Raporti 3-mujor, Ministria e Financave: 139 miliardë Lekë të ardhura në janar-mars 2022, rritje me 30 miliard krahasuar me një vit më parë

15 Prill 2022, 11:15| Përditesimi: 15 Prill 2022, 16:10

  • Share

139 miliardë Lekë kanë qenë të ardhurat që janë mbledhur nga Qeveria në periudhën janar-mars 2022, duke shënuar një rritje me 30 miliard krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në raportin për 3–mujorin e vitit 2022 Ministria e Financave bën me dije se të ardhurat u realizuan në masën 104.4 % të planit të 3 – mujorit.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 123.6 miliardë lekë, 25.5 miliardë ose 26% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 5.3 miliardë ose 4.5% më shumë se plani 3-mujor për vitin 2022. Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 48.3 miliardë lekë, 10 miliardë lekë ose 26.2% më shumë se 3 muori 2021, si dhe 181 milionë lekë ose 0.4 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 3 mujorin e vitit 2022.

Sa i përket shpenzimeve të përgjithshme publike në mars 2022 arritën në rreth 117.1 miliard LEK me një realizim në masën 97.3 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 0.9 përqind më i ulët ose rreth 1.06 miliard LEK më pak.

Niveli i suficitit për periudhën 3 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 22.2 miliard LEK, me një realizim në masën 170.5 përqind të planit të periudhës prej rreth 13 miliard LEK.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?