Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e katërt. Në stadiumin 'Via del mare' vendasit e Lecces u përmbysën 1-2 nga Cagliari. Te miqtë heroin e bëri sulmuesi Andrea Belotti me dopietë. Për Leccen 73 minuta në fushë luajti Ylber Ramadani, ndërsa në stol qëndroi Medon Berisha.
Dueli u zhbllokua shpejt për vendasit, me Tiago Gabriel që shënoi pas vetëm pesë minutave lojë, kjo pas asistit të Sottil. Në minutën e 33-të Belotti vendosi ekuilibrat, për ta mbyllur 1-1 pjesën e parë.
Duhej një penallti në minutën e 71-të që ish-sulmuesi i Torinos dhe Romës t'i jepte tri pikë me vlerë Cagliarit, për përmbysjen e madhe në udhëtim. Me shtatë pikë, për momentin sardët e shohin veten në pozitën e pestë në tabelë, duke lënë Leccen me vetëm një pikë në vendin e fundit.
Ndeshjen e ardhshme Cagliari pret Interin, ndërsa Lecce luan sërish në shtëpi kundër Bolognas.
Komente
