Fotoja familjare dje në samitin e BE-së

Rama zbardh fjalimin që mbajti dje në samitin e Brukselit: Në Shqipëri, të gjithë i besojnë Europës! Mos lini që ky besim të bjerret pa kthim

24 Qershor 2022, 12:53| Përditesimi: 24 Qershor 2022, 13:30

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur fjalimin që ka mbajtur një ditë më parë në Këshillin Europian. Kryeministri shqiptar nuk i ka kursyer kritikat për vendet e BE, të cilat sipas tij po mbahen peng nga Bullgaria, një vend anëtar i NATO-s. Kjo situatë ka deklaruar Rama nuk është aspak e shëndetshme, pasi nuk mundet që BE të përdoret për të marrë peng vende të tjera. Në fjalën tij kryeministri i vendit është ndalur tek besimi i lartë që kanë shqiptarët për Europën, ndërsa u ka kërkuar zyrtarëve të BE-së që mos të lënë që ky besim të bjerret pa kthim.

Fjalimi i kryeministrit Edi Rama dje në Këshillin e Europës

I dashur Charles Michel, faleminderit.

Kërkove në fillim që ndërhyrjet të jenë nga tre minuta. Po ta kishit mbajtur fjalën e të na kishit thirrur për nisjen e negociatave, do më kishin mjaftuar 30 sekonda. Por kur kjo nuk ka ndodhur kufirin e 3 minutave duhet ta harroni! Të paktën na duroni ca minuta më shumë, në respekt të durimit tonë shumëvjeçar karshi jush!

Të nderuar Presidentë e Kryeministra të Bashkimit Europian,

Të dashur miq, 

Eshtë mirë dhe keq të jesh këtu me të gjithë ju. Mirë, sepse ne duam të jemi këtu, si europianë mes europianësh. Keq, sepse ne nuk mundemi të jemi këtu si europianë në shtëpinë e tyre, por vetëm si mysafirë të një Europe të ndarë. Një Europë të cilën as tragjedia e një pandemie globale në të shkuarën e afërt, as kërcënimi i një lufte tragjike globale në të ardhmen e afërt, nuk kanë mundur ta bashkojnë nën një çati.

Megjithatë, falë Emanuel Makronit kemi, së paku, mundësinë të flasim për një objektiv të dëshirueshëm moralisht, të mençur politikisht dhe të rëndësishëm strategjikisht: Komunitetin e ri Politik Europian. Shpresoj shumë që ndërsa ne, në Ballkanin Perëndimor,  vazhdojmë rrugëtimet tona individuale drejt anëtarësimit në BE, duke u përballur me një Bullgari këtu e një Bullgari atje, të mund të marrë formë një çati e përbashkët europiane, më e madhe sesa tavani i plasaritur i BE-së, e cila do të na mbajë të gjithëve bashkë, duke na strehuar gjatë stuhive e duke na lejuar të ndërtojmë të ardhmen si një familje, e cila jeton në kate të ndryshme të së njëjtës shtëpi.

Kam dëgjuar disa të thonë se kjo ide s'është serioze, se është një lloj tjetër djathi francez që na serviret si antipastë për të na mohuar pjatën e vërtetë. Kam dëgjuar të thuhet se mund të jetë madje edhe një ide e rrezikshme, pasi një i tillë komunitet politik mund të zëvendësojë vetë zgjerimin dhe ta asgjësojë atë. Që Franca kurrë nuk ka qenë një forcë entuziaste për zgjerimin e këtij Unioni, ky është një sekret gjerësisht publik. Që Emanuel Makronit i duhet të përpëlitet midis shpirtit të tij tejet europian dhe kostumit presidencial të një vendi, ku të gjesh entuziazëm për zgjerimin e Bashkimit Europian është njësoj si të gjesh ujë në shkretëtirën e Arabisë Saudite, edhe ky është një sekret tejet publik. E megjithatë ideja e tij, për të na mbledhur të gjithëve së bashku, në një Komunitet të ri Politik Europian, duket për momentin një recetë shumë më premtuese sesa pjata bosh e zgjerimit pa zgjerim, e cila na është servirur për vite të tëra me radhë.

Shihni atë që dikur ishte Maqedonia apo FYROM dhe sot është Maqedonia e Veriut. 17 vjet vend kandidat, në pritje të çeljes së bisedimeve për anëtarësim. Madje, edhe ndryshimi i vetë emrit të vendit nuk bëri asgjë për të ndryshuar rrjedhën e lojës suaj. Shihni vendin tim, Shqipërinë, 8 vjet pritje si vend kandidat. Ka ndryshuar thellësisht së brendshmi dhe ka marrë shumë përgëzime për arritjet e saj. Mos më keqkuptoni, është bukur të përgëzohesh, por përgëzimet nuk janë punë mes shteteve.

Le ta shohim të vërtetën në sy miqtë e mi: Arsyeja se pse 17 dhe 8 vjet përsëri mund të mos mjaftojnë është shpirti i deformuar i zgjerimit. Fryma e zgjerimit është shndërruar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti të tërë, në një mjet pengmarrje për qëllimet individuale të shteteve anëtare. Është shndërruar nga projekti konstruktiv i bazuar në vlera të përbashkëta për bashkimin e vendeve, në llogoren cinike të interesave individuale të vendeve anëtare. Procesi i zgjerimit dikur ishte një mënyrë për të ushqyer shpirtin e Europës së përbashkët. Tashmë është kthyer në rrugën më të shkurtër që mund të çojë në shkatërrimin e saj.

Çfarë turpi për Europën kjo historia bullgare! Në mes të një lufte tejet të nxehtë në oborrin e Europës, një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s përpara syve të 26 vendeve të BE-së, që rrinë ulur në një shfaqje të frikshme pafuqie!

Dhe pastaj thonë se Vladimir Putini është shumë i sëmurë! Vladimir Putini mund të jetë me të vërtetë i sëmurë ose edhe mund të mos jetë, por më lini t’ju them se kjo situata këtu nuk duket posaçërisht e shëndetshme. Agresori rus i Ukrainës po merr një ndihmë tejet bujare dhe madje të pakërkuar nga një vend i NATO-s, i cili po destabilizon një tjetër vend të NATO-s, duke nxitur më shumë mllef e pakënaqësi në një rajon si i yni, që ende mund të mos jetë pjesë e BE-së, por mbetet një pjesë e Europës, ku sot Vladimir Putini sheh pikërisht hallkën e dobët për të goditur më tej rendin europian. Më lini gjithashtu t’ju them se kjo është shumë larg asaj çka i duhet tani pjesës më të cenueshme të Europës, që quhet Ballkani Perëndimor.

Sjellja e çështjeve historike dypalëshe në nivelin e Bashkimit Europian duhet të ndalet. Si mundet të përdoret Bashkimi Europian si një hapësirë për të marrë peng vende të tjera për interesa të brendshme të pengmarrësit?!

Ç’mund të bëjnë në këtë pikë vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut? Ato mund të ulen e të presin Godonë – Vladimiri dhe Estragoni i Samuel Beketit shëmbëlltyrat tona në teatër dhe ne imitimi i tyre në jetën reale - ose mund të kontribuojnë për rilindjen në hapësirën e tyre të frymës agonike të Europës. Ne e quajmë “Berlin”, procesin e përpjekjes për këtë rilindje dhe “Ballkani i Hapur” është emri i mjetit që kemi krijuar për ta bërë “Berlinin” realitet në terren. Sot, ju bëj thirrje të gjithëve për ta mbështetur pa asnjë mëdyshje Ballkanin e Hapur, nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet sërish përpara syve tuaj, ndërkohë që hëpërhë nuk mund të ofroni asgjë më të mirë sesa karuzeli i cirkut bullgar. Ballkani i Hapur është artikulimi më i pastër i ndjesisë sonë të përkatësisë në Europë. Është përpjekja më e gjithanshme për të krijuar një hapësirë paqeje, bashkëpunimi dhe sundimi të katër lirive themelore të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve në një rajon që rrethohet prej kufijve të BE-së dhe është i ekspozuar ndaj armiqve e konkurrentëve të pamëshirshëm të BE-së. Më lini t’ju them se Ballkani i Hapur është angazhimi i ri dhe më konstruktivi që mund të gjendet sot në Europë në frymën e një Europe të bashkuar.

Të gjithë e dimë, Bashkimi Europian sot është në një krizë të thellë identiteti. Prandaj atij dhe vetë Europës i duhen të gjitha idetë dhe të gjitha nismat që mund të ndërmarrim, për të rindërtuar jo vetëm projektin politik që është braktisur, por edhe vetë besueshmërinë e tij në sytë e qytetarëve të saj. Është koha të lëmë 100 lule të lulëzojnë, siç do të thoshte Kryetari Mao. Natyrisht, disa mund të thonë me të drejtë se Mao i linte lulet të çelnin, që pastaj t’i këpuste pa mëshirë. Ne urojmë fort të mos kemi të njëjtin fat.

Ja pse e mbështesim idenë e Komunitetit të Ri Politik Europian, ku shpresojmë të luajmë një rol, ashtu siç nuk heqim dorë nga shpresa që të luajmë një rol në BE. Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në po aq sa BE-ja ka nevojë sot për Ballkanin Perëndimor. Presim me padurim të jemi anëtarë me të drejta të plota të këtij bashkimi në shekullin tjetër. Presim me padurim që stërstërnipërit tanë të kenë të drejtën e votës brenda shtëpisë së BE-së, një e drejtë vote që uroj t’u bëhet e pamundur deri atëherë që ta përdorin si armë e një vendi të vetëm për të marr peng fqinjët, për të marrë peng BE-në, për të marrë peng popuj e kombe, për të poshtëruar qeveri të zgjedhura në rrugë demokratike dhe deri edhe për të luajtur qorrazi lojën e armiqve të Europës. Ja ku është i dyti Kryeministër i Maqedonisë së Veriut që është shumë pranë largimit të detyruar. Pse? Sepse pati besim te ju, besoi te BE-ja dhe bëri gjithçka mundi, por ende nuk është mjaftueshëm. Ndaj kjo është më tepër sesa Maqedonia e Veriut, më tepër sesa Bullgaria, është një sëmundje, diçka që ju duhet ta luftoni për ta shkulur nga trupi i BE-së. Do të vazhdojë kështu. Bullgaria do të përsëritet në forma, mënyra e emra të ndryshme. Po deri kur të bëhemi, siç thashë, anëtarë të Bashkimit Europian shekullin që vjen, shpresojmë të jemi pjesë e Komunitetit të ri Politik të Europës, ku së paku të mblidhemi rregullisht me ju, si sot, qoftë edhe pa të drejtë vote, ku mund të ulemi në çdo nivel politik, në çdo shkallë të shtëpisë së përbashkët dhe, sigurisht, të mund të jemi këtu për t’ju kujtuar se ekzistojmë! Apo s'ju kujtohet si na e bëtë  ju me pandeminë? Harruat të mendonit për vaksinimin e infermierëve dhe infermiereve tona! Dhe pasi flisni e flisni prej vitesh për influencën e Kinës, Rusisë apo Turqisë në Ballkan, po ku të shkonim t’i gjenim ne vaksinat kur ju na kthyet shpinën? Në hënë? Kështu që disave iu desh t’i drejtoheshin Kinës apo Rusisë, ndërsa neve na u desh t’i drejtoheshim Turqisë dhe lavdi Zotit që Turqia s'na la në baltë, e prandaj edhe shpëtuam jetë të panumërta njerëzish.

Shpresoj shumë, po ashtu, që, ndërkohë që pengmarrja e Bullgarisë është ende në veprim, situata e dhimbshme e pengmarrjes së Kosovës të marrë fund dhe popullata e vetme në Europë pa të drejtë të lëvizë lirisht jashtë vendit të vet, të marrë liberalizimin e shumëmerituar të vizave. Pa mendohuni njëherë! Ata mund të lëviznin të lirë kur ishin nën një diktaturë jugosllave. Ata mund të shkonin në Europë, të punonin në Europë, por tanimë nuk munden më, qyshkur çlirimtarët europianë të Kosovës morën nën kontroll fatin e lëvizjes së tyre.

Dhe sërish, sa u takon fqinjëve të mirë, zgjidhjes së konflikteve apo proceseve të pajtumit, dua po ashtu të përmend qartësisht Serbinë. Gjithkush i njeh kufizimet specifike të Serbisë sa i takon gjeopolitikës së saj dhe qëndrimit aktual kundrejt Rusisë. Por sa herë i është kërkuar të votojë në Kombet e Bashkuara, Serbia është radhitur krah Perëndimit e vendeve të BE-së. Është lëvizja e parë e madhe e Serbisë në drejtim të kundërt me Rusinë, çka faktikisht i forcoi marrëdhëniet tona, sepse e kundërta do t'i kishte shkatërruar nga e para. Për një vend ku shkalla e miratimit të Vladimir Putinit është 80%, nuk mendoj se ka ndonjë këtu që mund të vërë në diskutim përpjekjen e lidershipit në Serbi ndaj projektit europian, ndërkohë që të gjithë mund ta shohin nga shumë larg, se projekti europian nuk është më tërheqësi për opinionin publik të Serbisë. Kësisoj, nuk është e mençur tërheqja nxitimthi e litarit të presionit me kërkesat për sanksione. Fizibiliteti, siç të gjithë e dini nga politikat tuaja të brendshme, është kyç. Shihni Bullgarinë, që u ka mbyllur rrugën dy vendeve për politikë të brendshme, lidhur me diçka që mund të diskutohet njerëzisht për vite në të ardhmen, sepse Maqedonia e Veriut nuk po bëhet anëtare e BE-së sot, po thjesht po kërkon të nisë një proces që do të përfundojë kur stërstërnipi i Dimitrit (Kovaçevskit) do të ketë të drejtën e votës. Merreni me mend! Ndaj, presioni i ngutshëm mbi Serbinë, ndërkohë që ajo thjesht nuk është në pozitën për të dhënë kaq shumë kaq shpejt, rrezikon të fuqizojë së brendshmi në atë vend forca me të cilat, më e pakta, BE-ja do ta kishte tejet të vështirë të negocionte në mënyrë të arsyeshme dhe t'i trajtonte mosdakordësitë me respekt, pa menduar pastaj se ç’do të ndodhte me procesin e quajtur “Berlin” apo me mjetin me emrin “Ballkani i Hapur”.  Në këtë situatë tejet të brishtë, na duhet të ecim me kujdes, pa përkeqësuar konfliktet. Serbia është një pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor, e Ballkanit të Hapur, e Proesit të Berlinit, e mozaikut të Komunitetit Politik Europian dhe një element shumë kyç për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Duhet shumë kujdes. Keni shumë kriza me të cilat duhet të merreni, mos ndihmoni të shpërthejë një tjetër, sepse nuk kemi nevojë për këtë, kemi mjaftueshëm! Ndaj në emër të parimeve, të mos shkatërrojmë vetë qëllimet tona shumë parimore.

Në vendet tuaja janë të paktë njerëzit që ende besojnë te BE-ja. Në Shqipëri, të gjithë i besojnë Europës. Edhe sot, të gjithë besojnë te BE-ja. Në Ballkanin Perëndimor janë të shumtë ata që ende besojnë. Koha ikën dhe bota po bëhet gjithnjë e më shumë një vend i rrezikshëm, por është ende një cep në Europë ku njerëzit kanë besim te projekti. Mos lini që ky besim të bjerret pa kthim dhe mos lejoni që BE-ja të katandiset fare si ai kongregacioni i priftërinjve, të cilët debatonin për seksin e engjëjve teksa shembeshin muret e Kostandinopojës.

Ju faleminderit.

 

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • ALBan Beu: 27/06/2022 07:42

    Lereni BE dhe USA o te mjere, se boll ju kane tallur! BE-ja vetem per te zhvatur Mendon! Edhe sikur te pranojne, Populli Shqiptar duhet te thote fjalen e tij me Referendum! Po! Me REFERENDUM! "Të gjithë e dimë, Bashkimi Europian sot është në një krizë të thellë identiteti. (...)" Edi Rama, 6/2022

    Përgjigju
  • AlbAN Beu: 27/06/2022 07:38

    Shikoni me vemendje foton e KM te BE-se me siper edhe thoni, kush eshte KM me I ndershem (Hahaaa!!!) nga te tere? BE -ja si e cilesoi me te dresse RAMA, "Të gjithë e dimë, Bashkimi Europian sot është në një krizë të thellë identiteti. " eshte nje fole grerezash qe hane mjaltin e Bleteve Punetore te vendeve qe punojne dhe skllaverohen prej Komisareve me Jake te Bardhe!

    Përgjigju
  • AlbAN Beu: 27/06/2022 07:34

    "Të gjithë e dimë, Bashkimi Europian sot është në një krizë të thellë identiteti. ..." (tha Rama me shume te Drejte!!) Lind Pyetja, atehere: Perse, i qan zémra kaq shume Rames atehere, t'i HYJE Bashkimit Evropian, kur qenka nje Institucion kaq problematik? Apo e ka porosi nga Babai i Kombeve te Korruptuara, Mr. Xhorxh SOROS e SOROLLOPET? Shiperia I nevojitet BE-se, Shume me shume, sesa BE-ja I nevojitet SHqiperise!!!!!

    Përgjigju
  • kastriot aliaj: 25/06/2022 21:10

    fjalimi i Edi Rames mund te krahasohet me fjalimin e FAN NOLIT ne lidhjen e kombeve i cili u vleresua si me i moiri ne ate seson sa qe edhe sot nuk eshte arritur ai nivel Ky fjalim i beri kryeministrat eBE te reflektojne dhe te nxjerim mesime sepse komuniteti ne vend qe te beje perpara po ben pas dhe njerzit e kane humbur besimin dhe respektin per kete komunitet qe u krijua per tu bere model ne bote por fatkeqesisht nuk u be.

    Përgjigju
  • kastriot aliaj: 25/06/2022 21:04

    Fjalimi i Edi Rames i beri kryeministrat e BE te flasain me vete dhe te vleresojne veten dhe komunitetin qe ne vend qe te beje perpara ka shkuar ne nivelin e Kongresit te Berlini 150 pas.Fjalimi i Rames ishte si fjalimi i FAN NOLIT ne lidhjen e kombeve qe u quajt nje nga fjalimet me te mira qe edhe ne ditet e sotme nuk ka fjalime te atij nivell.

    Përgjigju
  • Altin dani: 25/06/2022 13:05

    Grade edi rama, ke per te nbetur ne perjetesi e mbar botes me kte fjalim sa realis sa filozofik e lagpames,nuk gjej fjal.na ke lan pa fjal tanve.me kte fjalim pas 100 e ca vjeteve,ne si popull kemi nje atedhetar nje patriot dhe nje lider ballkanik e euroatllantik.dhe ishalla te kena me jete.sepse ne si popull njerez si ty i kena eliminu apo i Kena burgos denigru apo i kena ba ne mby syt ne dhe te huaj.nga anti shqiptaret si esat pash toptanat e djeshem,dhe ktyre salite e iliret e sotem.ne sherbim te saj europe qe citove.zoti te rujt vazhdo keshtu deri sa te kesh frym.

    Përgjigju
  • Vsbdid: 24/06/2022 16:38

    Ue sa vrime lepiresat Ramiste qenkan aktivizuar sot. Ketu ka arritur puna he? Te sponsorizohet deluzioni kryeministror? Sa e keni rrogen mre specje sintetike? PS-se i jane mbarsur burrat! Ja nje pershendetje….Rama eshte inferiorist. Cdo gje e huaj i duket me e mire se gjeja Shqiptare. Cdo komb i huaj i duket me i mire se ai Shqiptar. Rama urren kombin e tij dhe Shqiperine. Eshte deshtak i gjithanshem, i perhershem dhe i paarritshem. I ben gjerat me lemsh se djalli vete. Eshte ne nje perleshje te perhershme dhe te perbrendshme. I urryer nga te tijet dhe urryes i te tijeve. Bejini te fala Rames ore bishtake pa shtylle kurrizore!

    Përgjigju
  • Cavsj: 24/06/2022 15:55

    Vetem Edvin Rama di te ngaterroje dicka pertej cdo arsyetimi! Cili njeri, lere me te jete KM, nxjerr Shqiperine ne nje pozicion inferiorist duke vartesuar te ardhmen e saj Europjane me gomarlliqet Bullgaro Maqedonase v.? C’lidhje ka statusi i Shqiperise me krizen e identitetit sllavo maqedonase? Inferioriteti mendor i Km nuk duhet te ndikoje ne te ardhmen e Shqiperise dhe kombit. Rama si deshtak i perhershem dhe i pergjithshem eshte per burg dhe per psikiatri!

    Përgjigju
  • europa e semure: 24/06/2022 15:43

    Nje fjalim tejet dinjidoz, mendje hapur dhe teper diplomatik, ne gjuhen ashtu sic duhet, qe disa nga keta lidera europian te zgjohen, te kuptojne, se jane ne gjume me sa duket! Nuk vonoj dhe gjerat ndryshuan rrjedhen e saj ("bulgaret" e hoqen veton kunder Maqedonise se Veriut)

    Përgjigju
  • Andi: 24/06/2022 15:22

    Shqiperia i ka bere me se miri punet e kerkuara nga BE dhe perseri ato sna pranuan duket qeart qe thjesht po e zvarrisin kete gje

    Përgjigju
  • Erion: 24/06/2022 15:20

    U pa shume qart dje qe BE thjesht nuk do qe ne te jemi pjes e tyre vendi jone i ka bere me se miri detyrat e kerkuara nga to dhe ato perseri than jo gjithashtu dhe bullgaria po behet nje pendes per antarsimin e venit tone edhe perseri BE nuk reagoj ndaj kesaj

    Përgjigju
  • dritan: 24/06/2022 14:48

    fjalim shum i drejt nga ana juaj. keni ber punen e duhur per vendin ton dhe e kishim mese te merituar antaresimin ne BE uroj qe ta rishqyrtojn kete ceshteje

    Përgjigju
  • anila: 24/06/2022 14:46

    fjalim shum dinjitoz nga ana juaj. keni perfaqsuar shqiperine ne menyrene duhur jo aty po kudo. jeni lideri me i mire i vendit tone dhe nuk dorzoheni kollaj para asnje veshtiresie

    Përgjigju
  • Albi: 24/06/2022 14:40

    Vahdoni punen tuaj perpara se edhe BE do e kuptoje gabimin qe po ben

    Përgjigju
  • Beni: 24/06/2022 14:40

    Kishte ardhur koha qe ti dinin edhe europianet mendimet tona te perditshme

    Përgjigju
  • Jorgo: 24/06/2022 14:40

    Ndihemi vertet te zhgenjyer z rama nga vendimi i BE por nuk duhet te merzitemi dhe te ecim perpara

    Përgjigju
  • Megi: 24/06/2022 14:38

    Nje fjalim vertet i mrekullueshem nga ana juaj z rama keni treguar vertet realitetin e hidhur dhe ja keni perplas ne fytyr te gjithe antareve qe kane marre pjese dje

    Përgjigju
  • besjan: 24/06/2022 14:29

    e lexova dhe mu duk shume i drejte i gjihe fjalimi, europa duhet te reagoje per padrejtesine qe na ka bere

    Përgjigju
  • denis: 24/06/2022 14:28

    fjalim i drejte, ka folur ashtu sic duhej dhe ka shprehur ate qe e mendojme te gjithe

    Përgjigju
  • Ledi: 24/06/2022 14:23

    nje fjalim i mrekulleshem nga ana juaj z kryeminister me te vertet godites , shpresoj qe europa ta kuptoje se cfare gabimi ka bere

    Përgjigju
  • Artan: 24/06/2022 14:20

    Me kete veprim europa ka humbur shume pike , ishalla nuk vazhdon keshtu

    Përgjigju
  • knid: 24/06/2022 14:17

    shpresoj shume qe europa ta bej problem kete qe na beri bullgaria

    Përgjigju
  • alfonso: 24/06/2022 14:16

    E meritonim anetaresimin ne BE nuk kishte pse te na u bente pengese Bullgaria

    Përgjigju
  • Erjona: 24/06/2022 14:15

    Kemi besim tek BE por dhe ajo nuk eshte se po luqn shume loje tw drejte me ne. Jemi prej kohesh gati qe te jemi pjese e europes me te drejta te barabarta

    Përgjigju
  • Keol: 24/06/2022 14:13

    Sa shume po na lodhni dhe stresoni per nje gje qe ne e meritojme

    Përgjigju
  • Oligert: 24/06/2022 14:13

    Mos ndaloni zoti Rama sepse jemi shume afer asaj qe ju po punoni

    Përgjigju
  • onion: 24/06/2022 14:08

    Ne rast se be nuk mundet tna beje pjese te tyre per shkak te bullgarise apo ku di une , atehere pse na kerkuan te benim 509 ndryshime qe te ishim ne standartet e europes , urdhero i beme detyrat e shtepise po tani ? pse nuk na i korrigjoni

    Përgjigju
  • Ejona: 24/06/2022 14:07

    Jemi shume prane arritjeve te medha dhe nuk duhet ta leme me aq,mire ka thene z.Rama

    Përgjigju
  • Ernes: 24/06/2022 14:07

    Ne nuk dorezohemi lehte dhe kemi besim se me Ramen ne krye do arrijme cdo qellim tonin

    Përgjigju
  • Sadush: 24/06/2022 14:04

    E lexova fjalimin edhe mu duk sikur kishte fol shum mir. Na perfaqsoi sic i ka lezet

    Përgjigju
  • Mandi: 24/06/2022 14:03

    Shum i kena besu po shum jan tu na zhgrnjy. Po sillen shum keq me ne dhe nuk e meritojm

    Përgjigju
  • Alfred: 24/06/2022 14:00

    Europa duhet te na kishte vleresuar gjith mundin e bere gjate ketyre viteve por nuk e beri kshuq Europa po le shum pakenaqesi tek populli shqiptar

    Përgjigju
  • Era: 24/06/2022 13:59

    Kemi besim se mendojm se do te jete nje plus per nw anstaresimi ne BE dhe kemi punuar per te plotesuar cdo kusht.Prandaj duhet te na jepni ate qe meritojmw

    Përgjigju
  • Redi: 24/06/2022 13:59

    Nje fjalim me shume vend dhe cdo fjale qe ka then eshte e vertete.Ne kemi besim tek Europa por njk mund t presim edhe me gjate

    Përgjigju
  • Ana: 24/06/2022 13:58

    Shum e vertete ne kishim besim qe do te beheshim pjese e BE dhe kishim shpresa te ju por me kte te fundit na duket sikur na eshte bere nje mashtrim

    Përgjigju
  • ledja: 24/06/2022 13:40

    E kam lexuar me vemendje dhe seriozisht me ka pelqyer shume e gjitha , cdo gje tashme eshte me e qarte per neve , nuk menduan fare kur ishte pandemia per neve per tna ndimuar me vaksina dhe shyqyr ishte turqia

    Përgjigju
  • Nje shqiptar:: 24/06/2022 13:28

    Te lumte! Kjo eshte nje ndihme per Europen! E drejta dhe e verteta nuk kane lidhje me popullsine apo pasurine.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?