Nga Athina, të dielën e 12 majit (2024) Kryeministri Edi Rama nis turin me diasporën nën moton: 'Krenar për Shqipërinë'
Takimi i kryeministrit me komunitetin shqiptar atje ka ngjallur mjaft debat dhe diskutime si në kryeqytetin grek edhe këtu. Temë diskutimi ishte edhe mbrëmjen e sotme në ‘Frontline’ në Report Tv me të ftuarit e moderatores Marsela Karapanço.
Deputeti i PS, Lavdrim Krashi thotë se takimi nuk është thjesht partiak.
'Diaspora është pjesë e Shqipërisë. Ndihma që ka dhënë për çështjen shqiptare ka qenë e jashtëzakonshme, sidomos lobimi në kancelaritë botërore, por edhe mbështetja gjatë 30 viteve.
Takimet nuk janë takime partiake në sensin e ngushtë të fjalës. Janë bashkëbisedime me qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në 5-6 muajt e fundit PS është në fazën përmbyllëse të procesit të rienergjizimit', tha Krashi.
Por ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Skerdjan Dhuli mendon se Rama po shkon për fushatë në Athinë.
'Rama e koncepton shtetin, partinë dhe personin në një. Shkon për fushatën elektorale të 2025. E njeh mirë propagandën. Nuk është problem pse Rama bën miting në Athinë, Londër apo Romë. Çështja është qasja, arsyeja që po përdor në këtë histori', thotë Dhuli.
Me lidhje skype nga Athina, gazetari Panajot Barka analizon zhurmën që ka krijuar vizita në Greqi.
'Në stadiumin 'Galatsi' do bëhet takimi i Ramës. Kemi mbajtjen e një fjalimi, koncert muzikor. Përfundimisht Galatsi do jetë stacioni i fundit.. Kjo vizitë, sipas Mitsotakis ishte e panevojshme, bëhet në kuadrin e marrëdhënieve jo të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Kishim deputetë nga partia e Mitsotakis që kundërshtuan duke marrë shembullin e Merkel që ndaloi Erdogan të bënte tubim në Gjermani. Por pranohet, nuk mund të pengohet, jemi në demokraci. Këtu mbaron çështja e qëndrimit politik.
Problemi i dytë janë, mediat, në zhurmën që krijohet. Në lidhje me datën, 12 maj që përkon me arrestimin e Belerit dhe tjetra është fakti i ndikimit të Ramës në fushatën elektorale për zgjedhjet në Parlamentin europian
Nuk janë shumë që të ndikojnë në këto zgjedhje. Ato që janë më shumë janë minoritarët. Nuk ka asnjë informacion të tillë. Besimi im absolut është nuk do ketë diçka të tillë. Është abuzim mediatik. Nuk ka lidhje me kushtet në të cilat funksionon Greqia. Edhe një pjesë e mediave ka rënë viktimë e përplasjeve për çështjen Beleri. Dhe është krijuar kjo sforco', tha ndër të tjera Barka.
Gazetari Ferdinand Dervishi e sheh vizitën si përpjekje e Ramës për të motivuar emigrantët të votojnë PS në zgjedhjet e ardhshme.
'Më duket sikur dikujt i pëlqen të quhet provokim. Nuk shkon si hero që futi në burg Belerin. Nuk shoh se po i bëhet ndonjë dëm grekëve. E shoh peshën vetëm tek motivimi i emigrantëve për të votuar PS në zgjedhjet e ardhshme. Një arsye është fuqizimi i partive të reja, jo tradicionale, në diasporë' thekson Dervishi.
Gazetari Poli Hoxha shton ndër të tjera se Ramës i pëlqejnë provokimet, edhe nëse ndodhin incidente, janë në favor të tij
'Ramës i interesojnë provokimet. Në të dyja fotot që ka hedhur, ka flamur të madh grek. Një mesazh që unë jam mik i Greqisë dhe shqiptarët tani janë qytetarë të denjë. Ramës i intereson kjo sepse ai ka këto zgjedhje sepse jo se ka ndonjë projekt, por si finale mbijetese. Shpresa e vetme që të mos përfundojë si bashkëpunëtorët e tjerë, është pushteti, si kryeministër, zgjedhje jetike.
E ka filluar fushatën goxha. Greqia është hambar votash. Në fund të pushteteve përdoret karta nacionaliste. Edhe Berisha para 2013, thoshte Shqipëria nga Parga në Nish. Mund të ndodh ndonjë protestë, prapë do ti interesojë. Sepse thelbi, të shkosh tek diaspora kur ndërkohë je duke sabotuar votën e tyre, habitem. Të shkosh në Greqi, duhet patjetër të kesh lëkurë të fortë', u shpreh Poli Hoxha.
Drejtori i Arkivës, Ardit Bido me lidhje skype shprehet se nuk ka asnjë furtunë mediatike në Greqi apo politike, por kjo thjesht krijohet nga mediat shqiptare që abuzojnë
'Besoj se është një stuhi në gotë, e cila vjen më shumë në mediat e Tiranës. Për këtë çështje nuk kam parë asnjë emision në Greqi dhe asnjë lajm themelor në Greqi. Është vizita normale e një kryeministri. Nuk besoj se këtu i merret dora palës tjetër se ku do vizitohet diaspora.
Sikurse sot në Dropull ishte kryetar i SYRIZA. Debati tjetër është artificial, që është produkt i zhurmave mediatike më tepër në Shqipëri. Mbetet për tu parë nëse do ketë teza politike nga kryeministri në Athinë. Se ndodh ai takim në kuadër të zgjedhjeve europiane, ai takim ndodh edhe në Milano. Dhe me palën tjetër diskutohet për elementë të sigurisë a do ketë takim dypalësh. Po nuk ka kuptim nëse dikutohet a duhet të shkojë', theksoi Bido.
Organizimi
Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Dhuli thotë se Rama po përgatit autobusa nga jugu i Shqipërisë për të mbushur sallën.
'Do çohen me autobusa nga jugu njerëz për të mbushur ambientin. Edi Rama i duhet një takim masiv, jo me 1500 veta. I duhet një takim shumëfish i kësaj. Kujt ia tregon këtë provë force. E ka tejkaluar sprovën lokale, po shkon tek ajo teza që Shqipëria nuk është më ajo që ka qenë.
Duke i fryrë këtij cikloni duke dhënë mesazhe konfliktuale. Sot Rama informohem paska vendosur edhe gjyqtaren që do dënojë Belerin në Apel', nënvizoi Dhuli.
Panajot Barka zbulon se në Athinë po organizohen shoqatat e emigrantëve për këtë takim dhe mund të mblidhen edhe 10 mijë njerëz, pasi ka mjaft interes.
'Në Athinë, jo 5000 emigrantë por mund të mblidhen edhe 10 mijë. Shoqatat e emigrantëve kanë javë që punojnë për një pjesëmarrje të gjerë. Ka kaq shumë njerëz dhe është punuar aq shumë për masivitet, saqë është jashtë logjike për të thënë se do vijnë njerëz nga Shqipëria. Që nga marsi, Rama dhe Mitsotakis kishin komunikim që mund ti zbusnin marrëdhëniet. Për të gjetur një mënyrë për të zhbllokuar marrëdhëniet. Kjo nuk u arrit dhe ndoshta prej kandidimit të Belerit për eurodeputet', zbulon Barka.
Sa i përket çështjes Beleri, gazetari Poli Hoxha thotë se edhe në Greqi zërat janë shuar dhe është shndërruar në një çështje partiake të Demokracia e Re dhe pas zgjedhjeve europarlamentare do të shuhet mediatikisht.
'Çështja Beleri, ka qenë politikë partiake jo kombëtare. Edhe zërat po shuhen, janë moderuar. Ndodh edhe në SHBA, Britani e Madhe. Vetëm ne e bëjmë sikur po luftonte Shqipëria me Greqinë për Belerin. Edhe vetë Mitsotakis ka patur kritika në partinë e vet', theksoi Hoxha.
Duke iu rikthyer takimit të Ramës, Dervishi thotë se në pallatin e sportit Galatsi do të jetë dhe këngëtari Noizy që krijon masivitet.
Gazetari Ferdinand Dervishi komentoi në 'Frontline' takimin e Ramës në Athinë ditën e diel, teksa tha se pjesë mund të jetë dhe këngëtari Noizy që mbledh mijëra njerëz dhe mund t'i vjedhi shfaqjen Ramës.
'Në takimin e Ramës do jetë dhe Noizy. Noizy mbledh mijëra njerëz. Mund të mbledh, shqiptarët do joshen. Do jetë masiv edhe për shkak të Noizyt. Ka shumë të ngjarë që një Noizy ti vjedh shfaqjen Edi Ramës. Rama me atë ‘Krenar për Shqipërinë’, mund të dali të mbajë një fjalim. Por nuk mund të thotë që jam krenar për arritjet e qeverisë. Nuk mund të thotë që jemi krenar për SPAK që po na fut në burg. Nuk e di se si do dali në Greqi dhe çfarë do thotë. Thjesht mendoj se Noizy do i vjedhi shfaqjen', tha Dervishi.
Gazetari Panajot Barka në 'Frontline' zbuloi se për mitingun e Ramës shoqatat e emigrantëve kanë muaj që punojnë dhe mund të ketë masivitet që mund të kapërcejnë kapacitetin e stadiumit Galatsi.
'Njerëzit në takimin e Mitsotakis në Himarë i ka dërguar vetë Rama atje, ishin simpatizantë, anëtarë të PS, që vajtën atje dhe kjo gjë për të treguar një afrimitet brenda kuadrit të marrdhënieve të Mitsotakis me Ramën në atë periudhë. Rama kishte hapur dritën jeshile për të vajtur simpatizantë në atë takim. Në Athinë, jo 5000 emigrantë por mund të mblidhen edhe 10 mijë. Shoqatat e emigrantëve kanë javë që punojnë për një pjesëmarrje të gjerë. Ka kaq shumë njerëz dhe është punuar aq shumë për masivitet, saqë është jashtë logjike për të thënë se do vijnë njerëz nga Shqipëria.
Barka ndër të tjera tha se marrëdhëniet e Ramës me Mitsotakis mund të ishin zbutur disa muaj më parë, por në mes doli kandidimi i Belerit për eurodeputet.
'Që nga marsi, Rama dhe Mitsotakis kishin komunikim që mund ti zbusnin marrëdhëniet. Për të gjetur një mënyrë për të zhbllokuar marrëdhëniet. Kjo nuk u arrit dhe ndoshta prej kandidimit të Belerit për eurodeputet. Rama ka një mundësi shumë të mirë dhe mesa duket e ka fituar për të shmangur vëmendjen nga problemet e ndryshme që ka në Shqipëri dhe për t’i dhënë dimension tjetër përplasjeve Shqipëri-Greqi. Nuk besoj se Rama mund të ndikojë. Janë disa minoritarë të tjerë, përveç Belerit. Mund të krijojë fanatizim të përkrahësve të Belerit, por besoj se nuk do arrij këtu. Çështja Beleri është kthyer në një çështje politike të partitë në pushtet, Demokracisë së Re', tha Barka.