne, ‘dale se na ka dalë një buf kënetë atje, e ca formacione që nuk e dimë se nga dolën...?!”
Dhe teksa fliste për këtë temë politike të fundit, vijoi:
“Ca formacione që të re kanë vetëm moshën e kryetarit. Janë nga e njëjta farë që ndjesë pastë e polli LS-ja. Këto fara që ende pa u hapur veza na thonë se po ta kemi në në dorë do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që ne kemi fatin që të mbyllim proceset deri më 2027, nga ana tjetër kemi kënetën, bufin e lodhur që ka humbur e lidhjen, nuk lë gjë pa thënë për vendin e vetë atje te PPE-të, që ngatërron edhe kallëzuesin, e tani me këto të voglat, t’ua lësh këtyre në dorë, në vend që shqiptarët të marrin pasaportën europiane apo që të përmbushet profecia e Skënderbeut, me fatin tonë në perëndim. Pastaj me amanetin e rilindasve me diellin që lind nga perëndon, njerëzve të tjerë më pas dhe deri tani që na ka ardhur në dorë për të shkuar në BE, ëndrrën tonë të madhe”, u shpreh kryesocialisti.
Më herët ai iu referua edhe takimit elektoral të Berishës në Dibër teksa fliste për investimet, duke vënë në dukje se “edhe bufi e kishte lavdëruar “Rrugën e Arbrit”.
“Pashë edhe bufin këtu në Dibër, tha jam shumë krenar që e bënë, e dëgjuat ju kur e tha? Por shtoi se “këta e kanë vonuar”, por tha që u bë (rruga e Arbrit)...”, tha ai.
Kryesocialisti Edi Rama komentoi shkurtimisht edhe kontratën e lobimit të PD-ADSHM me kompaninë amerikane ‘Continental’, të cilën Sali Berisha dje e shpjegoi si të ligjshme, akt të disa patriotëve shqiptarë që po financojnë për të përmirësuar imazhin e partisë në SHBA.
Teksa shpjegonte shifrat e arritjeve në tre mandate, ai mori si referencë qeverisjen e kaluar dhe ‘thumboi’ me ironi Lulzim Bashën, por duke dalë te qëllimi kryesor, “bufi i kënetës”.
“E pamë këtë punën e matematikës së tyre dhe shifrave. E pamë kur Luli thoshte 7 herë 7 bëjnë 42. Mirëpo ne s'kishim parë gjë akoma. Se tani ka dal bufi e thotë jo, 7 herë 7 bëjnë 6 milionë dollarë! Se thotë aq janë, po s'janë të miat, e dëgjuat? Po të kujt janë? Dhe na thotë se do i paguajnë patriotët, na kanë dalë ca patriotë që do i paguajnë për PD-në, se na janë mërzit për gjendjen e saj e do e ndihmojnë! Dhe kjo duket se është një dardhë që e ka bishtin shumë të gjatë, e që do dali më vonë!”, komentoi Rama, duke vijuar me tabelën e radhës në shifra.
Kryesocialisti Edi Rama e shoqëroi fjalimin e tij para mbështetësve të PS-së në Burrel ehde me batuta.
Teksa do kalonte te shpjegimi i tabelave-hologramike të arritjeve qeveritare në 12 vite, referuar statistikave ndërkombëtare, ai u “shqetësua” nga një qytetar që çuditërisht kishte hipur në pemë.
Duke iu drejtuar nëse kishte mbaruar me telefonin, kreu i PS-së vijoi:
“He re mbarove me atë telefon ti? Maj pemës ti, e flet në telefon. Unë thashë ça ka ky maj pemës, ti flet në telefon! S’i kapte vala aty poshtë dhe flet në maj të pemës në telefon...!” (i shpjegon të pranishmëve).
Më pas Rama vijoi me realizimet e programeve të qeverisë në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë.
Komente
