Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u mbajt ceremonia e titullit “Tirana kryeqytetit mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, ndërsa fjalën e hapëse e mbajti kryeministri Edi Rama.
Për kreun e qeverisë, ky moment shkon përtej Tiranës, si një vlerësim për shoqërinë dhe historinë, kulturën dhe mënyrën e të bashkëjetuarit, me një harmoni që Papa Francesku e pagëzoi si vëllazëri fetare.
Për të forcuar më tej këtë mesazh harmonie, kreu i qeverisë zbuloi projektin për të ndërtuar një park të madh në periferi të Tiranës për të gjitha besimet fetare në vend, konceptuar së bashku me presidentin e Emirateve të Bashkuara, sheikun Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
“Konkursi për një park të madh të besimit, është një ide e kahershme, por i ka ardhur koha për ta realizuar, kemi përcaktuar edhe territorin, i cili do të jetë diku në periferi të kryeqytetit, një park i madh që do të jetë një hapësirë për të gjithë besimtarët ose jo besimtar. Do të jetë një park ku vizitorët do të gjejnë të gjitha bimët, lulet dhe frutat apo perimet që përmendën në librat e shenjtë dhe aty do mund të shohin se sa shumë janë gjërat që tregojnë që në fund të ditës mund t’i vëmë Zotit emra të ndryshëm, por jemi të gjithë fëmije të të njëjtit univers”, tha Rama.
Ky është titulli i katërt radhazi i Tiranës, pas zgjedhjes në vitin 2022 kryeqyteti europian i rinisë, në vitin 2023 kryeqyteti europian i sportit dhe në vitin 2024 kryeqyteti europian i turizmit. Kjo sipas kryeministrit Edi Rama tregon se transfromimin e Tiranës e shohin edhe të tjerët.
“E gjitha kjo nuk ndodhi brenda një kohe të shkurtër por as në fakt nuk ka ndodhur brenda një kohe të gjatë. Sigurisht që më e mira është e gjitha përpara. Unë kam bindjen dhe besimin që Tirana ende nuk e ka zbuluar të gjithë potencialin e vet”, theksoi Rama.
Në përfundim, kryeministri Edi Rama, i cili për të marrë pjesë në këtë ceremoni e cila ishte organizuar qëkur kryebashkiaku Erion Veliaj ishte në liri, falenderoi ekipin e Bashkisë së Tiranës, kryetaren në detyrë Anuela Ristani, po vënë në jetë organizimin e kalendarit të aktiviteteve të këtij viti, të Tiranës si kryeqytet mesdhetar i kulturës dhe i dialogut.
Komente
