Kryeministri Edi Rama vizitoi në paraburgimin e Hagës ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, e në lidhje me këtë vizitë ka reaguar kreu aktual i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka falënderuar publikisht kryeministrin Rama për mbështetjen ndaj Thaçit, por edhe Kosovës. Krasniqi shprehu urimin se sa më parë dy liderët, Rama dhe Thaçi të takohen duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën, dhe jo brenda një qelie.
"Falemnderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij. Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar - luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë. Duke i kujtuar fjalët e Presidentit Thaçi, në letrën e tij për ju, z. Rama, shpresoj që sa më parë të takoheni duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën", shkruan Krasniqi.
Lajmi kryesor:
'Çmallje e nevojshme', Rama shkon në Hagë, viziton Thaçin: Ishte në top formë dhe i bindur se do t'i tregojë botës pastërtinë e luftës së UÇK (VIDEO)
B.K./ReportTv.al