Një tjetër oaz sportiv, shezlongë dhe një mol i shtohen Parkut të Liqenit.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vizituan ditën e sotme dy fushat e reja të tenisit, një tjetër oaz sportiv që i shtohet Liqenit të Tiranës, e kthyer në një hapësirë multifunksionale në mes të parkut.
Rama tha se këndi i ri i tenisit është një tjetër oaz sportiv që u shtohet fëmijëve e të rinjve. Sipas tij ky është një park ku ndjehesh tamam si në çdo qytet të bukur të Europës.
"Liqeni i Tiranës - Tek këndi i ri i tenisit, një tjetër oaz sportiv që u shtohet fëmijëve e të rinjve, në një park ku ndjehesh tamam si në çcdo qytet të bukur të Europës", shkruan Rama.
Veliaj tha se Liqeni është “çibani” i fundit i çliruar me marrjen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, i transformuar totalisht në funksion të qytetarëve që çdo ditë e më shumë po e frekuentojnë sot parkun e gjelbër të Tiranës.
“Ngaqë ka qenë e zënë me ferra, shumica e njerëzve as nuk e dinin që ishte gjithë kjo hapësirë. Ky na kishte ngelur tamam si ai çibani i fundit për tu çliruar, e kur mbaj mend që erdhëm këtu ditën e parë, e gjetëm dosa, dhi, keca e cdo gjë në Liqen, e paimagjinueshme,” u shpreh Veliaj.
“Ne e kemi zgjeruar për t’iu përshtatur përmasave të Federatës së Tenisit dhe jemi në fazën përfundimtare. Sot që flasim kemi 600 metër katrorë sipërfaqe që është rehabilituar”, u shpreh Erinda Fino, drejtore e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
Veç dy fushave të tenisit në Parkun e Liqenit janë vendosur dhe dy tavolina ping-pongu, disa stola në formë shezlongu me pamje nga liqeni, si dhe një mol.