Politikë

Pas Shqipërisë edhe Kosova u hap 'derën' afganëve, Osmani: Dhashë përgjigje pozitive, kemi formuar grupin e punës! Shefi i kabinetit të Kurtit: Gjithçka do përmbyllet mirë

15 Gusht 2021, 10:38| Përditesimi: 15 Gusht 2021, 15:11

  • Share

Pas Shqipërisë edhe Kosova u ka hapur dyert afganëve, duke pranuar strehimin e tyre pas kërksesës së SHBA. Konfirmimin e ka bërë presidentja Vjosa Osmani e cila thotë se menjëherë pas dakordësimit institucional qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues. 

Ka qenë kërkesë e SHBA, që kjo çështje të mbetet konfidenciale për arsye të sigurisë thotë Osmani. Ndërsa thotë se ka dhënë pëlqimin e saj për një operacion të tillë humanitar Osmani nënvizon se qytetarët afganë do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë.

Edhe Luan Dalipi shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, tha se “gjithçka do të përmbyllet mirë”. “Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, tha Dalipi.

Dy ditë më parë agjencia e lajmeve Reuters citoi dy burime amerikane t'i kenë thënë se “Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës stimuj ekonomikë dhe politikë në shkëmbim të pranimit te disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se Uashingtoni ka shqetësime lidhur me aftësinë e Kosovës për të strehuar afganët”.

Pasi kryeministri Edi Rama pranoi kërkesën e SHBA për strehimin e afganëve në vendin tonë dhe tha se edhe Kosova duhet ta praojë një ftesë të tillë, i pari që reagoi nga Kosova ishte ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një mendje me Ramën, Haradinaj shkroi se edhe Kosova duhet t’i strehojë afganët dhe t’i qëndrojë pranë SHBA-së.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria”, shkruan Haradinaj.

Haradinaj shprehet se duhet qëndruar pranë Amerikës ashtu siç ata riatdhesuan shtetasit e Kosovës nga Siria. Pak më parë ishte kryeministri Edi Rama i cili tha se s'do t'i thotë jo kërkesës së SHBA, madje theksoi se ka pranuar kërkesën për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit. Në reagimin e tij Rama nënvizoi se shpreson që edhe qeverisë së Kosovës t'i jetë kërkuar që të strehojë afganët që kanë punuar me forcat amerikane dhe se uron që edhe ajo t'i përgjigjet pozitivisht SHBA.

Ora 13:55
Pas Shqipërisë edhe Kosova pranon strehimin e afganëve, Osmani: I dhamë përgjigje pozitive SHBA! Kemi formuar grupin punës, po merret me çështjet organizative

Pas Shqipërisë edhe Kosova ka pranuar strehimin e Afganëve. Konfirmimin e ka bërë presidentja Vjosa Osmani.

Postimi i plotë:

Më 16 korrik, pak ditë pasi bota, e sidomos ne në Kosovë shënuam Ditën Botërore të Refugjatëve, jam kontaktuar nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcillte një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken.

Kërkesa kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve, civilë të pafajshëm, të cilët tani ishin në shënjestër të Talibanëve, vetëm sepse kishin qëndruar në anën e aleatëve tanë, në anën e paqes e demokracisë, në anën e barazisë e të drejtësisë. Ata ishin punëtorët lokal që kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë.

Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu sic na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq.

Qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA ku do të vendosen pastaj.

Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me cështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur.

Të dashur qytetarë,

Askush më mirë se ne nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur, të ndahesh nga më të dashurit, të detyrohesh të ikësh për të shpëtuar jetën. Atëherë, shumë vende anembanë botës, hapën dyert për ne pa asnjë kërkesë e asnjë kusht. Na shpëtuan. 22 vite pas atij tmerri, tani Kosova do të dëshmojë se ne kurrë nuk e humbim njerëzoren brenda nesh.

Populli ynë i urtë thotë: ‘Shtëpia është e Zotit dhe e Mikut”. Me këtë mirëseardhje ne duhet t’i presim miqtë tanë për të shpëtuar jetë, ashtu siç na shpëtuan ne bota demokratike, kur patëm më së shumti nevojë.

Kosova gjithnjë do të jetë në anën e humanizmit, paqes e demokracisë.

Ora 12:36
Qeveria e Kosovës: Jemi në komunikim me SHBA-në për strehimin e afganëve

Që nga mesi i korrikut, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, është në komunikim dhe në bashkëpunim me autoritetet amerikane, sa i përket mundësisë së strehimit të afganëve, që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Luan Dalipi shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, tha se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

“Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, tha Dalipi.

Agjencia Reuters raportoi më 13 gusht se Qeveria amerikane ka zhvilluar bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Burimet i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Shqipëria konfirmoi të dielën, më 15 gusht, se i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara për strehimin e afganëve, derisa atyre t’u përfundojë procesi i miratimit të vizave amerikane.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria”.

Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni./ REL

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?