Opinion

Ramadan

14 Prill 2021, 22:12| Përditesimi: 14 Prill 2021, 22:41

  • Share

“Tridhjet’ dit’t e Ramazonit as kom hongër, as kom pi”. I gjithë “informacioni” im në lidhje me muajin e Madhërishëm të Ramazanit përmblidhej në këto vargje të një kënge të vjetër që nuk më dukej aspak me përmbajtje fetare. Përkundrazi.

Përballja ime e parë me “Ramazanin” ishte në vitin 1991, gjatë vitit të parë të studimeve të mia në Kajro. Përgatitjet për këtë festë ishin sa të cuditshme, aq edhe frenetike. Pothuajse e gjithë klasa më kishte ftuar për të ngrënë “iftar” në familjet e tyre. Më dukej e cuditshme që një qytet me 20 milionë banorë nuk do të pinte ujë dhe nuk do të hante gjatë gjithë ditës deri momentin “magjik” të iftarit.

Në konviktin ku qëndrova gjatë tre prej katër viteve të mia të studimeve kishte vetëm vajza që vinin nga të gjitha qytetet e Egjiptit, për të cilat fytyra ime prej evropianeje të bardhë përbënte gati-gati një kuriozitet. Pyetja e parë ishte nëse isha myslimane dhe më pas vinte pyetja: “Enti sajma”? që donte të thoshte a mban Ramazan, apo a agjëron? Gjatë muajit të Ramazanit, ditëve konvikti ishte në gjendje të përgjumur dhe befas gjallërohej me afrimin e Fëtarit (apo iftarit). Agjërimi “prishej” me një hurmë arabie. Vajzat e dhomës përballë me timen mbushin tavolinat prej hekuri të konviktit me aq shumë ushqime, sa dukej se nuk do të hanin për një muaj rrjesht. Kunguj të mbushur. Zogj të mbushur. Japrakë. Mish pule. Të gjitha të shtruara në një si rrogoz, mbi tepsi, dhe hanin me duar. Në fillim kjo pamje më ishte dukur jashtë cdo gustoje dhe aspekti higjienik. Por, jeta studentore, sidomos e një studenteje të varfër, të fillimit të viteve 90-të nuk të krijonte asnjë mundësi për asnjë skrupull, në vecanti të natyrës ushqimore. Kështu edhe unë shumë shpejt u bëra pjesë e atyre “tavolinave” të njerëzve të varfër, por tejet bujarë.

Ky ishte kontakti im i parë me Ramazanin. Pra, një kontakt ushqimor, i mirëfilltë. Në ato vite, sapo kisha nisur të lyhesha me të kuq buzësh dhe këtë e kisha aq të fortë, saqë mu bë tipar dallues. Në rrugën që përshkoja nga Fakulteti deri në konvikt (konvikti shtetëror i Fakultetit të Arteve të Bukura) shpesh më shoqëronin vështrime të lyrshme meshkujsh egjiptianë që herë pas herë përpiqeshin të më ngjiteshin edhe nga pas, duke më qëndruar fare pranë, por në atë periudhë kjo nuk ndodhi. U habita dhe kur këtë ua shpreha shoqeve të mia të konviktit më shpjeguan se “buzëkuqi” ishte “haram” gjatë Ramazanit dhe se seksi ishte i ndaluar për gjatë gjithë muajit. Për këtë të fundit nuk më bëhej vonë sepse sapo kisha ardhur nga Shqipëria ku seksi pa qenë i martuar ishte gjithësesi i ndaluar. Por buzëkuqi më shqetësonte. Isha mësuar ta vendosja në buzë cdo mëngjes.

Gjatë gjithë muajit të Ramazanit për gjithë vitet që qëndrova në konvikt, vajzat mundoheshin të më sqaronin për përfitimet e agjërimit dhe cdo ditë në corridor pasi përshëndesnin “Selamu ale’jkum” dhe unë u përgjigjesha “Alejkum selam”, më pyesnin “enti sajma”. Ramazani dhe adoleshenca nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin, por kishte një element që e bënte Ramazanin “tërheqës”. Ai ishte Khan el Khalili. Lagjia me pazarin më të famshëm të erëzave, floririt, dhe gjithckaje që ende nuk kishe pasur mundësi të blije. ëndra e cdo turisti. Parajsa e cdokujt që dëshironte të bënte Pazar. Nëse nuk hyje në tratativa pazari, shitësit mërziteshin. Pazari niste me cmimin “arbaeen” (40) dhe vazhdonte me “hamastashër” (15), derisa palët binin dakord për një njëzetshe.

Aromat e Hanit të Halitit, sic e quanin punonjësit e ambasadës (punonjësit e ambasadaës ndër vite u kishin vënë emrat e tyre lagjeve dhe vendeve që vizitonin duke i shndërruar në toponime) nisnin që nga temjami e deri tek shawarma (një lloj sufllaqeje). Nëpër këmbë ngatërroheshin fëmijë të larë për herë të fundit nuk dihej se kur, fëmijë që u varreshin hundët, fëmijë me mizë në fytyrë, burra me pantallona

xhinse të lëtyrosura, shitës që të kapnin për dore, ose të ngjiteshin vetëm për një prekje (edhe gjatë Ramazanit). Gjatë gjithë këtyre “aventurave” shoqërohesha nga shokët e mi të klasës dhe shokë të tjerë të njohur në Kajro, të cilët ishin aq krenarë për veten e tyre që shoqëroheshin me mua, sa c’isha unë që nuk kuptoja asgjë nga bisedat e tyre. Tryezat e ngjitura me njëra tjetrën njësoj si në trotuarët e Parisit u ngjanin skenave të filmave Italianë të viteve 60-të. Meshkujt vështronin femrat si të lebetitur dhe femrat vështronin meshkujt me “lezet”. Unë kisha “privilegjin” të mos e caja kokën për këtë. E para sepse isha e huaj dhe cdo “egnebia” ishte objekt vështrimesh. E dyta, sepse asgjë nuk kuptoja nga ato që thoshin, së paku në fillim. E treta, nuk e kishin vetëm me mua. Dhe e katërta, kjo më pëlqente.

Ramadan Kareem. Allahu Akram. Përshëndetjet që shoqëronin të gjithë muajin e Ramazanit. Cdo të premte (si ditë pushimi në Egjipt) isha e ftuar për iftar në një familje miqsh. Pjatat e ushqimeve dhe ëmbëlsirave do të kishin mjaftuar të ushqenin një kopësht me drekë. Pjata pas pjatash, derisa një ditë peshorja shënonte një numër të papëlqyeshëm. kjo është tjetër temë. Në Kajro askush nuk flet për peshën, madje sa më shumë aq më mirë duket se është një citat i preferuar.

Ramazani ishte muaji i festës. I një feste që ndjehej në të gjithë qytetin që gjatë ditën kotej mes pluhurit e vapës, për tu zgjuar me ëmbëlsinë e hurmave, aromës së piteve e gjellëve të përgatitura nga duart e amvisave që gjatë gjithë ditës kishin punuar vetëm për të pritur Iftarin.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?