Kryeministri Edi Rama iu tha emigrantëve se me pasaportën e BE, do të ulen në çdo tryezë të Evropës përgjithmonë si shqiponja. Ai iu drejtua të rinjve se duhet ta respektojnë kryqin e bardhë në flamurin e Greqisë si vendi që i ka ‘adoptuar’, por shtoi se nuk duhet të harrojnë shqiponjën e Shqipërisë.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria po bën shumë përpjekje për t’u integruar, ashtu sikurse familjet shqiptare kanë kaluar peripeci për të qenë të barabartë me të tjerët në Greqi.
“Me këtë pasaportë, që unë, yt atë të bëra të mundur duke iu bashkuar me Ramën dhe PS me 11 maj ti ke mundësi të qëndrosh këtu, të shkosh në çdo vend të Evropës dhe të respektohesh i barabartë mes evropianësh. Kur prindërit e tu erdhëm këtu, u detyruam të bëjmë shumë gjëra për të mbijetuar, për ta ulur kurrizin deri në tokë, për të mos e humbur betejën, të bëjmë punë që ti biri apo bija jonë as nuk mund t’i imagjinosh sot që i ke të gjitha të mirat, dhe të duket se jeta ka qenë gjithmonë kështu, por këto i bëmë për ty e ju, dhe tani jemi të lehtësuar sepse juve duhet ta respektoni kryqin e bardhë në flamurin e Greqisë se është vendi që iu ka adoptuar po ama s’keni nevojë që shqiponjën në flamurin e kuq ta harroni apo aq më keq ta ndërroni. Ju jeni shqiponja dhe do të keni gjithmonë shqiponja. Me pasaportën evropiane të shqiptarëve, ju do të uleni në çdo tryezë të Evropës përgjithmonë si shqiponja. Ashtu sikundër në të gjitha tryezat ku mblidhet Evropa, përfaqësuesit e shteteve janë poshtë dhe lartë nëpër ballkon janë përkthyesit e të gjitha gjuhëve, ashtu do të jetë edhe përkthyesi i shqipes, kur përfaqësuesi i Shqipërisë të flasë shqip dhe të tjerët të vënë kufjet për të dëgjuar.
Tani ky është momenti, sepse sot për herë të parë, që kur kemi filluar këtë rrugëtim, Shqipëria ka filluar rrugëtimin kolektiv, ju keni bërë këtu përpjekjet për t’u integruar, Shqipëria i ka bërë përpjekjet për t’u integruar në botën e madhe. Për herë të parë BE nuk është vetëm në pozitën që një ditë do të jemi bashkë, por sot thotë jemi gati që brenda 2027 të mbyllim marrëveshjen me ju dhe brenda kësaj dekade të jemi bashkë. Kjo ka ardhur si pasojë e atyre që kemi bërë ne, e këmbënguljes tonë, që na shikonin në rastin më të mirë me keqardhje, në rastin e zakonshëm me bezdi dhe në të keqin me përçmim, në një situatë kur na shikojnë me respekt dhe besim. Por kjo ka ardhur edhe si rezultat ku është sot Evropa. Për këtë arsye nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në BE, por edhe BE ka hapur një derë dhe thotë ejani hynë një orë e më parë.”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Greqia të heqë ligjin e luftës, absurd! Përplasja për Belerin? Bufi nacionalist bëri lëmsh dynjanë! Njohjen e pensioneve përmes integrimit, ulemi në BE si shqiponja (VIDEO)
Xh.D/SI.E./ReportTv.al