Rama: Të bindim BE që të krijojë mundësi që universitetet tona të hyjnë në sistemin europian

12 Shtator 2022, 10:27| Përditesimi: 12 Shtator 2022, 11:03

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama theksoi se dy element në të cilët duhet të fokusohet Kongresi është arsimi profesional dhe universiteti, ndërsa vëmendje të madhe duhet të marrë njehsimi i diplomës në vendet e BE dhe krijimi i kolegjeve profesionale.

“Këtu do të ketë 2 ditë panele dhe punë me aspektet e veçanta, por dua të ndalem dhe pak tek 2 elementë të tjerë, arsimi profesional dhe universiteti.

Arsimi profesional ka bërë hapa të rëndësishëm por të pamjaftueshëm. Ashtu si me universitetin. Por të kthehemi për një moment nga jemi nisur, është dita me natën. Të gjithë i kujtoni universitetet fantazëm që shisnin diploma, i kujtoni radhët kaotike, merita nuk ishte e gjitha, lidhjet partiake, shoqërore e korruptive përcaktonin shumë. Sot kjo nuk ndodh më, nuk ka shans që fëmija i një deputeti të zërë radhën e një fëmije të një bariu se i gjithë procesi është i dixhitalizuar dhe rëndësi ka rezultati.

Çdo ndërhyrje lë gjurmë dhe nuk ka të tilla. Sot procesi nuk ka asnjë ankesë për padrejtësi. Edhe ai proces ka nevojë për përmirësime, të cilat janë diskutuar dhe ne po i bëjmë hap pas hapi. Ndërkombëtarizimi i të gjithë sistemit tonë universitar është domosdoshmëri. Shpresojmë që përmes lobimit politik pranë BE dhe KE duke përfituar dhe nga pozicioni i ri që kemi si vend që negocion së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor, ta bindim BE që ta përfshijë sistemin universitar të vendeve tona në sistemin europian për t’i krijuar mundësi universiteteve tona të hyjnë në sistemin universitar europian, ku më pas sinergjitë dhe njehsimi i diplomës është shumë i thjeshtë dhe proces i mbështetur financiarisht.

Krijimi i kolegjeve profesionale është objektivë që duhet ta ndjekim e plotësojmë. Dua të rikapitulloj se për ne, dixhitalizimi i vendit dhe i ndërveprimeve në nivelin e sipërmarrjes dhe të marrëdhënieve të qeverisë me qytetarët, si një proces themelor për të krijuar kushte për një punësim cilësor dhe të ardhura më të larta është prioritet në arsim”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kongresi Kombëtar i Arsimit! Rama: Gjuha shqipe sot më e rrezikuara, kërcënimi më i madh se asnjëherë! Të mbrohet me provim njësoj si anglishtja


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?