Pasi mori vesh se 5 prej të tijve e kontestuan rezultatin, e kërkuan të verifikonin me pamje filmike nga KQZ nëse vota e tyre preferenciale ishte numëruar pa tjetërsime, Edi Rama u kërkoi të hënën në mbrëmje, të tërhiqen.
“Do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote. Përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenërinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi", thuhej në mesazhin e Ramës.
Report Tv mëson, se të parët që reflektuan menjëherë dhe iu përgjigjen thirrjes së kryeministrit, duke tërhequr kërkesat e tyre, ishin Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia. Ky i fundit u kalua me një diference të ngushtë nga Ornaldo Rakipi. Kërkesë zyrtare për të marrë pamjet e filmuara të procesit të numërimit, bëri dhe Blerina Gjylameti. Pas një gare të fortë me Olta Xhaçkën, ajo e humbi mandatin në Tiranë, për disa dhjetra vota. Por edhe dyshimet e saj, për një tjetërsim të mundshëm të votës, duket se u fashitën, pas thirrjes së kryeministrit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se tani e tutje nuk do të bënte “luftëra të vogla, por do të përqendrohet tek betejat e mëdha”. Report tv mëson, se megjithatë, deputetja Gjylameti i ka marrë nga KQZ pamjet filmike të të gjitha qendrave të numërimit të votave për qarkun e Tiranës.
Drejt të bërit një hap pas, janë edhe dy kandidatët e tjerë nga lista e Partisë Socialiste, Frrok Gjni dhe Adnan Shullani të cilët po ashtu kërkuan të shihnin me sytë e tyre se në garën brenda partisë në Shkodër nuk pati rrjedhje të votave.
Mesazhi i plotë i Edi Ramës, i siguruar nga Report TV:
"Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!
Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.
Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!".
Komente
